Elsa është pothuajse tetë vjeçe. Në shkollë thonë se ajo është “shumë e pjekur për moshën e saj” dhe ajo e di se kjo përkthehet ndryshe: “mjaft shqetësuese për moshën që ka”. Gjyshja e saj është shtatëdhjetë e shtatë, por mosha nuk e pengon që ta jetojë jetën. Disa mund ta thërrasin gjyshen e Elsës “të çuditshme”, ose edhe “të çmendur”, por Elsa e quan atë një superheroinë. Tregimet gjyshes për kalorësit dhe princeshat, dragonjtë dhe kështjellat, janë superfuqia e saj. Ndërsa ngjarjet në roman rrjedhin, një ndryshim fati e orientoi Elsën duke e lënë atë vetëm me një seri letrash të gjata, në të cilat gjyshja u kërkon ndjesë shumë njerëzve që ka njohur në jetë. Elsa ka një detyrë, t’ia dorëzojë secilën letër marrësit të saj. Është fillimi i një aventure të madhe: letrat, njohja me fqinjët dhe me njerëz me histori dashurie të papritura, e bëjnë Elsën ta njohë jetën e vërtetë të gjyshes së saj. Elsa po fillon të kuptojë se heronjtë nuk ekzistojnë vetëm në mbretëritë imagjinare; ata mund të jetojnë edhe poshtë katit të banesës së saj.
Të kesh një gjyshe është si të kesh me vete një ushtri të tërë që të mbron përherë. Kur në shkollë thonë se Elsa është ndryshe, sikur kjo të ishte diçka e keqe, dhe kur drejtori i shkollës thotë se “ajo duhet të ndryshojë qëndrimin e saj” dhe se “ajo provokon reagimin e ashpër të fëmijëve të tjerë”, gjyshja, nga ana e saj, e ndalon mbesën të kërkojë falje dhe ta marrë përsipër fajin. Ajo e njeh mirë mbesën e saj, e kupton atë në mënyrë të përkryer. Gjyshja është një nga ata njerëz që janë të gatshëm për luftë.
Të tjerët thonë se ajo është “e çmendur”. Gjyshja është shoqja e saj më e mirë, e vetmja, dhe së bashku kanë shpikur një botë alternative ku nuk ka prindër të ndarë, shokë klase që bëjnë shaka të këqija, një vend ku të gjithë mund të jenë ndryshe dhe nuk ka vend për fjalën normale. Gjithkush kujton aromën e shtëpisë së gjyshes së vet.
Gjithkush kujton tregimet që rrëfen ose rrëfente gjyshja e tij. Ndërsa afrohet Krishtlindja, madje edhe gjyshet më të mira superheroina mund të kenë një ose dy gjëra për të cilat do të dëshironin të kërkonin falje. Dhe, në këtë proces lidhur me gjyshen e saj, Elsa ndodhet midis aventurave që i japin një kuptim të ri jetës së saj.