Martin Skorceze ka lindur dhe është rritur në Manhatan, Nju Jork dhe është i biri i një siciliani të brezit të dytë, emigrant sigurisht dhe një rrobaqepës. Ka qenë kurioz i madh që në fëmijëri dhe me kinemanë vendosi marrëdhënie që herët. Madje, ka deklaruar dhe vazhdon të deklarojë se “filmat dhe feja” janë jeta e tij. Në fillim të viteve ’70, Skorceze revolucionarizoi kinemanë popullore me filma të tillë shumë të diskutueshëm si “Mean Streets” dhe “Taxi drivers” të frymëzuara dukshëm nga kinemaja franceze dhe ajo e “neorealizmit” italian. Edhe pse filmat e tij të mëvonshëm dhe për më tepër ata të fundit kanë qenë me më shumë fitim financiar si “The Departed”, “The Avatar” apo Shutter Island” janë pikërisht filmat e tij të parë që mund të konsiderohen pa frikë si filma klasikë, ato që e bënë Skorcezen të profilizohej si një regjisor shumë i veçantë dhe me një intuitë dhe stil tepër origjinal. Duke qenë se një film është mbi të gjitha një punë në skuadër, edhe Skorceze e ka pranuar dhe vazhdon që të pranojë se suksesi i filmave të tij u garantua edhe nga bashkëpunimi i madh që pati regjisori me aktorin po aq të njohur dhe me origjinë italiane, Robert de Niro. Kjo ka qenë për të dy një marrëveshje miqësie dhe pune shumë kreative. Skorceze arriti që të krijonte individualitetin e tij shumë të qartë dhe të përcaktuar. Muzika pop, sipas vetë fjalëve të regjisorit përbën edhe kolonën zanore të jetës së tij të gjatë. Kjo ka bërë që disa filma t’ua kushtojë heronjve të këtij zhanri të muzikës si të paharrueshmit “Jumpin Jack Flash” apo “Be my baby”.
Por do të duhet që të vinte viti 1980 që Martin, tashmë një emër me shumë peshë në kinematografi, të merrte edhe nominimin e parë për çmimin “Oskar” për regjisorin më të mirë. Kjo do të përsëritej edhe në filmin “The last Temptation of Christ” “Godfellas”, “Gangs of New York” dhe “The Avatar”. Por rruga drejt fitimit të statujës së artë do të ishte e gjatë. Ajo u kurorëzua me fitore në vitin 2007 me filmin ‘The Departet” dhe ishte një çmim për të cilin ai kishte pritur shumë gjatë, por që ia kishte vlejtur, sepse bëhet fjalë për një film me të vërtetë të bukur dhe me shumë jehonë. Duke qenë se fëmijëria dhe rinia e Skorcezes kaloi mes gangsterëve dhe priftërinjve, ai në filmat e tij përdori një realizëm therës, madje në disa raste më shumë se ai i filmave të Francis Ford Copolas që ka qenë edhe “mbreti” i filmave me mafiozë. Por së fundi ka prodhuar një tjetër film këtë herë të bazuar në një libër gjysmëhistorik dhe gjysmëtrillim me titullin: “The invention of Hugo Cabret”. Ky është edhe filmi i tij i parë i realizuar në formatin 3D./Pasqyre.al