Nga Entela Hoxha
Po shkruaj nga krevati im i ngrohtë ndërsa vendi është nën ujë. Në rrjetet sociale shoh me radhë deputetë, prefektë, kryebashkiakë, ministra e deri kryeministrin të dalin në terren, si për t’iu përveshur situatës. Secili syresh, i ndjekur nga një aradhë shoqëruesish, mes të cilëve edhe operatorë që xhirojnë a fotografë që dëshmojnë inspektimet nga jugu në veri. Të veshur me xhupa e çizme, të lagur nga shiu, pa çadra, kasta drejtuese e vendit po rend të monitorojë gjendjen. Dhe mirë bën. E ka për detyrë dhe së paku, mes gjithë katastrofës, po shpëtohen jetë njerëzore. Dhe kjo është shumë e rëndësishme- jeta, jetët nuk kthehen mbrapsht, ndaj ndjej një farë krenarie kur shoh në krye të detyrës drejtuesit e vendit (është njësoj si në filma- ti e di që është lojë, por emocionohesh).
Sigurisht, çdo gjë mund të bëhej ndryshe, më mirë, më në kohë- dhe sigurisht që shumëçka mund të ishte shmangur nëse në vend të palmave do kishte kanale, në vend të fasadave planmenaxhime, në vend të propagandës punë të bërë mirë, në vend të investimeve për fushatë investime të studiuara- sepse ne nuk po përmbytemi për herë të parë. Jo or miq, jemi përmbytur aq shumë sa nga shtëpitë tona nuk është tharë lagështira e parë, as nuk janë marrë dëmshpërblimet e fundit. Jemi përmbytur aq shumë sa politikanë të majtë e të djathtë e dinë mirë se ku duhet të shkojnë për “monitorim”.
Jemi përmbytur aq shumë sa facebooku e di ç’ka parë, foto e video përronjsh e lumenjsh të tërbuar, çdo dimër si ky, a më keq se ky.
Doemos ka fajtorë për shtretërit e lumenjve që janë gërryer, për hidrovoret që nuk janë ose që nuk janë në punë, për mungesën e kanaleve, për shtëpitë që themelet i kanë buzë lumit, për kolektorë a drejtoritë e kullimit, për dëmet e fatkeqësitë, por analizën për këtë do e bëjnë ekspertët e mjedisit e mjeshtrit e propagandës.
Facebooku ka parë mjerimin e disave, e krekosjen e të tjerëve me regji. Vetëm Perëndia e di, se si jetojnë ata Spin Doctor që gjejnë kohë për regji, edhe në një mot si ky.
Nuk dua të falenderoj asnjë prej këtyre më lart, secili po bën detyrën; më së paku, po e bën shumë vonë, më së shumti pasi e ka bërë shumë keq.
Por nga krevati im i ngrohtë, e di se shefat e Spin Doctor-ëve, pasi mbarojnë inspektimin, i pret një makinë e ngrohtë, një shtëpi e ngrohtë, një darkë e ngrohtë dhe një portofol i ngrohtë.
Unë dua të falenderoj heronjtë që nuk i shoh: policë, zjarrfikës, forca të ndërhyrjes së shpejtë që mezi mbyllin muajin me rrogat që marrin, që paguajnë kredi, që zor se kanë makinë, që punojnë 16 orë, që mund të jenë edhe pa ngrënë, që jetojnë thjeshtë, e që prapë në një mot si ky, në një ditë si kjo janë mes ujit e baltës, më të ftohtin e këtij dhjetori duke shpëtuar jetë. Ata, nuk dalin në media, as në facebook, as në ertv, nuk marrin merita, as shpërblim. Mbrëmë nuk kanë vajtur në shtëpi, mbase as sot dhe janë diku atje, pa i përmendur askush. Ata janë heronjtë e heshtur që nuk i shoh. Faleminderit!