Nga Mihail Cico
Miq të Facebook!
Kam bërë disa gabime në lidhje me ju. Kam bërë ca udhëtime, ndonjë festë, ndonjë drekë. . .dhe nuk ju kam informuar. Një specialist i fb më këshilloi që mund t’i tregoj këto edhe me pak vonesë dhe gabimi falet, quhet si një lloj rrëfimi, pranohet gabimi dmth. . .
Gabimi 1- Kam bërë një udhëtim të shkurtër jashtë shtetit dhe nuk kam postuar asnjë informacion për ju, asnjë foto nga avioni. . .lere pastaj ndonjë foto nga ndonjë rrugë me drita apo me ndonjë kullë nga mbrapa, foto pa mendje kuptohet. Nuk ju kam informuar, siç bëhet zakonisht në këto raste, as për check in në hotel, as psh feeling wonderful. . .që nuk kushton asgjë, por prapë unë nuk e bëra.
Gabimi 2- Kam qenë në disa udhëtime jashtë Tirane, në një vend me det dhe në një vend tjetër me liqen. Në këto raste, ashtu siç e kërkon procedura, duhet të bëja dhe postoja ndonjë foto në mëngjes herët, ose në mbrëmje në perëndim . . . sigurisht me detin apo liqenin ne sfond. . .dhe të shoqëruar me një diçiturë shpërfillëse siç bëhet zakonish. . .psh “Një kafe për qejfin tim.” Ose. . .”ja vlen ta shijosh një ditë të bukur buzë liqenit”. . .ose të ngjajshme me këto. Unë as këtë nuk e bëra dhe e ndjej thellë gabimin kundrejt jush që nuk neglizhoni asnjëherë në raste të tilla.
Gabimi 3- Kam patur një si festë të vogël në shtëpi, jo ndonjë gjë e madhe.. .nja dy pula të pjekura njëra me pilaf dhe tjetra me jufka, një shishe verë vendi dhe dy birra. Ja kaq. Edhe një sallatë jeshile. . .se për pak e harrova. As në këtë nuk jua kam treguar me ndonjë foto ku të dukeshin pulat në tavolinë. . .vera pa dyshim në plan të parë. . .dhe ndonjë qiri, si rastësisht, sikur e kemi gjithmonë në tavolinë, kuptohet dhe të gjithë rrotull tavolinës që presin derisa të bëhet fotografia për fb pastaj të fillojnë të venë gjë në gojë. Edhe në këtë rast do duhej ndonjë diçiturë si me bezdi dmth, që nënkuptimi të jetë; “vdiqëm duke ngrënë, spo kemi kohë për asnjë dietë”. . .ose diçka e ngjajshme mospërfillëse.
Gabimi 4- Një miku im peshkatar kishte kapur nja dy peshq të mëdhenj në fundjavë dhe njërin ma fali mua.
Ne e pastruam, dhe futëm në furrë me tre kokra qepë dhe dy hudhra. Ja kaq.
Po si mu tha dora dhe nuk i bëra një foto kur nxorra tavën nga furra dhe e vura mbi tavolinë. . .!?? Nuk e di si e bëra këtë gabim. Lere kjo, por nuk i bëra asnjë foto edhe kur mbaruam së ngrëni dhe tjua konfirmoja me një foto me pjatat me halat e peshkut. Kjo e dyta, e kuptoj që është akoma më e pafalshme.
Shumë nga ju miq të fb, gabime të tilla nuk ja falni vetes dhe nuk besoj se do mi falni mua, por konsiderojeni këtë një lloj autokritike që do më kthejë në rrugë të mbarë si miqtë e mi.