Në kuadër të Edicionit të Njëmbëdhjetë të Festivalit të filmit për të drejtat e njeriut, IHRFFA, i cili fillon me 26 shtator deri më 1 Tetor, në Akademinë MARUBI si dhe në Akademinë e Arkivit Qendror të Filmit, do të prezantohen 45 filma nga shtete të ndryshme të botës.
Këto filma kanë si tematikë migracionin, një ndër problematikat ndërkombëtare të shoqërisë. Në këtë festival do të paraqiten edhe dy filma me produksion shqiptar, ku njeri prej tyre quhet “Brava” që tregon për një siriane që përpiqet të integrohet në familjet shqiptare.
Festivali do të startojë me filmin “Zjarr në Det” të regjizorit Gianfranco Rosi, fituesi i çmimit “Ariu i Artë” në Festivalin e sivjetshëm të Berlinit.
Presidenti i këtij Festivali Robert Wilton tha se ky festival nëpërmjet kinematografisë dhe artit të së bukurës, ka si qëllim sensibilizimin e shoqërisë për mirëkuptimin e fenomenit të migracionit dhe trajtimit të tij në mënyrë sa më pozitive.
Nga ana tjetër drejtoresha e Arkivit Qendror të Filmit, Elvira Diamanti tha se është nder që ky institucion merr pjesë për të dytin vit radhazi në këtë aktivitet ndërkombëtar.