Nga Pascal Emmanuel Gobry
Tashmë jemi të përmbytur me listat e librave të botuar në vitin e kaluar, ose që janë gati për t’u botuar. Kështu që do të përpiqem të bëj diçka të ndryshme: Do të rekomandoj libra që ju duhet të lexoni në vitin 2017, të cilët janë mjaft të vjetër. Ndërsa tre prej tyre janë nga shekulli i 20-të, të gjithë ata janë nga autorë të vdekur. Pse jam duke rekomanduar këto libra, në veçanti? Së pari, sepse listat e fundvitit dhe Vitit të Ri, janë një mundësi e mirë për t’u kujtuar njerëzve se ka libra të mëdhenj, edhe nga para 2016 dhe 2017. Dhe së dyti, rekomandoj këta të katër në veçanti për shkak se secili prej tyre, në mënyrën e vet të veçantë, më ka ndryshuar jetën.
1. Ungjilli sipas Lukës
Periudha përreth Krishtlindjeve është në fakt më e mira për të lexuar Ungjijtë, kur në shumicën e vendeve, sidomos në Perëndim, jehon historia e çuditshme e një farë Jeshua të Nazaretit. Nuk dua t’ia di nëse je i krishterë apo jo. Nuk dua t’ia di nëse i ke lexuar apo jo. Ungjijtë janë ndër objektet kulturore më me ndikim në historinë e njerëzimit. Dhe një arsye përse ata janë me kaq shumë ndikim, është se janë tmerrësisht të thellë dhe të fuqishëm. Plus, janë të shkurtër.
Rrëfimet e Krishtlindjeve shfaqen në dy prej katër ungjijve, tek Mateu dhe Luka. Unë rekomandoj Ungjillin sipas Lukës, sepse ai është ndoshta më i kapshëm – ndonjëherë do të dëgjoni historianë të thonë se Mateu e shkruajti Ungjillin e tij për audienca hebrenjsh dhe Luka për të gjithë, ndonëse në realitet Ungjilli i Lukës, ashtu si të gjithë ungjijtë, është gjithashtu plot me tema hebreje.
Rrëfimi i Lukës për këtë periudhë vë theksin në natyrën thellësisht revolucionare të ngjarjeve që përshkruan. Kur Luka përshkruan engjëjt që u shfaqen barinjve si një “mysafir nga qielli”, këtu kemi të bëjmë me një referencë të Perandorisë Romake militariste dhe shtypjen që ajo i bën Kishës që po lind – “Ju keni një ushtri, por ne kemi një ushtri më të madhe”, shkruan praktikisht Luka. Fakti që engjëjt u shfaqen barinjve është gjithashtu domethënës, përderisa ata janë personazhe të skajshëm. Do të thotë që mesazhi i Jezusit është për personazhet në skajse të shoqërive botërore.
Rrëfimi i Lukës për Krishtlindjet përfshin gjithashtu dy lutje që i kanë dhënë formë spiritualitetit të Kishës për shekuj të tërë: Kënga e Marisë për mirënjohje ndaj Zotit, “Magnificat” dhe kënga e Simonit për lavdërim, e njohur si “Nunc Dimittis”.
Ungjijtë janë bërë për të reflektuar. Mund ta lexosh shpejt e shpejt, por ia vlen të kthehesh sërish tek pjesët e preferuara dhe t’i lexosh edhe një herë, me ngadalë. Breza të panumërt kanë parë se meditimi i ngadaltë dhe i përsëritur mbi ungjijtë u ka përmirësuar jetën. Paçi fat.
2. “Kristin Lavransdatter”, nga Sigrid Undset
Nëse i pari që rekomandoj është një libër i shkurtër dhe i lehtë, ky nuk është. “Kristin Lavransdatte” është praktikisht i panjohur. Nëse do të jetonim në një botë të mirë, ai do të përmendej po aq shumë sa edhe kryevepra si “Vëllezërit Karamazov” dhe “Mobi Dik”. Laureatja e Nobelit, përshkruan të gjithë jetën, në Norvegjinë e mesjetës, të personazhit emrin e të cilës ka libri. Ia vlen të përmendet si një libër letërsie “të madhe” që është shkruar nga një grua dhe për një grua, dhe me sa di, i vetmi ku tema qendrore është mëmësia.
Përtej përshkrimit mbresëlënës, të saktë dhe realist që i bën jetës në Norvegjinë e mesjetës – vetëm së fundmi e prekur nga kristianizmi por ku sërish, aty-këtu shfaqen elfët dhe shtrigat – libri të rrëmben për shkak të realizmit dhe thellësisë së profileve psikologjike. Libri prek fuqishëm pothuaj çdo temë të rëndësishme në jetën e njeriut: dashurinë, seksin, familjen, politikën, detyrën, fenë… Nuk dua të zbuloj shumë, por Kristin bën disa zgjedhje të këqia, është viktimë e të tjerave zgjedhje të këqia, dhe bën një jetë mes fatkeqësish, me një foksu pothuaj maniak për të siguruar një të ardhme për fëmijët e saj. Kristin është një personazh pothuaj e pamundur të mos biesh në dashuri nëse je burrë, apo admiruar nëse je grua – e shpejtë për të rënë në dashuri dhe pasionante atëherë kur dashuron, kokëfortë, e fuqishme, e gjithësesi shumë humane.
Kristin Lavransdatter është si një lloj kulti. Me të vërtetë që ka dy lloje njerëzish: Ata që nuk e kanë lexuar librin, dhe ata që e kanë lexuar. Dhe ata që hyjnë në grupin e dytë me siguri do të zinin për fyti ata të grupit të parë dhe do të përpiqeshin t’u shpjegonin me forcë, përse duhet ta lexojnë. Merret me mend lehtë se në cilin grup jam unë.
(Nëse e lexoni në anglisht, sigurohuni të merrni përkthimin e Tina Nunally).
3. Persekutimi i artit të të shkruarit”, nga Leo Strauss
Një temë e vazhdueshme në shkrimet e mia është ideja e rëndësisë së kulturës, dhe sidomos filozofisë, jo vetëm për një jetë të jetuar mirë, por edhe për të ndërtuar një botë të qëndrueshme dhe funksionale. Ne gjithmonë përfitojmë nga ajo që mjeshtërat më të mëdhenj thonë për të vërtetën, bukurinë dhe virtytin. Por, ajo që shpesh herë e injorojmë, është se bota në të cilën ne jetojmë është e ndërtuar mbi idetë. Me këtë dua të them se çdo gjë që e marrim të mirëqenë në jetën moderne, qoftë shkenca moderne, apo demokracia, apo marrëveshjet ekonomike, apo rregullat familjare, janë, në fund të fundit, ide. Demokracia ekziston vetëm kur një numër i mjaftueshëm njerëzish besojmë në gjëra të ngjashme, për atë se si politika funksionon dhe duhet të funksionojë. Shkenca “funksionon” falë metodave shkencore, që janë një grup idesh të cilat dikur i kanë patur disa njerëz; nëse ne i harrojmë ato ide, nuk do të jemi në gjendje të bëjmë shkencë.
Por në një moment në shekullin 20, kuptimi ynë kulturor mbi trashëgiminë dhe pasurinë tonë intelektuale nisi të bjerë me shpejtësi, dhe kjo rënie po vazhdon. Nuk besoj se ekzagjeroj kur them se ky është një rrezik ekzistencial ndaj mënyrës sonë të jetesës, dhe shumicës së gjërave që ne vlerësojmë.
Kështu që, ne duhet të rifillojmë të lexojmë Platonin, Aristotelin, Biblën, Aquinasin, Locken, Montesqieunë dhe etërit themelues të kombit. Po ç’kuptim ka t’i lexojmë ata libra, nëse nuk dimë se si t’i lexojmë? Të gjithë veprat kulturore i përkasin një konteksti kulturor, pa të cilin ne nuk mundemi t’i kuptojmë. Siç ka treguar akademiku i shekullit 20, Leo Strauss, filozofët kanë përdorur vazhdimisht një mënyrë specifike të të shkruarit – shpesh e njohur si “filozofike” – që shërbente për të fshehur kuptimin e tyre të vërtetë, nën sipërfaqen e veprave të tyre, përmes aluzionit. Siç e shpregon edhe titulli i librit të Straussit, ka patur një arsye të drejtpërdrejtë: Nëse ke shumë ide të çuditshme, mund të shndërrohesh në një objekt persekutimi, gjë që e tregoi fare mirë edhe fati i Sokratit.
Sot, edhe shumica e nesh që lexojmë filozofi, e lexojnë në një nivel të drejtpërdrejtë, e si pasojë të gabuar. Ne jetojmë në anën tjetër të atij që studiuesit e kanë quajtur “revolucioni i leximit”: Pas shpikjes së shtypshkronjës, shpërthimi i një numri të madh librash na ka bërë të lexojmë, e si pasojë të shkruajmë, ndryshe. Përpara revolucionit të leximit, njerëzit kishin pak libra, kështu që lexonin e rilexonin një libër me dhjetëra herë. Librat shkruheshin duke patur këtë gjë në mendje, dhe kështu ishin të mbushur me disa shtresa, dhe domethënia e tyre e vërtetë shpalosej vetëm pasi të ishin lexuar disa herë.
Straussi ia kushtoi jetën e tij shpjegimit të kësaj gjëje, për një botë që e kishte harruar, duke na udhëzuar që të rilexojmë filozofët e mëdhenj, përmes të kuptuarit se si “arti i të shkruarit” kishte formësuar idetë e tyre. Duhet të kërkoni të kuptoni Platonin dhe Aristotelin, por këtu, në anën tjetër të një amnezie të madhe kulturore, për ta bërë këtë duhet t’ia filloni me Sttraussin.
4. “Shtrëngimi i nepërkës”, nga François Mauriac
Një tjetër fitues i Nobelit në këtë listë, François Mauriac është një prej gjigandëve të letërsisë franceze, dhe ky roman është kryevepër. Më ka ndryshuar jetën.
Mauriac shkruan për jetën e njeriut më të ligë, zemërzi që mund të imagjinonte. Romani është shkruar si një letër që Louis i dërgon të shoqes, Isabelle, të cilën ajo duhet të laxojë pasi ai të ketë vdekur. Louisi është shumë i pasur dhe urren të gjithë në jetën e tij, sidomos të shoqen dhe fëmijët, dhe merr kënaqësi nga vuajtjet e të tjerëve. Louis është duke vdekur dhe fëmijët e tij thjeshtë po presin që të ikë, për të ndarë pasurinë. Por ndërkohë që kapet fort pas jetës, përmes forcës së madhe të pakënaqësisë së tij, Louisi është duke planifikuar një ndëshkim post-mortem, duke ia lënë të gjithë pasurinë një djali të paligjshëm, duke e lënë familjen e tij, pa asnjë dyshkë.
Louisi është krejt i ndërgjegjshëm për këtë që po bën, madje e glorifikon. Ai është i ngazëllyer prej idesë që të lëndojë njerëzit e dashur edhe nga përtej varrit, dhe fantazon për tronditjen dhe dhimbjen e fëmijëve të tij, kur ata të zbulojnë pas funeralit se i ka lënë pa asnjë gjë. Natyra e librit, shkruar në vetën e parë, të bën për vete dhe të fut shpejt në roman, pasi Louisi përshkruan me forcë urrejtjen ndaj cilitdo person në jetën e tij.
Fundi me një kthesë të fortë i romanit zbulon më shumë për Louisin, karakterin e tij të vërtetë dhe motivimin, si dhe ato të njerëzve përreth tij, dhe më e rëndësishmja, ofron një pasqyrë për lexuesin. Ne zbulojmë se, në leximin e letrës së Louisit, në fakt jemi bërë si ai: po kaq përbuzës ndaj Louisit, sa edhe Louisi ndaj të tijëve. Louisi, në fund zbulohet si vëllai apo i afërmi ynë; jo një i poshtër, por ashtu si ne, me të meta, i lënduar, dhe i dëshpëruar për dashuri. Përshkrimi i Mauriac, përmes Louisit, i mënyrës se si martesa dhe marrëdhëniet e tij me fëmijët janë shembur prej keqkuptimeve, frikës dhe fanatizmit, si dhe prej hipokrizisë së katolicizmit borgjez të fillimshekullit 20 në Francë, që e shndërroi Louisin në një ateist, absolutisht më tronditën thellë. Herë pas here mendoj sërish për romanin, kur shoh çifte dhe familje që shkatërrohen prej konflikteve dhe fesë legalistike – apo kur e gjej veten duke gjykuar apo mospëlqyer thellë dikë.
The Week – www.bota.al