Kryeministri Edi Rama e cilësoi të mërkurën muzeun “Marubi” një sukses ndërkombëtar dhe të parin në listën e kandidatëve për t’u zgjedhur “Muzeu Europian i Vitit” 2017.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Rama shkruan “muzeu Marubi – një sukses i bukur edhe ndërkombëtar, i pari në listën e kandidatëve për t’u zgjedhur “Muzeu Europian i Vitit” 2017, ndërkohë që ekspozita e një koleksioni të këtij muzeu në Amsterdam ka prekur numrin mbresëlënës të 60 mijë vizitorëve”.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” u përurua në maj të këtij viti. Brenda tij gjendet thesari i dinastisë së Marubëve, i cili përmbledh foto të bëra që nga themelimi i studios më 1856 dhe deri në vitin 1989. Arkiva e pasur e tij me 500 mijë fotografi e ka zanafillën 160 vjet më parë, kur një italian me emrin Pjetro Marubi u vendos në Shkodër dhe çeli të parën studio fotografike shqiptare. Këtë studio ia trashëgoi Kel Kodhelit, që për respekt të themeluesit mbajti mbiemrin Marubi. Përmes këtij thesari fotografish tregohen periudha të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.