Niels Hav
1
Është më lirë tani, po mendoj,
të shkruash me bojë, apo në kohën kur Borgesi diktonte
tregimet e tij të labirinthit në Buenos Aires?
Homeri i Argjentinës i konsideronte fjalët
si simbole për t’i ndarë me të tjerët. “Unë besoj se
estetika abstrakte është një iluzion i kotë” shkruante ai
në një nga parathëniet e tij, ku ngazëllehej me heqjen dorë
nga origjinaliteti. Duket pa shtirje. Vetëm pasi u verbua
ai arriti të kishte kontakte me sy me Xhon Miltonin
në Parajsën e Humbur të tij.
2
Dashuria të bën të verbër. Por u deshën dyzet vjet!
Dyzet vjet studime paraprake, imitime dhe shpërthime
të zemërimit kur tigri i ëndrrave arratisej. Nganjëherë ai
do të konsultohej me okulistët, secilën herë një zhgënjim.
Ai studioi Xhojsin, i cili duhet ta ketë dashur Norën, megjithëse
ai asnjëherë nuk u verbua nga dashuria. Vetëm kur Alonso Quixano
u çmend dhe e quajti veten Don Quixote, ai e braktisi librarinë e babait të tij;
dhe jo më parë se dyzet vjet pasi gjeti dashurinë në Gjenevë,
Borgesi u bë i verbër- i verbër siç u bë Bethoveni i shurdhër.
3
Ai punoi në terr dhe i latoi fjalët në mendje
derisa ato nxorën shkëndija nga metafizika e vërtetë.
“Nëse dikush është poet, ai mbetet gjithnjë poet dhe është
gjithë kohën i tromaksur nga poezia” Borgesi u ushqye
nga fati i tij i keq dhe e zëvendësoi botën e dukshme
me sagat dhe vargun e Anglishtes së vjetër, duke e kthyer
verbërinë në dhunti: Vetëm kështu ai do të shikonte njëlloj
si Homeri, vetëm kështu ai do të ishte në gjendje
të shihte thellë në errësirë, në botën e gjerë
dhe në çastin marramendës që është përjetësia.
Përkthyer nga Kujtim MORINA