Një ecuri e ngjashme  

Nga Yehuda Amichai

“Shoh drurin e limonit që mbolla.

Një vit më parë. Do t’më duhej një tjetër ecuri, më e ngadaltë,

për t’ia vëzhguar degët teksa rriten, gjethet teksa zhvishen.

Më duhet një ecuri e ngjashme.

Jo si leximi i një gazete

por sikundër fëmija mëson të lexojë,

apo siç deshifrohet me durim mbishkrimi

i gdhendur mbi një gur varri të moçëm.

 

Dhe siç një rrotull prej Torahsë kërkon plot një vit punë

për të shpalosur hapat nga Zanafilla deri tek vdekja e Moisiut,

ashtu bëj dhe unë përditë tek ngutem

apo në netët pa gjumë, shpalosem nga njëra anë tek tjetra.

 

Sa më gjatë të jetosh, aq më shumë njerëz do të ketë

që flasin mbi punët e tua. Si hapësi i

një grope: në hyrje përmbi të

njerëzit rrinë përreth duke dhënë këshilla falas

duke ulëritur udhëzime

por ai gjendet vetëm aty poshtë në thellësi.”

Shqip – Edon Qesari

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *