Nga Artan Shabani
Për tej të Figurshmes” nuk ka nevojë e as mundësi për koncept që projekton e prodhon ekspozitë, do të jetë tabloja vetë edhe projeksioni që ekspozon vetiu koncepte. Qenia në të, do ta gjurmojë po vetë rrugëtimin e zgjedhur, duke qenë njëherit udhërrëfyesja e saktë e destinacionit, për këdo që, përveç pikturës si e tillë, do ta kishte edhe një të tillë kuriozitet.
Por, vërtet, nga vijnë e ku shkojnë këto qenie që tërheqin natën me vete, e bashkë me të dremitjen, kushedi dhe ëndrrat, iluzionet, zakonet, monotoninë, tok me sokëllimat?!
Galeria Kombëtare e Arteve i ka kushtuar gjithmonë vëmendje veprimtarisë së artistëve shqiptarë të zhvendosur nga Shqipëria pas viteve 1990-të, të cilët me një këmbëngulje të madhe dhe sakrifica jo të vogla, vazhduan denjësisht vokacionin e tyre artistik në ambiente të tjera. Gjatë viteve të fundit, disa nga zërat më origjinale të pikturës dhe artit shqiptar janë shfaqur në ekspozitat në grup apo personale të organizuara nga GKA, duke shfaqur këndvështrime të reja dhe dhënë përgjigje komplekse për pyetjen e përjetshme se çfarë është arti.
Ekspozita e madhe personale e artistit Zinni Veshi në GKA është një kënaqësi e veçantë, sepse prezantohet si studimi më i plotë deri më sot i punës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përveç një përzgjedhjeje nga cikli më i fundit i pikturave të tij të rëndësishme dhe nga më përfaqësueset, ekspozita gjithashtu paraqet një cikël me vizatime në karbon të bëra gjatë viteve 2015-2017, të cilat shpeshherë shërbejnë si bazë për pikturat e një formati më të madh dhe me kompozime më të ndërlikuara.
Zinni Veshi (i lindur në Vlorë, por që jeton në New York nga 1995) ӫshtӫ njӫ piktor i lindur i cili përpiqet të reflektojë shqetësimet e tij artistike, thuajse ekskluzivisht formale, nëpërmjet një pikture bashkëkohore. Ai rreket në të njëjtën kohë të përkufizojë nëpërmjet saj se çfarë do të thotë sot të jesh artist, piktor.
Piktura e Zinni Veshit në thelb është figurative, e zhvilluar me një gjuhë formale. Ajo fillon dhe mbaron me ekzistencën njerëzore. Një vështrim i shpejtë mbi veprën e tij na zbulon gradualisht një botë komplekse e të rrëmujshme që lind nga përplasja mes formës së pastër piktorike dhe gjendjes abstrakte, ekzistenciale. Veshi përpiqet të arrijë në sipërfaqe të planit piktorik me mesazhin se thelbi i ekzistencës njerëzore dhe artistike, është vetë njeriu. Dmth lidhja jetë-art është një qark i mbyllur që fillon me njeriun organik, për të mbaruar me njeriun e përfaqësuar në art. Piktura e tij figurativisht dhe simbolikisht është më e rëndë se telajoja në të cilën mbështetet.
Eshtë e pashmangshme që me këtë lloj pikture, Zinni Veshi sjell në jetë vetveten përmes një kaleidoskopi gjendjesh personale, duke hedhur dritë në disa dimensione njëkohësisht si mbi veten, ashtu dhe mbi subjektin e pikturuar. Kjo pikturë me një stil semi-abstrakt, të theksuar në gjestin piktorik me goditje ekspresive, antropomorfe, ku dallohet mbi të gjitha intensiteti psikik i modelit dhe një distancë e caktuar analitike e artistit nga subjekti, na rikujton shprehjen e famshme të Leonardo da Vinçit: “Çdo artist pikturon vetveten”.
Vepra e Zinni Veshit përpiqet dhe arrin me sukses të tregojë që piktura, ende sot, në një epokë të dominuar nga kultura vizuale dhe vërshimi i mediave të reja, ka vendin e saj të panegociueshëm si një nga format më dramatike të shprehjes së shpirtit të njeriut.
*Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve