Naim Frashëri dhe miti pellazgjik

Nga Dorian Koçi

Krijimtaria letrare e Naim Frashërit është bërë prej shumë kohësh objekt i njohur studimi. Si një nga krijuesit dhe figurat qendrore të letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare për të janë shkruar monografi dhe studime të veçanta letrare ku janë nxjerrë në pah fillesat e krijimtarisë, talenti i tij, vështirësitë e të vjershëruarit në shqip ( në një gjuhë që arti poetik ishte lëvruar pak ose  aspak), por nuk kanë munguar edhe kritikat që në disa raste kanë shkaktuar reagim në botën shqiptare si është p.sh artikulli i njohur i Konicës në gazetën  “Dielli”, “Helm e vrer kundër idolit të ditëve tona djaloshare”në 1937.

Poezia dhe arti poetik i Naim Frashërit, ç’është e vërteta nuk ishte hera e parë që viheshin në peshoren e kritikës, parë dhe shqyrtuar nëpërmjet doktrinës së kritikës së artit për art si ishte dhe konstatimi i një prej studiuesve të parë të tij, profesor Kostaq Cipo kur shkruante se vargu i Naimit është i qartë, i lehtë , i papunuar, përkulet e jipet por hiqet edhe zvarrë. Melankolia që pështjell një pjesë të vjershës së Naimit ka fuqi të hapë një plagë në zemër, por ka dhe melhelmin me vete që të na përthajë plagën e hapur. Një gjë vetëm i mungon dekalogut estetik të Naimit, ajo që thirret lucidius orfo-renditje logjike.[1], por të rreshtuara si lumë akuzash cinike në penën e Konicës, ato morën një ngjyrim negativ. Është afërmendsh që letërsia shqipe e kohës së Rilindjes kishte një tipar propagandistik që synonte me një gjuhë të thjeshtë të realizonte zgjimin kombëtar, e prej këndej kemi edhe forma të dobëta stilistikore, por ky tipar nuk mund të zbehë vlerat e vërteta të veprës së Naim Frashërit. Prof. Shuteriqi me të drejtë ka vërejtur se me Naimin filloi në Shqipëri një periudhë e re në historinë e letërsisë dhe kulturës. Vepra e tij është si një gur themeli. Naimi krijoi një vepër poetike të gjerë e në kaq gjini, vepër që pati një ndikim aq të rëndësishëm e të paprerë mbi brezat e poetëve dhe shkrimtarëve që erdhën pas vdekjes së tij. Ajo vepër hyri ashtu edhe në bazën e gjuhës letrare shqipe, duke mbetur, edhe nga kjo anë, një vepër madhore.[2] Është pikërisht ky kontribut i paçmuar që e rendit Naim Frashërin, si poetin kombëtar të shqiptarëve, pasi vepra e tij jo vetëm që u shtri në disa gjini letrare, por duke qenë prej shumë kohësh një prej veprave bazë të leximit në shqip, u kthye në një vepër që ushqeu fidanishtet e para të shqiptarizmës. Një aspekt pak i njohur, por dhe shumë i paragjykuar më vonë nga breznitë e mëvonshme të studiuesve është pasqyrimi në letërsinë e poezinë e tij të mitit pellazgjik dhe prejardhjes së shqiptarëve prej tyre. Nuk ka munguar në shtypin e zakonshëm shqiptarë, autorë dhe historianë post Konicianë që veprat  e tij si “Parajsa” apo parathënien e përkthimit të Këngës I së “Iliadës” të Homerit, t’i paragjykojnë dhe ashtu si Konica në 1937 t’i quajnë “shtëpi të marrësh”, por përpara se të gjykojmë poezinë, pra fiction për histori, studiuesit duhet të shikojnë mënyrën sesi është përfshirë në tezën pellazgjike Naimi dhe ç’përfaqësonte në atë kohë kjo tezë për mendimin europian dhe shqiptar të kohës. Në rizbulimin që shumë figura të elitës europiane i bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve që nga fillimi i shekullit XIX dhe në vazhdim, konstruktuan nëpërmjet gjurmimeve të tyre albanologjike imazh më të qartë të tyre sesa ai që ekzistonte nga njohjet e përcipta. Në vitin 1854, konsulli i Austrisë në Janinë, Hahn botoi “Studimet Shqiptare” në të cilin ai pohonte autoktoninë e shqiptarëve, përforconte karakterin antik të kombit shqiptar, meqenëse shqiptarët e vjetër nuk ishin më ilirë,t por pellazgët, përfshinte maqedonasit në grupin pellazgo-shqiptar dhe paraqiste periudhën maqedonase si kohën e artë të kombit. Ai zbuloi po ashtu një prejardhje të përbashkët, dhe kësisoj një afri, midis shqiptarëve, grekëve dhe romakëve.[3]Po kështu, më 1857, historiani gjerman, Jakob Philipp Fallmerayer, botoi librin ‘Elementi shqiptar në Greqi”, ku sërish i bëri jehonë autoktonisë dhe origjinës pellazgjike të shqiptarëve. Sigurisht që në këto përsiatje, në një analizë historike të mëvonshme kuptohet që ka pasur një shqetësim gjeostrategjik, pasi teoria e historisë parahistorike ishte një përpjekje për të penguar pansllavizmin dhe pangjermanizmin dhe në mesin e shekullit  XIX. Sipas Dora D’Istriaskonsiderohej si një shkencë që porsa ka lindur në ditët tona dhe si të gjithë shkencat e tjera, ajo ka themele shumë të shëndosha në filologjinë dhe në mitologjinë e krahasuar, në shqyrtimin e karaktereve morale dhe fizike, në arkeologjinë primitive, në traditat kombëtare etj[4]. Pra si shikohet në mesin e shekullit XIX, origjina pellazgjike ishte një realitet pothuajse i prekshëm shkencor ndaj të cilit nuk mund të ishin indiferentë përfaqësues të rëndësishëm të elitës shqiptare, përfshirë këtu dhe Naim Frashërin. Në parathënien e përkthimit të Këngës së Parë të Iliadës nga Homeri, Naimi përmend Falmajerin dhe kur përshkruan konfliktet midis Europës dhe Azisë, nënvizon se tri her’e kanë shpëtuar nga Azia Evropënë shqipëtarëtë: Aqillehti mundi troasitë, Aleksandri i Math persanëtë, Skënderbeu tyrqitë.[5] Po kështu në të njëjtën parathënie Naimi nënvizon sërish se Irodhoti thotë se besënë grekërit’ e vjetër e muarrë nga pellasgëtë, të cilët janë, si thamë shqiptarët e vjetërërë dhe fjalëte besësë e të perëndivet i kanë rrënjëtë në gjuhëtë shqip, si Theta, deti, Afrodhit, Afërdita, se Afërdita ish Yll’ i mëngjesit; Djana, Hanë në gegënisht.[6]Pikëpamje të tilla kishte shprehur prej kohësh edhe De Rada që në vitin 1864 kur kishte botuar “Antichita della nacione albanese”. De Rada rrimerte idenë se gjuha dhe kombi shqiptar ishin më të vjetër se sa gjuha dhe kombi grek. Politeizmin grek ai e merrte thjesht si sistematizim të fesë së pellazgëve. Për ta bërë këtë, ashtu si kishte bërë dhe Krispi, ai e rilexonte Homerin duke kërkuar etimologji në gjuhën shqipe për emrat e hyjnive pellazge të marra nga grekët. Kështu për shembull Athina vinte nga shqipja e thënë, fjalë për fjalë “ajo që është thënë”, Ira vinte nga Hera dhe Dilios nga diell.[7]

Përpjekjet linguistike dhe historike të elitës kombëtare të shqiptarëve për të evidentuar origjinën e vet pellazgjike nuk duhen parë si lajthitje shkencore aq më tepër që pas vitit 1860 filluan edhe nga elita greke në një sërë shkrimesh t’i mëshohet origjinës së përbashkët pellazgjike. Në Lamia të Greqisë në 1861 doli gazeta Pellazgiotis dhe nëntitullin shqip Shqiptari dhe greku e Anastas Bykut nga Lekli. Që nga ky vit dhe në vazhdim sa herë në qiellin e Ballkanit do të shihej një konflikt i afërt greko-osman, autorë të shumtë grekë do i mëshonin tezës pellazgjike, duke synuar që nëpërmjet theksimit të origjinës së përbashkët, të kishin më të lehtë dhe afrimin midis dy popujve.

Sigurisht që kjo tentativë shkonte ndesh me përpjekjet e elitës shqiptare që krahinën e Toskërisë e shikonin në një zgjatim natyral të asaj që në Mesjetë quhej Shqipëria e Poshtme. Në këtë drejtim duhet parë edhe përkthimi i Këngës së Parë të Iliadës, i theksimit të origjinës së lashtë të shqiptarëve. Ky përkthim u realizua në prag të konfliktit greko-osman të vitit 1897, dhe Naimi dëshiron që në këtë përplasje shqiptarët të jenë të vetmit mëtonjës të origjinës dhe autoktonisë në Ballkan. Për më tepër në përkthimin e veprës ai refuzon një traditë më të hershme të shkrimit për një poemë epike në heksametër, varg 16 rrokësh dhe e përkthen në tetë rrokësh. Përse ndërron vargun origjinal të poemës Naimi? Aq më tepër që “Bagëti dhe Bujqësi” dhe “Dëshira e vërtetë të shqiptarëve” e ka në 16 rrokësh. Jemi të mendimit sesi një lexues i rregullt i De Radës, pavarësisht që më parë për të ishte shprehur se nuk e kuptonte mirë gjuhën shqipe të veprës tij, duke mëtuar origjinën pellazgjike, “Iliadën” e Homerit e përkthen në vargun e bardhë, trokaik të Rapsodisë së Poemit Shqiptar të De Radës. Ai beson se origjina e këngëve të mëtuara shpeshherë nga De Rada se i ka mbledhur nga kolonitë shqiptare në Kalabri, janë gjurmë të hershme të një poezie të lashtë të pellazgëve dhe si shkrimtar romantik që kërkon kthimin në vlerat e së kaluarës, braktis talentin e vet për të vjershëruar dhe na jep një variant të Iliadës në funksion të idesë dhe qëllimit të tij.Poezitë tradicionale të kolonive shqiptare të Italisë dhe më të hershmet të kolonive të Greqisë janë gjithashtu pa rimë; madje mungesa e rimës është treguesi kryesor i hershmërisë së tyre dhe origjinës së njëmendë popullore së tyre. Pa rimë pa strofa thotë De Gracia në lidhje me përmbledhjen e tij me këngë popullore  tradicionale italo-shqiptare-siç  është zakon  edhe në ditët e sotme edhe ndër shqiptarët më të thjeshtë , por përherë me vargje tetë rrokësh të lirë , të përzier me ndonjë shtatërrokësh dhe gjashtërrokësh; që të gjithë të marrë së bashku krijojnë një harmoni të këndshme , por monotone[8].

Teoria pellazgjike nuk mund të quhet një çështje e mbyllur, pasi në shkencë asnjëherë nuk ka debate të mbyllura përgjithmonë, ndaj rivlerësimi i çdo të dhëne historike dhe arkeologjike që zbulohet nuk bën asgjë tjetër veçse i jep një shtysë më tepër afrisë drejt së vërtetës. Kur themi se Naim Frashëri përfaqëson një nga figurat më të mëdha të kombit shqiptar kemi parasysh edhe këto dimensione të tij kulturore çka i minimizon çdo debat rreth artit të tij poetik, pasi vlera e tij për kulturën shqiptare është e patjetërsueshme dhe madhështore.

 Gazeta Shqip, 09.03.2016, fq 19

Bibliografi:

1- Ahmet  Kondo. Dora D’istria për çështjen kombëtare shqiptare.Tiranë: Flesh, 2002

2- Dhimitër.S.Shuteriqi. NaimFrashëri, jeta dhe vepra e tij. Vepra të zgjedhura , Vëllimi I, Akademia e Shkencave të RPSSH, Tiranë:1980

3- Gaetano Petrota, Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, Tiranë:2008, Almera

4- Kostaq Cipo. Biblioteka e punëtorit shqiptar. Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504-1944, mbledhur e përgatitur nga NashoJorgaqi, Tiranë:1979, Shtëpia Botuese Naim Frashëri

5- Naim Frashëri, jeta dhe vepra e tij. Vepra të zgjedhura , Vëllimi I, Akademia e Shkencave të RPSSH, Tiranë:1980

6- Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Përpjekja:2009, fq 157

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *