“Një gur gabim”, çfarë ka shkuar keq në raportin mes një nëne beqare dhe vajzës së saj!

Nga Fatmira Nikolli

“Ti nuk mund të jesh fëmija im. Diku, diçka ka shkuar gabim”. Luiza Xhuvani flet mes lotësh teksa mëson në një çast se ajo dhe e bija kanë shkuar me të njëjtin mashkull, dy net të ndryshme, në të njëjtën dhomë, në të njëjtën shtëpi, të Aleksit për njërën – e Aleksandrit për tjetrën. Ka dhimbje, pamjaftueshmëri, trishtim, pafuqi, zhgënjim në rolin e saj prej nëne të vetme, që e do të bijën, që nuk e kontrollon dot, që nuk ka më në dorë as jetën e saj, as të veten.

“Të pashë me të, isha e vogël, mendoja se po qaje. Në fund ti qeshe. Në fakt ishe e lumtur. I pashë të gjitha”, – rrëfen e bija në fund adoleshence, kujtimet e një fëmijërie bosh – të jetuar mbrapsht e duke qenë krejt pa dashje dëshmitare intimiteti mes së ëmës tashmë në të 40-at dhe një burri, një prej disa burrave, që i ka parë nga dera gjysmë e hapur e dhomës së të ëmës.

“Të kisha blerë kufje, të kishe dëgjuar muzikë”, i përgjigjet tanimë, vite më pas, nëna që kupton se ka rritur një fëmijë, që në disa çaste mendon se është “e çmendur”. Në më shumë se një orë – një marrëdhënie herë e afërt dhe herë krejt armiqësore, ku dashuria shfaqet po aty ku është mbjellë urrejtja, ku dy gjysma nuk bëjnë më një të plotë prej se të dyja janë gjysmake, shfaqen në dy gjuhë, shqip e greqisht. Shfaqja “Një gur gabim” e Thodhoru Grampsa vë përballë në skenë aktoret Luiza Xhuvani, Xheni Stavropulu, Eleni Ludiana – Thanasi e Peni Papagreorgiu.

“Një gur gabim” sjell një marrëdhënie psikologjike dhe teatrore mes brezave, mes dy moshash, mes dy rolesh, mes nënës dhe bijës. Teatri Eksperimental shënon se, “para kësaj shfaqjeje, bëhemi dëshmitarë të një marrëdhënieje të shumanshme, të veçantë dhe të fortë, e cila me gjithë kontradiktat e saj, është e pazgjidhshme. Me këtë shfaqje dygjuhëshe, kjo marrëdhënie, nëpërmjet dy gjuhëve, greqisht-shqip, shtrihet edhe midis dy popujve, midis dy vendeve. Shfaqja tregon se marrëdhëniet tona, rrënjët e të cilave humbasin në thellësitë e shekujve, janë të veçanta, janë të forta dhe të pathyeshme”.

“Duhet të dish që nuk është vështirë të prishësh diçka. Një gur të vësh gabim. Dhe tek unë guri gabim u vu shpejt, shumë shpejt. Disa gjëra s’i përkasin as njërës as tjetrës”, thotë Luiza Xhuvani, në rolin e një gruaje të bukur, të vetmuar, nënë e një vajze që ose nuk ka ditur ta rrisë, ose e ka rritur shumë keq- të bijën dhe të bijën e atij që s’ka qenë kurrë i shoqi, të bijën e Mihalit, jo të Jovanit. Mes nënës dhe bijës ka sa ‘konkurrencë’ aq edhe moskuptim, e aty ku përleshja me fjalë e ulërima zë fill, po aty, një çast më pas, sheh fëmijën të ulet në prehrin e nënës.

Dy nëna e dy bija thonë të njëjtin tekst në dy gjuhë- në dy anët e së njëjtës skenë – kur dritat shuhen për të lënë sy të përlotur ndriçimi i mëpasshëm, shfaq dy gra në të 40-at me filxhanë kafeje në duar, e krejt të qeshura, a thua se pak minuta më vonë nuk do jenë në kërkim të shisheve të uiskit, me gotat e të cilit i ikin zhgënjimit prej burrave, prej fëmijëve, kotësisë e boshllëkut, viteve që i kanë lënë pas, dhimbjeve të bartura, jetëve të çoroditura dhe bukurisë që zbehet në fytyrat e tyre. Dëshira për të shpëtuar nga bija është njëherësh frikë për të mbetur vetëm, dashuria për fëmijën i lë, në çastin e mbramë, vendin zilisë ndaj moshës.

Dëshira për të folur shqip e greqisht në skenë, rrezikohet nga përsëritja, ashtu si herë-herë duket se theksi grek e zbeh tingëllimin shqip. Shfaqja rivjen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në datat 15,16,17,18 dhjetor. Ajo është bashkëprodhim i TKEKS me teatrin “Praksi Efta” në Athinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *