Nga Bogomil Gjyzel
Përse kështu, nëna Itakë të stërshesin
Me pakicë e me shumicë e të gjallë
Me gjithë qimet, thundrat dhe bishtin
Me gjithë të kaluarën tënde të kuqe
Me gjithë vezët e papllenueshme brezash
Me gjithë klithjen e paçrrënjosur në bark?
Herë-herë shqelmon me të katra
Për t’ua prishur shigjetën e peshores
Por ata megjithatë do ta marrin masën
Do të copëtojnë varur në çengel
Dhe do të klasifikojnë nëpër paketa
Për nevojën e tyre dhe të të huajve
Bile do pandehin se të shitën shtrenjtë
Meqë të kanë blerë
Me gjithë shpirtin që të bën aq të rëndë
(Ose me frymën tënde të ndalur)
Derisa të shpien udhës së përndezur
Kah thertorja e lavdisë së tyre
Por shpirti yt, në fakt, është peshë negative
Që gjithë jetën ka luftuar kundër tokësores
Dhe kur njëherë do të ngjitesh përpjetë e çliruar
(Kah vëllazëria qiellore e popujve të zhdukur)
Ahere do ta kuptojnë se çfarë u ke lënë –
Peshën e tyre të trupit të vdekur.
*Bogomil Gjyzel- Përktheu nga origjinali maqedonisht Resul Shaban
@ Poeteka