Me kokën lart (dhe takat edhe më të larta)

Nga Iva Tiço

Kushërira ime ka dalë nga një lidhje shtatëvjeçare.

SH-T-A-T-Ë- V-J-E-T

Më në fund e kuptoi që ai tipi nuk ishte për të. Domethënë, tamam-tamam duhej ta kishte kuptuar që përpara se të martoheshin, që ata muajt e parë të njohjes, kur ai i thoshte se sa me fat ishte që kishte në krah një vajzë si ajo, ndërsa ajo ndihej në qiellin e shtatë dhe bënte dy punë njëkohësisht, sepse djali, pasi kishte lënë në mes shkollën për ekonomi, i ishte futur juridikut, duke thënë se vetëm aty e gjente veten.

E kishte kuptuar njëçik kur ai nuk stabilizohej dot në punë.

E kishte kuptuar njëfarësoj, kur, gjatë fejesës, ai kishte lënë dhe punën e tretë dhe kishte nisur të bënte njëra pas tjetrës aplikime për të emigruar në Amerikë a Kanada, pa llogaritur fare që ajo ndërkohë kishte bërë shumë hapa përpara në karrierë dhe nuk e kishte aq të thjeshtë t’i linte të gjitha për të filluar një jetë nga hiçi.

E kuptoi ca më mirë akoma, kur nja një vit e gjysmë më parë, ca kohë pasi ishin martuar, edhe pse jetonin prej kohësh në shtëpinë, këstet e kredisë së të cilës i paguante ajo, ai befas kishte nisur të ankohej për ushqimin, që nuk na gatuhej çdo ditë dhe nuk vinte i ngrohtë në tryezë, apo që edhe kur gatuhej i mungonte kjo ose ajo, apo duhej të ishte pa këtë ose me atë…

E kuptoi shumë më mirë akoma kur sherreve të gatimit iu shtua mungesa e tij e gjatë në shtëpi dhe shërbimet e shpeshta, ku çuditërisht, sa herë që kjo e merrte në telefon ai me zor përgjigjej dhe gjithmonë në sfond ishte e qeshura e koleges së tij të punës, një bjonde me rrënjët e zeza, të dala katër gisht (jo sipas tendencës të dalë vitet e fundit, të kuptohemi) e që s’i hynte në sy njeriu për ta llogaritur për rivale të mundshme.

E kuptoi që e kishte kuptuar me kohë e me vakt dhe e kishte tejkaluar, kur mesazhet e biondes-rrënjë-zezë-katër-gisht filluan të mbërrinin në celularin e tij të shtunën në mbrëmje dhe të dielën paradite dhe vetëm për punë që nuk flitej në to…

Dhe e kuptoi që durimi e ka një kufi dhe se kështu nuk shtyhej më, kur pasi vendosi të fliste me të, ai nuk ia fshehu, që kishte më shumë se një vit i lidhur me atë tjetrën.

Dhe e kuptoi që duhej të ndahej një orë e më parë me të, kur ai, në vend që t’i kërkonte të falur, i tha se ishte njëçik i shqetësuar që ajo tjetra qenkërkësh ndjerë keq gjithë këto kohë dhe vuante… Ajo VUANTE???? E kotë të themi që kushërira ime këtu e kuptoi që ai duhej flakur nga shtëpia… Por ja që teksa e ndjente që po e kuptonte, dëgjonte se si ai po i thoshte që ishte më mirë të ikte nga shtëpia dhe të ndaheshin si miq… Pastaj teksa bënte gati rrobat që do merrte me vete, i thoshte edhe që në fund të fundit kjo ishte edhe e mira e saj, sepse gjithsesi ajo kishte kohë që e tregonte se nuk e donte më. Nga e kishte kuptuar? “Ngaqë nuk gatuaje me qejf për mua. Madje nuk gatuaje gjithë javës”, i kishte thënë ai.

Ja pra, ai e kishte kuptuar dhe kishte marrë vendimin. Dhe ajo ishte ndjerë e lehtësuar. Doli të nesërmen në zyrë dhe nuk tregoi gjë. Pastaj në pushimin e kafes foli pa ndonjë dramë me mikeshën e ngushtë. Një tjetër mikeshë i erdhi për drekë dhe u trondit nga qetësia e saj: kaq mirë qenka të mbyllësh një histori shtatëvjeçare që nuk ia vlen më??? Pastaj, në mbrëmje, erdhi dhe vendimi më i guximshëm: do t’i përgatiste të gjitha plaçkat e tij, do t’ia fuste në kutira, valixhe, qese të zeza plehrash… Do t’ia paketonte të gjitha dhe do t’i shkruante që të vinte t’i merrte kur ajo nuk ishte në shtëpi, që të mos ia shihte kurrë sytë. Sytë? Ja ku i ka përpara tek fotot e dasmës, tek ai dreq album që ajo e nxjerr nga rafti, që t’ia nisë bashkë me plaçkat… Dhe aty qetësia, që ka mbajtur përgjatë gjithë ditës, kriset në qindra copa. Një e qarë me zë të lartë, që është vërtitur gjithë ditën në ajër, në kokë, në trup, madje dhe në pallton e kashmirit, por që gjithmonë kishte ngecur në grykë, më në fund shpërthen…

Epo, sado që ta kishte kuptuar që ai nuk ishte për të, ndarja është ndarje. Sidomos pas shtatë vitesh. Nuk ia vlen ta ngushëllosh. As t’i thuash që është më mirë pa të dhe se do vijë dita që ai do ta kuptojë ç’ka humbur. Nuk bën punë asgjë. Duhet lënë të qajë! Duhet lënë të kalojë atë periudhën e zisë, atë depresionin e nevojshëm, ku pyetje të tilla “Pse të më ndodhë mua?”, “Ku gabova?”, “Pse nuk di të jem e lumtur”, “Çfarë ka ajo tjetra më shumë se unë?”, më tepër sesa të japin përgjigje, të çlirojnë. Duhet patjetër të kalohet kjo fazë, sepse nëse nuk mbahet zi aq sa duhet, nuk mund të kalohet tek faza e dytë, atëherë kur fillon e kupton ç’ka ndodhur dhe nis të mbledhësh veten për të shkuar tek faza e tretë, shpagimi, kënaqësia. Sepse pikërisht një ngjarje e tillë mund të të japë shtysën e duhur që t’ia dalësh me çdo kusht të jesh shumë më mirë nga ç‘ke qenë: të bësh shumë hapa para në karrierë, që ai të të shohë nga poshtë se sa lart ke arritur; të shkosh më në fund në palestrën që s’ke pasur kurrë kohë ta ndjekësh rregullisht, se s’të kanë lejuar këmishët e tij, bërja e drekës apo dhe thjesht egoizimi i tij për të të pasur në shtëpi; ta kalosh fundjavën duke bërë trajtime bukurie dhe duke u bërë thjesht e hatashme për të dalë të shtunën në darkë e për të parë që vërdallë ka kaq shumë njerëz interesantë, që vdesin të të afrohen pak, të flasin me ty, të flirtojnë me ty… Ndërsa ti rri e mendon: “Ku dreqin kam qenë këto shtatë vjet”?!

Kushërira ime këto ditë është në fazën e dytë, duke shkuar ngadalë tek e treta. Ka nisur palestrën. Ka ndryshuar dhe ngjyrën e flokëve. Ecën kokëlartë. Duke kërcitur takat e larta. Dhe sa dëgjon dikë që thotë që i shoqi ankohet për gatimin, ia pret shkurt fare, pa pikën e mëshirës: “Po u ankua për ushqimin, e ka gjetur ndërkohë tjetrën! Jepi duart shpejt e shpejt, sa pa t’i dhënë ai”. Po që e ka mirë?! Kështu, ndoshta, kalohet direkt tek takat e larta. Pa të qarën përmidis./ Copyright Tiranapost.al

One comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *