Nga Flutura Açka
Mbresa nga dita e parë e shkollës së sapondriçuar Dikur nga pranvera e vitit 2007, me dy miqtë e mi holandezë, Gerda Mulder dhe Herman Zonderland – e ngarkuar paq me rrëfimet e tim eti për alpet dhe izolimin e gjatë dimëror në Theth, me shënimet e udhëtarëve të mrekullueshëm si Edith Durham, Rose Lane, Den Doolaard, Antonia Young e plot të tjerë të mahnitur prej tij, me fotot epike dhe të papërsëritshme të Marubit, Picit, Durhamit, Nopçkës, etj – mbërritëm në luginën magjike të Thethit. Nga atje u ktheva një tjetër njeri në Tiranën tonë të pluhurosur nga gazi i makinave dhe thashethemet bajate, nga snobizmi i pseudoelitës dhe padija mbi kuptimin e së bukurës mbi këtë dhé. Në intervistën e parë pas kthimit, ende nën peshën e asaj magjie, e purifikuar dhe ngopur nga gjelbërimi, ajri, ngjyrat dhe pasha e epërisë që vetem male si ato ta japin, thashë se asnjë shqiptar nuk duhet t’ia lejojë vetes të vdesë pa e parë Thethin. Atëherë fotografuam të vetmen nxënëse që kishte mbetur atypari, Sofinë.
Vite më pas Gerda Mulder dhe Herman Zonderland do t’i kushtonin një libër të plotë Thethit me titull “Pasioni për Thethin”, që së shpejti do të botohet edhe shqip. Qysh nga ajo kohë, shkolla degradoi ngadalë dhe nxënësit, mu si prindërit e tyre, po e braktisnin me gjithsej, veçmas dimrit të egër që i izolon prej shekujsh. Të tjerë, të lidhur ca me pushtetin e ca duke tradhëtuar zakonet e tyre, rendnin të vinin gardhe e të shtronin beton, pa e ditur se çdo gur dhe pemë, çdo pamje dhe kujtesë, janë aq të shenjtë në këtë vend, sa duhet ta mbrojnë si sytë e tyre. Dhe jam kthyer sërish e sërish në Theth, me po të njëjtën dashuri dhe merak për ta parë se si vendasit po e ruajnë mrekullinë me të cilën i ka bekuar nëna natyrë. Atëherë, më 2007, kam bërë edhe një ‘krim’ të vogël; shtëpia në foton pas shpinës sime, siç më shpjeguan banorët, është shtëpia ku ka buajtur Edith Durham, mbase Rose Lane, mbase Den Doolaard, kushedi kush prej tyre, që janë pjesë e pandashme e historisë së tij. Unë hyra nga dritarja në shtëpinë e rrënuar dhe të vetmuar, thjesht të takoja diku në ajrin e saj shenjat e këtyre njerëzve që i dhanë zë Thethit në botë. Gjeta veç një llambë vaji të vjetër të thyer, që besoj u ka shërbyer edhe këtyre njerëzve të shkruajnë ato shënime të arta; atë llambë e kam në shtëpinë time si një relikte shumë të vyer. Dy ditë më parë, me ftesë të Fondacionit Vodafon që sapo kishte financuar riskonstruksionin e shkollës së Thethit, mora pjesë në ditën e parë të shkollës, që jo vetëm do të frymojë nga zërat e fëmijëve të kthyer, por edhe do të kthehet shpejt në një qendër shumë të rëndësishme kulturore, në shërbim të turizmit, të historisë që e rrethon, të traditës së mrekullueshme, e mbi të gjitha të bujarisë që përshkruhet në librat e autorëve që përmenda. Nga tani e tutje, na duhet vetëm ta ruajmë shkollën, t’i përgatisim këta fëmijë të zotë për të pritur turistë nga e gjithë bota me cilësinë më të lartë që mundemi, t’i evidentojmë të gjithë udhëtarët dhe personalitet që kanë buajtur në Theth. Tek e shihja atë oborr të vogël të mbushur me aq njerëz, me fëmijë që i gëzoheshin shkollës së tyre të ndërruar faqe, me gazmimin se pas këtij hapi të parë, do të çelen shtigjet për ta nxjerrë në dritë këtë vend plot dritë, nuk kisha si të mos isha e lumtur, që kisha bërë sadopak me dashurinë time për të. Sofinë time të dashur, nuk e gjeta – kishte shtegtuar si të gjitha zanat e bukura – por Thethi ishte aty, me atë përjetësinë e tij trillane dhe magjepsëse. Dhe do të kthehem sërish, siç kam bërë përherë me miq të huaj dhe shqiptarë, kushedi mbase dhe të vdes aty; ’ç’paqe mund të të ofrojë jeta, më shumë se ky vend. Por e kam një peng: janë fare pak kilometra të një rruge të tmerrshme që e ndajnë Thethin nga ne, cili alpin apo s’alpin do të ketë aq dashuri sa t’i kthejë ato në kilometra të lehtëkalueshme, sigurisht për civilizimin dhe jo për betonin. Unë nuk i kam shumë qejf mirënjohjet pa vend, por kur është fjala për shërbime të tilla, si kjo shkollë që prej vitesh më ishte kthyer në brengë, kam nevojë si qytetare të falenderoj mecenë – në këtë rast Fondacionin Vodafone – që i shërbejnë historisë. Ata fëmijë sot, janë historia nesër.