Mijëra duartrokitje dhe sy të përlotur. Muzikë epike prej valleve që kërcente.
Kështu është përcjellë për në banesën e fundit valltari Rexhep Çeliku, “Nder i kombit”. Presidenti, ministrja e Kulturës, ish-ministri Bujar Leskaj, kreu i opozitës, ish-drejtori i Operës Zhani Ciko, sopranoja Inva Mula, partnerja historike Lili Cingu dhe drejtues të Ministrisë së Kulturës morën pjesë më homazhe për artistin që bëri krenar këdo.
Mbetet i pazëvendësueshëm thanë bashkëpunëtorët e nxënësit e tij, ndërsa në homazhe mori pjesë edhe Ansambli Shota nga Kosova veshur me kostume popullore.
Rrallë ndodh që të ketë kaq shumë pjesëmarrës në homazhe. Emra të njohur e publik i thjeshtë kishin ardhur për ta nderuar, ndërsa Sheshi “Skënderbeji” ishte “veshur” në zi.
Artisti u nda nga jeta dje në orët e para të mëngjesit pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.