Mbamë dhe njëherë mbi krahët e tu

Ngremë dhe njëherë e dashur,
dhe njëherë të fundit
pastaj le të vdes,
dua të kërcej përsëri si dikur në kohën e qershizave,
ngremë dhe mbamë
mbi krahët e tu të bukur
që nuk e shijuan botën gjer në fund,
mbamë të kërcej,
jam i dehur nga kjo këngë,
jam i dehur nga sytë e tu edhe pse të pikëlluar,
dua të të gëzoj gjer në dejet e tua
dua të gëzoj dhe njëherë si dikur,
mbamë si të jem fëmija yt,
si pjella jote në ditën e ngazëllimit,
ti më krijove duke më dhënë shumë dashuri,
këndo tani nën zë, si dikur,
rrotullomë, ti flutura ime prej zjarri,
e di që fryma tënde më mban ende në këmbë,
le të kthehet kjo dhomë në një tavernë të gëzuar,
që të kërcejmë gjer në ag
gjersa dhe ylli i fundit të shuhet…
po vdes e dashur, puthmë me gojën tënde të nxehtë
se vetëm buzët e tua më mbajnë në këtë botë,
se me ato buzë më ke treguar përrallën më të bukur të kësaj toke,
se jeta është një përrallë e ëmbël,
mbamë, hapi të gjitha dritaret dhe portën
që kalimtari i fundit i natës ta dëgjojë
se si digjet gjer në fund një dashuri,
këtu në këto udhë të botës…
L. Rama, 1 korrik 2017, Agia Ana.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *