Marianthi Xhako-Qemo, shuhet një nga regjisoret e para shqiptare, Kolegu: Ç’trishtim!

Regjisorja Marianthi Xhako-Qemo ka ndërruar jetë pasditen e së dielës në moshën 81-vjeçare. E vlerësuar me titullin “Artiste e merituar”, Marianthi Xhako konsiderohej si një nga krijueset veterane të ish Kinostudios “Shqipëria e re”.
“Një lajm i trishtuar! Sot pas dite miku dhe kolegu im Esat Musliu më mori në telefon dhe me gjysëm zëri më kumtoi lajmin e hidhur se regjisorja Marianthi Xhako-Qemo, Artiste e merituar, një nga krijueset veterane të Kinostudios, ndërroi jetë”, shkroi kineasti Kujtim Gjonaj.

Marianthi Xhako regjisore e filmave kronikale dhe dokumentare u lind në Berat me 2 nëntor 1936. Atje ajo kaloi fëmijërinë dhe mori mësimet e para deri në përfundim të shkollës së mesme me vlerësime maksimale.
Mbasi kreu studimet e larta për regjisurë në Institutin Kinematografik të Moskës në ish BS, në vitin 1960 filloi punë si regjisore në Kinostudion “Shqipëria e re”.
Ajo është regjisorja e parë dhe një nga më të talentuarat të dokumentarit shqiptar. Gjate karrierës se saj realizoi rreth 60 filma dokumentarë.
“Gjatë më shumë se tri dekada ajo realizoi shumë filma dokumentarë e kronikalë, ku më të spikaturit janë: “Qyteti i një mbi një dritareve”- 1959 dokumentari me të cilin Xhako mbrojti diplomën në Bashkimin Sovjetik. “Reportazh nga Kurbneshi”, “Burim i pashtershëm”, “Nënë Shqipëri” (mbi motivet e poemës me të njëjtin titull të Dritero Agollit), “Viti 1924”, “Margarita dhe Kristaqi”, “Hasan Prishtina”, “Piktori Buza”, “Tefta Tashko” dhe shume e shume dokumentare të tjerë”, shprehet Kujtim Gjonaj, duke shtuar më teje se “Në krijimtarinë e Marianthit, përveç artit dhe talentit frymëzues spikat patriotizmi dhe ndjenja e dashurisë për Shqipërinë dhe njeriun e thjeshtë”.
Për kontributin e saj ne artin kinematografik Marianthi Xhako është nderuar me titullin Artiste e merituar dhe me disa çmime në festivalet e filmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *