Nga Mesila Doda
Të nderuar kolegë
Ka disa mënyra për të bërë politikë, por ka vetëm dy si të raportohesh me të. Njëra është ta bësh ballas, një tjetër pas kulisave. Unë jam një njeri që kam bërë politikë fare e re, por këtu nuk dëshiroj të flas për historinë time në politikë, thjesht dua të theksoj që kam preferuar përherë ta shoh politikën në sy dhe jo t’i vërej shpinën. Shpesh kjo mënyrë ka krijuar pengesa në rrugëtimin tim, shpesh më çonte në buzë të honit, por fal Zotit ja ku jam ende, e mbijetuar.
Kuptohet, e rëna drejt nuk është se gëzon ndonjë popullaritet në realitetin tonë të politikës apo medias. Gënjeshtra është virtyt, plagjatura është teknologjia, demagogu është personazh I ditës. Pikërisht në këto tre shtylla është ngritur ajo farë bjerrje që kanë njerëzit ndaj politikës. Falë kësaj mënyre e të parit të gjërave, e të prodhuarit politikë, sot kemi fatkeqësinë të futemi të tërë në një thes, në gjirizin që është krijuar. Kjo është arsyeja që kur i marrin mbarë politikanët përfshihemi të gjithë, sepse shumica me kostume të vjetër a të rinj, dallkaukë apo firaunë kanë prodhuar këtë ambjent të neveritshëm për qytetarët, të cilët kanë këtë ndjenjë sëkëlldie ndaj të gjithë politikës.
Por, jo. Politika është profesion, i cili si gjithë profesionet e tjera bëhet mirë ose bëhet keq, ndaj nuk dëshiroj sot të merrem me cic-micet që polli kjo foltore para një jave, kur vetë nuk isha, pasi grerëza kurrë nuk bën mjaltë, megjithëse pickon më keq se bleta.
Sot jam këtu për të folur në lidhje me një çështje thelbësore, me ndryshimet kushtetuese që po bëhen në kuadër të reformës në drejtësi. Brenda kësaj pakete pa kurrfarë diskutimi, ka hyrë edhe shtegu që të çon në martesat homoseksuale. Tani po pyes zotin Fatmir Xhafa, drejtuesin e komisionit të reformës dhe kreun e shumicës në qeveri, Edi Rama:
Përse dëshironi që votën time dhe votat e grupit të deputetëve të PDIU-së të jenë kundër? Përse na provokoni dhe përse kaq rëndë?
Gjatë gjithë këtyre muajve që kemi punuar për reformën në drejtësi ju kemi bërë disa amendamente, kemi qenë në diskutime të hapura dhe kurrë nuk vendosëm një kusht. Nuk negociuam asnjë votë të PDIU-së për reformën, megjithëse dikush tjetër do jua maste kokën me pe. Nuk e bëmë dhe a e dini pse? Sepse kemi dashur të ishim luajal ndaj një nevoje jetike të vendit. Duket mentaliteti i të fortit ka mbizotëruar edhe në politikë. Juve luajalitetin, mirësjelljen e konsideroni dobësi. Atëherë meqë është kështu mbani vesh dhe dëgjoni:
Nëse nuk e hiqni atë nen që hap udhën e martesës homoseksuale, ne vetë nuk do e votojmë dhe ashtu si ambasadori amerikan I bën thirrje ndërgjegjes së sejcilit, unë I bëj thirrje ndërgjegjes dhe formimit njerzor të çdo deputeti që të mos votojë asnjë ndryshimi që çon në ndryshimin e modelit tonë social.
Këtu nuk flitet më për ndërhyrje në ligjin themelor të shtetit, por për ndërhyrje në rendin shoqëror. Familja është bërthama e shoqërisë së sotme shqiptare. Nëse keni ndër mend të shpikni një rend të ri shoqëror në këtë vend, ne nuk na keni me vete. Përse more zotërinj duhet të na çoni tek muri për një gjë që shqiptarët në mënyrë dërrmuese e kundërshtojnë?
Përse u dashka me patjetër të përfshihen këto ndryshime kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë gjë me gjyqësorin? Jo. Me prokurorinë? Jo. Me gjykatat e larta? Jo. Vetingun, meqë e përmendni kaq shpesh? Jo. Atëherë përse ju hyn në xhep? Asnjë nga vendet tona fqinje, madje anëtare të BE-së nuk e ka një gjë të tillë. E keni në Greqi? E keni në Kroaci? Përse u dashka të jeni ju pararoja si gjeli majë plehut?
Jo, zotërinj këtu nuk na keni me vete. Këtu njerëzit po vdesin në skamje edhe prej drejtësisë së munguar, ju keni hallin si të rregullojmë shtratin e t’ja bëjmë kuti dy burrave apo dy grave.
Javën e shkuar isha në Forumin e Crans Montana në Vjenë, ku fola për tolerancën fetare dhe dhashë do shembuj konkretë që vinin nga historia e Shqipërisë. Sot, po ju them që megjithë dallimet thelbësore që kanë besimet fetare në dogmë, për këtë që po mbroj unë sot janë në një zë. Njësoj është shprehur imzot Gjergj Fendo, njësoj myftiu Ylli Gurra. Është depozituar një peticion nga komuniteti mysliman për këtë çështje dhe nuk është peticion kullerash në internet.
E di që një pjesë e deputetëve të opozitës janë shprehur që nuk e votojnë një ndryshim të tillë kushtetues. Kështu është shprehur Genc Ruli, Gert Bogdani, Sali Berisha, por dhe kryetari i tyre Lulzim Basha.
Ndaj po i drejtohem shumicës, veçanërisht deputetëve besimtarë.
Ju, Ledi Shamku që shkoni në meshë të djelën do e votonit këtë qorrsokak ku duan të fusin familjen shqiptare këta?
Ju, Fidel Ylli që shkon në teqenë e Baba Tomorrit do e votoni këtë ndryshim?
Ju, Esmeralda Shkjau që shkon në xhami të xhuma dhe që mbani Ramazan do votoni që të martohen dy burra?
Ju, Monika Kryemadhi që ke ndarë me mua Krishtlindje e Pashkë do të votoni të martohen dy gra?
Ju, Mimi Kodheli do qëndroni në këtë qeveri dhe parti që kërkon të ç’bëjë familjen? E di që nuk ke votë, por ke zë zonjë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj që i vuri kurorë pastori e që i përket ungjillorëve do u vërë të njëjtën kurorë homoseksualëve?
Nëse doni të dilni mbi Zotin tuaj bëjeni, por kur të ketë Pashkë e Bajram mos uroni më, mos bëni shënime. Nëse e keni shpirtin në mëkat mos kërkoni falje, sepse një Zot të ri po shpikni, por që për mua dhe shumicën dërrmuese të shqiptarëve është AntiZoti!
Po i drejtohem personalisht tani Edi Ramës:
Besimi nuk është sport, as hajmali dhe as lajm i rubrikës rozë. Di që kujton shpesh pagëzimin tënd të fshehtë dhe që dërgove djalin të bekohej nga Papa, sot ke përpara një zgjedhje, por që nuk e kalon dot kësaj here si shakator.
Po ju drejtohem atyre që besojnë pak, ose aspak, që janë jo praktikantë apo laikë. Ky ndryshim kushtetues që po na e imponojnë do snobë që aplikojnë për projekte hedh në erë familjen dhe familjet e tjera që dalin nga kjo familje, hedh në erë shoqërinë e natyrisht atë që ne e konceptojmë Atdhe. Nuk ka kjo lidhje me reformën, aspak, por është një tjetër eksperiment pionier që do të bëhet mbi shqiptarët. Ju kanë zgjedhur si projekt pilot. Familjet tuaja si kavje.
Nëse e doni këtë vazhdoni në udhën tuaj, ne të PDIU-së në Sodomë kemi zgjedhur Lotin.