Nga Mira Kazhani
Jo nuk qaj dot, as nuk kam fuqi të ulem e të shaj dikë. Po të isha një përdoruese e Facebook, ose tip që mezi pret pas perdes një problem që të shajë e përlajë çka përpara, sot prapë nuk do kisha sharë. Kaq shumë vite që shohim përmbytje, gazetarë që veshin çizmet e llastikut, politikanë që hedhin një xhup mushama, dhe ato me çizme llastiku japin një mesazh, siç bëhet kudo jo vetëm në Shqipëri.
E kemi parë këtë skenë pafund, të përsëritur si një film që s’të bën më të qash. Duhet vetëm një kanal, një njeri që të mendojë gjatë. Një kanal që të fus atë ujë që na vjen nga qielli e që mund ta kthejmë në energji jo në fatkeqësi. Sot ishte një ditë e zakonshme për Shqipërinë, mos bëni kot. Ajo mbytet shumë më shumë kur nuk bie shi. Ne jemi të gjithë kaq të pasigurt, si ai djali që i ranë lotët bashkë me nervat para Ministrit të Brendshëm, i cili nuk kish asgjë me vete në atë takim, veç një përqafimi. Mua më pëlqeu ai përqafim pra! Është shumë më i mirë sesa një gënjeshtër, një demagogji, një bori suksesi!
Në të gjithë kemi nevojë që të na përqafojë dikush. Jemi të vetmuar nga ky vend që i çahen venat nga një shi. Shpesh në ditë me diell, kur duket se çdo gjë shkon mirë këtu ndodhin më shumë vetëm se nuk dalim nga shtëpitë që na i pushton uji, dheu e dhimbja. Nuk i duroj më lajmet, kronikat që japin pamjet e fshatarëve që mbeten pa shtëpi, bagëti, se pa dashuri i’a kanë marrë dorën fshatarë e qytetarë. Ne nuk i’a kemi dalë dot, të paktën deri më sot! Ne nuk kemi asgjë. Në marrim vetëm çertifikata, pasaportën dhe ndonjë aspirinë në farmaci. Ne nuk trajtohemi! Ç’ti futem krahasimeve me europianë. Më mirë jo!
Merre me mend ne nuk kemi as kanale. Ne jemi një vend i lyer si ato vajzat e reja që trukohen rëndë dhe bien në sy. Shumë make up! Ne nuk fitojmë dot një gjyq nëse kemi të drejtë! Nuk bëjmë dot një urë që të jetoj 5 vjet! Ne kemi makina të bukura, foto të bukura familjare, restortante goja lëng, por ne e dimë se çfarë xhungle jemi!
Ne nuk lavdërojmë dot një punë edhe kur është e drejtë! Nuk shajmë askënd për veten. Nuk kemi bërë një protestë për veten. Ne marrim forografinë e dikujt tjetër dhe dalim në protesta. Kërkojmë llogari për diçka që as e duam. Ne vishemi për të tjerët, për të tjerët zhvishemi doemos. Ne do i harrojmë të përmbyturit sapo ta dal dielli. Ne e kemi zakon të harrojmë. Kemi një sustë të mrekullueshme të cilën e shtypim automatikisht. Ne jemi një vend që vetëm përmbytja mund të na prek nervin ngaqë e vetmja gjë që kemi frikë është natyra. Ne njeriun, njëri-tjetrin, ligjin, taksën, policin, rojen, doktorin, ustain, postierin, ministrin, gjyqtarin, avokatin, berberin i kemi kohë të shkuar. Na ka zënë lagështia shumë kohë para përmbytjes së këture dy ditëve, dhe duket humor pa kripë, i zi por më thuhet: ndonjëherë i dua fatkeqësitë që të shoh se ka edhe njerëz të mirë. Mbase për këtë më mbeti në mendje djali që qau dhe ministri që përqafoi! U bëftë më mirë një ditë!/ http://www.tiranapost.al/nese-nuk-ke-marre-asgje-vete-perqafo/