Në Bruksel, në zemrën e legjendave urbane


Monika Shoshori Stafa

E para gjë që më kishte ardhur ndër mend sapo kisha mësuar se do të fluturoja drejt Brukselit ishin ngjarjet e fundme që kishin ndodhur në aeroportin e tij, mëngjesin e 22 marsit të këtij viti. Nuk më kujtohet qëkurse bota e kish humbur sigurinë dhe kohën e saj të artë. Por ajo që mund të përkufizoja si një epokë epikurane e po aq të qetë në kontinentin e vjetër mbushur me histori, teksa kisha hedhur shikimin tej reve prej xhamit të dritares ku kisha mbështetur kokën, ishte monarkia gati njëmijë vjecare austriake, themelet e qëndrueshme të së cilës, i sheh në cdo cep, të cdo kryeqyteti europian. E të mendosh që një Europë kaq e madhe në shtrirje dhe me një popullsi kaq të përzier në gjakun e saj të mund të qeverisej aq me rregull dhe dinjitet, këtu e 3- 4 shekuj më parë. Zakonisht, ne studiuesit, nuk i kemi shumë për zemër perandoritë për shkak të sundimit të gjatë të një peme gjeneaologjike në një fron të vetëm, por kam bindjen se nëse do më duhet ta rilexoj edhe njëherë perandorinë austriake, do të isha kurioze të mësoja se cilat ishin ato mekanizma kaq të disiplinuar e të përgjegjëshëm që arritën të ngrinin një sistem titanik administrimi që nuk dështoi kurrë. Në këtë perandori të madhe gjithcka qëndronte e fortë dhe e patundur në vendin e vet me atë organizim të përsosur. Askush atëherë nuk besonte në luftrat që do të vinin më vonë, në revolucionet apo dhe përmbysjet. Cdo gjë ekstreme, cdo veprim i dhunshëm prej bukurive që shohim sa herë shijojmë Europën, dukej si dicka thuajse e pamundur në një epokë ku sundonte arsyeja. E kjo ndjenjë sigurie kish qenë thesari më i vyer për miliona njerëz. Megjithatë ka dicka që ma mund arsyen e thellë.
Ndër sy më vjen një poster i madh me titullin “If this is Tuesday, it must be Belgium”. Nënzë munda të lëshoj një pasthirrmë që më në fund më dha shpresë ta shihja kryeqytetin europian pak më me dashuri. Gërmova më tej në mobile-in tim për të mësuar më shumë mbi përmbajtjen.. Ah, shih shih ..një grup turistësh që i kishin ikur shtëpisë dhe udhëtonin për qejf të tyre, në Europën dinake për më shumë se 18 ditë. Turistët amerikanë, për të cilët kisha lexuar se edhe pse gëzonin simbolin e demokracive liberale nën rrokaqiejt e tyre, do të mbeten deri në fund të jetës ca Europe’s lovers ziliqarë. Për shkak edhe të kësaj arsyeje, ata e kanë për mburrje kur nisin të rrëfejnë mbi historinë e Europës në përgjithësi. Ja p.sh., më thoni tri gjëra të famshme për Belgjikën, fillon një anekdotë e vjetër e këtyre anëve. Dhe ndërkohë papritur u kujtova se duhet t’i jepja adresën drejtuesit të taksisë për të shkuar drejt hotelit, të cilin më pas vura re që vezullonte natën vonë prej dritave të sheshit përballë, që sapo kish filluar të lagej nga një vesë e imët shiu.
Të dije qoftë edhe pak rreth historisë së Brukselit është një lloj krenarie për të huajt, ndaj ia nisa unë bisedës e para me njeriun që ngiste makinën e që në sfond kish vënë muzikën e bukur të Stingut. Brukseli është një qytet i bukur, fola, por unë e njoh shumë pak atë. Kam qenë njëherë para disa vitesh dhe më shumë e njoh prej leximeve, sic bëj gjthmonë kur nisem në ndonjë udhëtim ca ditë përpara, shtova më tej, por pa shpresë se burri i huaj do më kuptonte nisur nga pauza e gjatë që pasoi ose ndoshta mua ashtu mu duk. Brussels ?, shqiptoi ai në një anglishte frankofone. Oh, ju e njihni aq pak nëse e gjykoni nga pamja vetëm. Ai ka më shumë. Që ta dish ktheu kryet ai, dhe ndjeva se mi nguli sytë fort për të më besuar dicka të fshehtë, ka një gjë që dihet nga të gjithë por që e vështirë ta pranojnë hapur këtu. Në Bruksel, në kryeqytetin e institucioneve europiane, komunitetet që flasin gjuhë të ndryshme si hollandishtfolësit apo dhe frengjishtfolësit nuk bëhen shumë me njëri –tjetrin. Me një fjalë si ta them, shpjegoi ai duke mërmëritur, ata e kanë mërzi për ta thënë më troc. Më tingëllonte pak si lokalist ky detaj i jetës në Bruksel ndërsa habitesha se si nuk kish mundur ende të shuhej ky inat mes tyre, pikërisht aty ku institucionet europiane lobojnë për miliona fonde në dobi të gjithëpërfshirjes sociale apo multikulturalizmit. Të ishte e vërtetë ajo që më tha makinisti? Zakonisht taksistët janë njerëzit që të ofrojnë jo vetëm guidën e duhur drejt destinacionit që i ke kërkuar, por pothuajse në të gjitha rastet ata janë njerëzit që duhet t’u referohesh madje më shumë sesa pikave të informacionit apo njerzve që shërbejnë me uniformën e policisë. Sepse ata e njohin qytetin në të gjitha kapilarët e tij. Shembulli i bisedës së kryeministrit tonë para disa kohësh me një shofer, e cila më pas u kthye në një barcoletë urbane ishte prova më e bukur për t’i vënë kapakun këtij reflektimi. Që këndej, u ndava me një falenderim të sjellshëm për njeriun që më ndezi kuriozitetin të ecja në këmbë disa hapa në Avenue du Boulevard 17 , aty ku dhe ndodhej hoteli ku do të kaloja dy netët e mia në qytetin e cunit të vogël e të paturpshëm, me emrin ‘Manneken Pis’ që kish vendosur të ujiste gjithë Europën me rubinetin e tij. Cfarë mendje kish qenë ajo që kish vendosur të ndërtojë një statujë të tillë e të paturpshme, në një prej qendrave më të frekuentuara të botës gjatë këtyre dekadave të fundit?!
Isha duke menduar kësi pikpyetjesh në kokë ndërsa prej valixhes mu desh të nxirrja ato pak veshje që mund të shërbenin për mbrëmjen gaztore që po i dhuroja vetes. Dhe të tjera impresione të castit mu shfaqën para syve. Kishte dhe ca të tjerë që tregonin se Brukseli ishte shtëpia e birrës më të shkëlqyer që mund të prodhohej, e patateve të skuqura dhe e cokollatave më të mira që mund të gjeje në krahasim me cdo kënd të botës, gjë që provon edhe njëherë se Brukseli është kryeqyteti i një kombi llupës. Më erdhi mirë; një popull që ka dëshirë të ushqehet. Pastaj ndër mend më erdhën cekët, polakët, pse jo edhe gjermanët.
Cdokush që njeh historinë e Europës duhet të dijë se Belgjika nuk është vetëm një fqinj i afërt i Anglisë në kuptimin gjeografik të fjalës, por gjithashtu edhe një prej partnerëve të tij më të vjetër në fushën e tregtisë. Një poster diku sipër këndit të llampës elektrikë më tërhoqi vëmendjen duke lexuar pikërisht këto rreshta. Ah, kjo paska qenë dhe një prej arsyeve përse ka pasur afro dy flukse të mëdha migratore njerëzish e bashkë me to edhe qindra e mijra ide qëkurse fiset e vjetra belge marshuan drejt Anglisë jugore, atëherë kur ende nuk ekzistonte asnjë kanal që lidhte këto dy vende. Fiset kishin ardhur në tokën flamande nga diku tjetër, ndoshta prej Hungarisë apo prej Moravisë. Ata quheshin keltë, që në kuptimin e parë do të thoshte “njerëz mburravecë”. Por tani është fakt që belgët e sotëm janë njerëzit më pak mburravecë që ju mund të keni takuar ndonjëherë. E këtë e vura re, që prej shoferit që nuk pushoi së foluri për nënën dhe lëngun e shijshëm të cokollatës që ajo gatuante e deri tek përpjekja e tij për të mos më lënë asnjë cast vetëm deri tek recepsioni i hotelit. Dicka do të ketë ndodhur ndërkohë me sjelljen e tyre në shekujt e mëpasëm, mendova por që ndoshta do të mund ta mësoj më mirë nëse lexoj pak më shumë herës tjetër për Brukselin.
Takimi i së nesërmes me grupin e ekspertëve të medias me rreth 90 pjesmarrës në të, prej vendeve anëtare të BE-së, atyre kandidatë, UNESCO-s, organizatave joqeveritare, me temë ‘Të forcojmë bashkëpunimin mes aktorëve për të pasur njohuri të plota për median’ e iniciuar prej Komisionit Europian, do të ishte një rast i mirë të mësoja shumëcka edhe përtej teknokracisë që ofrojnë këto ambjente që më kishin tingëlluar herën e parë ndryshe prej ndjesisë së përzemërt që kisha thithur prej këtij qyteti.
Ah, shiko, shiko, një skicë humoristike diku në një revistë vendase vendosur në kanapenë e dhomës, tregon nëpërmjet disa figurave bardh e zi, ankthin e belgëve me evazionin fiskal, por nga ana tjetër edhe mentalitetin belg ndaj shtetit si institucion. Duket se paska qenë, një imponim i huaj në jetën e tyre të përditshme. Por skica mban datë të hershme. Sigurisht nuk bëhet fjalë për tani. Në vitet e para të mesjetës, nuk ka pasur shtet belg, por thuajse një grumbull qytetesh të vogla të cilat duhet të bindeshin shumë që të punonin së bashku. Ama, kjo ishte një histori mesjetare kaq e largët në kohë dhe i përkiste tanimë së shkuarës. Sot ne shqiptarët, në shek. e 21- të, ende nuk mund të kuptojmë se c’do të thotë të punojmë së bashku. Kisha rrotulluar këto mendime në kokë ndërsa vetëm pasi kisha ecur ca metra kuptova se vesa e shiut ish shtuar por era e lehtë e natës vonë nuk linte që ajo të sillte bezdinë e një shiu të zakonshëm. Ndaj kjo qe dhe një arsye më shumë të besoja se përse belgët e kishin kërkuar me aq mund dhe gjak pavarësinë e tyre, aty rreth 500 vjet pas dominimit të të huajve. Dhe që prej vitit 1960, shteti u federalizua gradualisht derisa arriti të kënaqte aspiratat e tre komuniteteve të ndryshme të marra së bashku: hollandishtfolësit, frengjishtfolësit dhe gjermanishtfolësit. Sot nëse duam të identifikojmë lehtësisht një belg të vërtetë, do të duhet të rrimë gjatë me ata që sot quhen, banorët e autentikë të Brukselit.
Nëse pyet një belg mbi identitetin e tij kombëtar, në të shumtën e herës do të vinte kjo përgjigje: “Ne jemi një vend i vogël”. Sepse nuk ka një përgjigjë të lehtë për këtë pyetje. Individualizmi i fortë apo delli i tyre “nazeli” ndaj hollësirave, sic përflitet për psikikën belge ka sjellë pak paqartësi mbi identitetin kolektiv të tyre. Për këtë arsye, një poet belg shkruantë se kur Zoti krijoi botën dhe u njohu njerzve lirinë, ai belgëve u dhuroi dicka më shumë, shpirtin e lirë … Dhe kjo dhuratë aspak ‘e mirë’ e tij, shkruan poeti më tej, është e vetmja gjë që na bashkon ne. Është esenca e shpirtit belg.
Organizimi i rajoneve vendosur në mënyrë të tillë si në veri, komuniteti që flet hollandisht dhe në jug ata që flasin frengjisht me Brukselin në mes, ka pasur qëllim të neutralizonte tendencën me të cilën belgët shihnin qeverinë si një dicka që u imponohej nga jashtë. Sepse do duhej kohë për të zhvilluar një sjellje të re të tyre, ndaj shtetit.
Vendosa pasditen e vonë të asaj të marte, pas takimit të gjatë e shumë intensiv në një prej departamenteve të Komisionit Europian, të shëtisja drejt një sheshi që mu duk se e pashë kalimthi mbrëmjen e kaluar teksa po mbërrija në hotel. Quhej “Sheshi i Martirëve” dhe mban emrin e heronjve të rënë për pavarësinë e Belgjikës. Ata u varrosën aty për nder të kujtimit të tyre deri në përjetësi. Sheshi me shtëpitë rrotull tij, të ndërtuara nën një stil elegant, u ndërtua në vitin 1774- 1776.
Shekujt kishin kaluar, progresi dhe shkenca bashkë gjithashtu por ato kurrë nuk i kishin zbutur dot të fshehtat që belgët ruanin si sekrete në historinë e tyre. Belgët nuk mund ta mohojnë dot gjakun spanjoll që lëvrin në venat e tyre e megjithëkëtë ende francezët e sertë nuk ua njohin atyre prejardhjen latine dhe i vënë shpesh në qendër të humorit të tyre shpotitës.
Qyteti që prej tryezave të punës në KE duket të jetë i akullt dhe më se i disiplinuar prej burokratëve dhe teknokratëve që e drejtojnë, jeton mes një paradoksi të vërtetë gjuhësh dhe botkuptimesh. Zonjë c’po pret ?, më erdhi një zë anash veshit. Taxi, ia prita unë ndonëse nuk e dallova qartë fytyrën e zeshkët të një burri që kish zgjatur kokën prej xhamit të makinës dhe më ish afruar sakaq. Kisha ndaluar këmbët ndërsa kuptova vonë se gjendesha në një kryqëzim semafori nga ku duhej të lëvizja. Nuk është këtu vendi i duhur për taxi, ma ktheu ai jo me inat. Duhet të jetë ndonjë prej emigrantëve që ka mbërritur tani në Bruksel mendova ashtu kot, që kish ardhur të eksperimentojë lirinë në këtë oaz të vogël me aq shumë forma të ndryshme jete dhe i dhashë këmbëve. Ndërsa solla ndërmend cfarë Marksi dikur kish shkruar për Brukselin, “ky qytet mbetet një utopi e kthyer në realitet. Shiko se si banorët e tij, kanë lënë mënjanë pronën private dhe paranë dhe besojnë tek kolektiviteti dhe jo tek fuqia e individit”. Ja këtu, në këtë cep të Brukselit, ndërsa ndjeva se krahët e lëshuar mbi parmakët e urës së vjetër antike mbi lumin Senne, po më ftoheshin prej erës së lagësht që frynte atypari. Aty ku djalli dhe forca e shenjtë e këtij uji që rridhte ndër shekuj nuk kishin pushuar kurrë së përleshuri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *