Mund të jesh çfarë të duash në këtë vend, përveç se femër

Nga Emirjon Senja

“Kuçedër; e përdalë; turp; ke marrë rrugët; plehrë; kuçkë; turi shapk”. Fyerjet që sapo lexuat nuk i përkasin ndonjë skenari filmi të dhunshëm, por janë komente të bëra nga shqiptarë duke filluar prej mëngjesit të sotëm ndaj nënës së dy fëmijëve që u vranë prej duarve të babait të tyre në Korrcë.

Ndoshta, disa radhë me plot emocion mbi këta njomëcakë që u vranë nga ai që kishte detyrën që të kujdesej deri në frymën e fundit për ta do ta bënin shumë më të lëxuar këtë shkrim, por nuk është ky qëllimi im. Kemi arritur në pikën që s’kemi ç’të themi më si shoqëri për makabritete të tilla.

Vrasës si ky, ku nuk u dhimbsen as pjellat e tyre po rritën pikërisht në mesin tonë dhe ashtu siç e tha edhe një kolegu ynë sot në mëngjes, edhe kafsha është shumë më tepër e mëshirshme ndaj të vegjëlve të saj.

Ajo që të bën shumë përshtypje në gjithë këtë makabritet është pikërisht reagimi i një pjesë të mirë të përdoruesve të rrjeteve sociale ndaj ngjarjes.

Duket sikur në shënjestër të sharjeve, mallkimeve e përbuzjes është nëna e fëmijeve të mitur, ndërkohë që ajo është viktimë për vete.

I gjithë lumi i sharjeve ndaj Marselës, nënës 24-vjeçare të vogëlushëve nisi pas publikimit të lajmit se ajo punonte në një lokal nate si edhe foto-selfieve të saj të hedhura në Facebook.
Shqiptari i këtyre dy dekadave e gjysmë pluralizëm të pretenduar ta fal hajdutllëkun; kurvllëkun; skuthllëkun, fal edhe krimin më të tmerrshëm, por me kushtin që autori të mos jetë e gjinisë femërore.

Ti mund të jesh kriminel, por jo kriminel-e; ti mund të jesh hajdut, por jo hajdut-e; ti mund të jesh kurvar, por jo kurvë, ndryshe të ekzekutojmë publikisht në rrjetet sociale.

Ti je i lirë të jesh çfarë të duash, mjafton që të jesh mashkull, por s’mund të jesh viktimë e kësaj shoqërie rrumpalle që kemi krijuar në këto 25 vite nëse je…femër, ashtu siç ishte Marsela../Albeu.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *