Nga Iris RADISCH
Me Marcel Reich-Ranickin më lidhë një histori e gjatë. Në vitin 1988 ai më dërgoi një libër për të shkruar një recension dhe më dha disa këshilla të mira për debutimin tim si kritike letrare: «Shkruani kuptueshëm dhe argëtueshëm». Atëbotë ai tashmë ishte redaktor përgjegjës për letërsi i «Frankfurter Allgemeine Zeitung», të cilit ia kishin frikën të gjithë. Kritikën time ai nuk e botoi, por këshillën e tij nuk e kam harruar.
Tri vite më vonë, kur unë tashmë isha redaktore përgjegjëse për letërsi në gazetën «Die Zeit», ai më telefononte shpesh. «E dashur, çfarë mendoni për këtë libër?» Ai donte t’i dinte gati të gjitha thashethemet: «A mos keni fjetur me Reinhard Baumgart?» Gjëra të tilla atij i interesonin po aq sa letërsia. Nganjëherë bile më shumë.
Në verën e vitit 1999 u botua autobiografia e tij «Mein Leben» («Jeta ime»). Aty ai tregon për fëmijërinë e tij hebraike në Poloni, kohën e shkollimit në Berlin, kur më 1938 arriti të kryejë maturën. Gruan e tij Teofila e njoftoi në Geton e Varshavës, së bashku ata ia dolën të arratisen. Kur e vizitova bashkë me kolegun tim Ulrich Greiner në verën e vitit 2010, pak para ditëlindjes së tij të nëntëdhjetë, libri tashmë ishte xhiruar si film. Ndonëse përherë ishte shprehur me shumë dashamirësi ndaj xhirimit («Ky film është çfarë kam ëndërruar, por s’kam guxuar të shpresoj»), tani ai na thotë në besim se në të vërtetë filmi nuk i pëlqen fare, madje se kishte qenë «një zhgënjim i madh» për të. Një radikalizëm të tillë të moshës ai e kishte treguar edhe dy vite më parë gjatë ceremonisë së ndarjes së Çmimit Gjerman për Televizion kur para kamerës refuzoi çmimin e nderit, i cili ishte paraparë t’i jepej atij. Këtë ai e bëri, ngase e konsideronte të padurueshëm «budallallëkun» që iu prezantua gjatë gala-mbrëmjes. Tek pak para fundit ai mori guximin të thoshte atë që mendonte.
Reich-Ranicki ishte një njeri që komunikonte me botën para së gjithash me telefon. Ishte si të thuash zorra që e furnizonte me atë material që e kërkonte më së shumti: risitë. Gjatë viteve të mia në emisionin e tij legjendar «Das Literarische Quartett» («Kuarteti letrar») unë nuk kam qenë e sigurt nga thirrjet e tij telefonike as ditën, as natën. Ato ndiqnin përherë një dramaturgji të njëjtë: ai ia fillonte të fliste menjëherë, pa asnjë formulë përshëndetjeje, dhe i jepte fund bisedës pak a shumë të pafundme me një «adieu» të përzemërt apo «kokën lart».
Mua më habiste që atij nuk i interesonte fare gjithë ajo jehonë publike mbi emisionin e tij. Atij i interesonin librat, më së shumti (kështu më dukej gjatë telefonatave tona të gjata) ato të Thomas Mannit dhe paksa edhe ato për të cilat do të flisnim në emisionin e ardhshëm. Ne takoheshim kur emisioni xhirohej në Salzburg, Vjenë, Berlin, Hamburg, Köln, Wiesbaden apo Travermünde. Me atë rast ekzistonte një rregull i pashkruar: para emisionit asnjë fjalë për emisionin. As nervozizëm, as fletëza me shënime. Në vend të kësaj bënim muhabet për shfaqje teatrale dhe koncerte, mbi kolegët dhe librat që po lexonim. Televizioni, fotografët, kamerat, pudra, krejt llafazanëria për të ishin praktikisht të mërzitshme.
Besoj se kjo indiferencë është si një hije nga e kaluara. Ai kishte qenë i detyruar të shohë në një shesh ngarkim-shkarkimi në Varshavë se si prindërit e tij ishin detyruar me kamxhik të hipnin në një mjet transporti për t’u dërguar në kampet e shfarosjes. Krahasuar me këtë mbrëmjet para një publiku milionësh ishin çështje dytësore. Televizioni për të ishte më shumë një rubrikë e rastësishme për prezantuar forcën e tij të jashtëzakonshme për të mbijetuar.
Sepse këtë mund ta dëshmoj: ai në telefon nuk fliste ndryshe nga emisionet e tij më të mira televizive – me plot temperament, me aq saktësi, saqë fjalët e tij mund të shtypeshin menjëherë, qartë. Ai nuk ishte vanitoz apo i vetëkënaqur. Mënyra brilante e bisedës për të ishte më e rëndësishme dhe jo buja teatrale që zhvillohej përreth tij. Nganjëherë kisha përshtypjen se pas përpjekjes së tij të pandalshme për argëtim dhe mirënjohje fshihej edhe melankolia e një njeriu, i cili në të vërtetë shpeshherë fjalosej ashpër me botën, por nuk kishte ndonjë kontakt me të. Në bisedat tona ai ankohej për vetminë e tij, ndërsa pandërprerë binte zilja e telefonit.
Këtë pasdite në banesën e tij në rrugën «Gustav Freytag» në Frankfurt unë e shihja atë për herë të fundit. Po ashtu edhe gruan e tij Teofila. Kemi zënë vend në dhomën e ditës, në kanapenë e famshme prej lëkure të zezë. Reich-Ranicki qëndron si në fron në një kolltuk që mund të lëvizet në mënyrë elektrike. Pranë vetes i ka: telefonin, telekomandën për kolltuk, telekomandën për televizor. Teofila është në dhomën tjetër dhe vizaton një grua, e cila kujdeset për të. Dhjetë muaj pas vizitës sonë ajo vdiq në moshën 91-vjeçare. Burri i saj, të cilit gjatë bisedës me ne duket se pothuaj nuk i pëlqen jeta, jetoi edhe dy vite pas saj dhe vdiq më 18 shtator 2013 në moshën 93-vjeçare në një azil pleqsh në Frankfurt.
Si jeni?
Kur plakesh jeta është e tmerrshme. Shumë e pakëndshme. Mund t’ju them se nuk është kënaqësi të jesh kaq i moshuar.
Ju keni pas vetes një rrugëtim të jashtëzakonshëm jetësor. Kur u punësuat më 1974 në gazetën «Frankfurter Allgemeine Zeitung»…
73!
Tani këtu ne po rrimë si të ishim gjyshi, babai dhe fëmija. Ju pëlqen kjo?
Për mua kjo është tepër e komplikuar. E kam shumë vështirë t’ju kuptojë.
Nxënësit tuaj po dalin në pension dhe nipat tuaj tashmë dalëngadalë kanë flokë të thinjura. Ju për një kohë pabesueshëm të gjatë e keni dominuar kritikën letrare. Cilët janë pasardhësit tuaj, nxënësit tuaj?
Weinzierl, Hage, Wittstock. (Ulrich Weinzierl, kritik letrar austriak, gazetar shumëvjeçar i «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Volker Hage, kritik letrar gjerman. Uwe Wittstock, kritik letarar gjerman).
Bie zilja e telefonit. Ai kap dëgjuesen.
Po. E dashur, isha gjatë të Petra Roth (kryetare e qytetit të Frankfurtit). A ka diçka të re? Ç’të bëjë më këtë ambasador? Ejani nesër në orën 11. Po, ai poeti ka telefonuar sërish. Ai Lentzi. Po, po, po. Nuk më pëlqejnë aq ato poezi, së paku jo për «Antologjinë e Frankfurtit» (rubrikë në gazetën «Frankfurter Allgemeine Zeitung»). Ejani në orën 11.
Mbyll telefonin. U drejtohet mysafirëve:
Kjo ishte Kathrin Fehlberg. Është shumë e mirë. Sekretarja ime. Gjermaniste. Nxënëse e Thomas Anz (profesor i letërsisë gjermane). Ambasadori holandez dëshiron të më jap një dekoratë. Në emër të Mbretëreshës. Plotësisht e panevojshme.
A ju pëlqen të lexoni ende?
E lexoj «Die Zeit», «Der Spiegel», më shpesh së më herët. Lexoj gazeta.
Ku mbeti dashuria juaj ndaj letërsisë? A i lexoni romanet aktuale gjermane?
Rrallë.
Ku qëndron shkaku: te romanet apo te ju?
Ka të bëje diçka me mua. Pyes veten: a duhet sërish të lexoj një roman?
A e keni përshtypjen se letërsia aktuale nuk u përket juve më?
Po, po, po, ashtu është.
Nuk ju mungon letërsia?
E tëra qëndron nën hijen e një fakti. Unë tani do të bëhem 90 vjeçar. Është e tmerrshme.
Kjo ua ka prishur qejfin ndaj librave?
Kjo ma ka prishur qejfin ndaj çdo gjëje. Çdo gjëje.
Sepse të gjitha këto nuk kanë ardhmëri?
Ju po shpreheni me fjalë të buta. S’ka ardhmëri! Po, ka një ardhmëri. Por ajo është vdekja. Kur gruaja ime dhe unë jemi njohur në moshën 20-vjeçare ishte pak e pritshme se ne do të mbijetonim. Kur e merrnim me mend se si do të jetë kur të arrijmë moshën 80-vjeçare… o Zot! Por nëntëdhjetë? Nëntëdhjetë! E tmerrshme, e tmerrshme.
Dhe nuk po ia dilni që jetën tuaj ta korrni si të lashtat dhe të jeni krenar mbi kontributet tuaja të mëdha dhe jetën tuaj?
Ju dëshironi nga unë që të flas mbi lumturinë. Ju dëshironi të dëgjoni, po, jam i kënaqur, kam arritur këtë, kam arritur atë. Këtë s’mund t’ua them. Kalamaj, çfarë doni?
Ju jeni kritiku më i rëndësishëm letrar i Gjermanisë. Secili shitës benzine ju njeh, siç keni qejf të thoni.
Po, kjo është e saktë. Më ka pëlqyer që më njihte çdo shitës benzine. Shumë njerëz më kanë njohur. Por kjo ka marrë fund. Ashtu ka qenë. Tani vij në zyrën time në «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Ka të rinj që s’më njohin. Kalojnë pranë meje, as nuk më shikojnë.
Ju dhemb kjo?
Më habit. Janë vetëm dy njerëz që i njoh te «Frankfurter Allgemeine Zeitung».
A i harrojnë të rinjtë të moshuarit për shkak të rrjedhës së kohës apo për shkak se nuk është më i kërkuar lloji i kritikës letrare, të cilin e përfaqësoni ju?
Ju po bëni pyetje, të cilat janë shumë të drejta, por s’mund t’ju përgjigjem.
Për dallim nga koha juaj, sot nuk varet shumë nga gjykimi i kritikës letrare. Ka ndodhur një pajtim i madh. Ju synoni diçka më shumë.
Vazhdoni! Ashtu është. Ashtu si thoni ju, ashtu është tamam. Megjithatë, unë vazhdoj të punoj. Përgatis «Antologjinë e Frankfurtit», shkruaj çdo javë kolumnen time në «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung».
Por jo me të njëjtin entuziazëm?
Jo, jo më me të njëjtin qejf. Nuk jam i lumtur. Fare nuk jam i lumtur. S’kam qenë kurrë në jetën time. Kurrë s’kam qenë. Kurrë në jetën time nuk kam qenë i lumtur. Është diçka që nuk e njoh. Ka edhe diçka që nuk e njoh. Nuk e njoh krenarinë. Të gjithë më pyesin: a nuk jeni krenar? Por fjalën krenari nuk e njoh.
A nuk keni qenë të lumtur kur jeta juaj u xhirua si film?
Ah, filmi për mua ishte një zhgënjim i madh.
A nuk po e thoni këtë për herë të parë? Ju përherë e keni lavdëruar filmin?
Natyrisht, e kam lavdëruar. Por prej këtij filmi mund të ishte bërë diçka krejt tjetër.
Çfarë ishte e gabuar, tepër argëtim?
Përkundrazi. Pak argëtim. Një film zhgënjyes. Nuk më ka prekur.
Për ju argëtimi është me rëndësi. Si shef i rubrikës së letërsisë në «Frankfurter Allgemeine Zeitung» ju keni theksuar se është me rëndësi që kritikat letrare të jenë të argëtueshme dhe të kuptueshme. Për ju lexuesi ishte tepër i rëndësishëm. Dashuria juaj ndaj letërsisë nuk ka qenë kurrë aq e verbër, saqë të mos i shihni lexuesit.
Për mua kjo ka qenë përherë me rëndësi. Këtë e kam nga kritika teatrale. Alfred Kerr, Herbert Ihreing, Siegfried Jacobsohn, Julius Bab, të gjithë këta shkruanin për publikun.
Nuk ju ka lodhur kjo, që duhet të jeni përherë i kuptueshëm?
Çfarë doni të thoni me këtë, unë kam dashur të jem i kuptueshëm. Kam dashur t’ju tregoj njerëzve se «Intrigë e dashuri» (e Friedrich Schillerit) është një pjesë teatrale shumë e rëndësishme. Se Shakespaere është një autor madhështor.
Njerëzit mund të mundohen pak edhe vetë për të kuptuar këtë.
Jo, është me rëndësi të kesh sukses me kritikë. Ashtu si me kritikën e teatrit. Alfred Kerr ka ushtruar ndikim të madh ndaj meje. Ai ka qenë interesant, i gjallë.
Bie zilja e telefonit.
Po. Po. Ah, e dashur, a është patjetër kjo. Dëgjo, këto ditë është e pamundur. Jo, jo, jo, këtë javë jam i zënë. Më merrni në telefon javën tjetër, mund të lëmë një takim. Më merrni në telefon, mirë, «adieu».
Shpesh keni thënë se karriera juaj në Republikën Federale të Gjermanisë ka qenë edhe nën hijen e antisemitizmit. A e vëreni se ndërkohë në Gjermani ka autorë të rinj, të cilët qartë përqafojnë kulturën e tyre hebraike?
Për kë e keni fjalën?
Maxim Biller, për shembull.
Për mua ai është shumë i panjohur. Dikush sapo më ka shkruar se Biller më ka përshkuar në mënyrë interesante në një libër.
Ai ka shkruar një portret tuajin në librin «Hebreu i përdorur» si tip më vete dhe individualist hebraik.
Le ta shkruajë. Le të supozojë. S’kam të bëjë asgjë me këtë. Fare, aspak. Mos harroni se hebrenjtë kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në letërsinë gjermane. Heine apo Tucholsky. Këto figura më kanë interesuar. Ose kujtojeni një njeri, i cili s’mund të më duronte, të cilin as unë s’mund ta duroja: Hans Mayer. Roli i tyre ka qenë enorm.
Ju nuk ndiheni si tip më vete?
Tani keni kujdes. Jam lindur në Poloni në lokalitetin Wloclawek. Babai im ishte hebre polak, nëna hebraike gjermane. Prindërit e mi më shumë merreshin me muzikë se me letërsi. Kam lexuar shumë, që nga fillimi. Pasi erdha në Gjermani brenda një kohe të shkurtër, shumë të shkurtër isha nxënësi më i mirë në gjermanisht. Natyrisht si nxënës i shkëlqyer i gjermanishtes në shkollë kam qenë tip më vete.
Për shkak të përkatësisë suaj hebraike, polake apo aftësive të shkëlqyera?
Për shkak të të gjithave. Si 14-vjeçar i kam çmendur arsimtarët e mi kur u thosha: kjo s’është e saktë, kështu nuk shkruan te «Fausti», kjo gjendet te «Ifigjenia». Në shkollë nuk ka pasur dallime të mëdha mes nxënësve hebraikë dhe johebraikë. Por ishte një nxënës i vetëm, ky Reichu (mendon për veten, vër. e përkth.). Ai ishte i vetmi që si askush tjetër e njihte letërsinë gjermane. Ky ishte roli i posaçëm që kisha. Kjo ishte e qartë.
A u kishte rënë në sy prindërve tuaj kjo zgjuarsi?
Nëna ime e ka vërejtur. Gjëja e parë që më ka dhuruar ishte një botim i «Wilhelm Tellit».
Ju shpesh flisni me shumë dashuri për nënën tuaj. Në autobiografinë tuaj «Jeta ime» babai juaj mbetet në prapavijë, duket si dështak. A ka qenë kështu?
Babai ka qenë njeri i mirë. Por keni të drejtë, ishte dështak.
Ju nuk dëshironit të ishit dështak.
Po, kurrsesi nuk doja të isha i tillë. Pas luftës nuk kisha profesion. Nuk kisha punë.
Atëherë ju shpëtoi letërsia.
Jo, nuk më ka shpëtuar. Nuk ka qenë fare e qartë se çfarë do të bëja. Në Varshavë kam qenë një tip krejtësisht më vete. Ishte e qartë: s’kam çfarë kërkoj në Poloni. Duhej të ikja nga Polonia. Unë u ktheva atje vetëm. Gruaja dhe djali ynë ende ishin në Angli. U ktheva me një fjalor, me një fjalor gjermanisht-polonisht, në dy vëllime. Këtu e kam, mund t’ua tregoj. Është fjalori më i mirë dhe më i vjetër gjermanisht-polonisht, nga viti 1905. Çështja kryesore ishte se nga çka do të jetoja tani? Kisha shpresë se do të jetoj, sepse i kam fjalorët. – Përse po qeshni? Këtu i kam fjalorët. Nuk i kam përdorur asnjë çast të vetëm. Përherë kanë qenë këtu, ende janë këtu.
Artikullin e parë në Gjermani pastaj e keni botuar në gazetën «Die Welt».
Po, ata e kërkuan artikullin.
Pas pak erdhët te gazeta «Die Zeit».
Atëherë isha pjesë e Grupit 47 (grup legjendar i shkrimtarëve dhe kritikëve letrarë gjermanë). Shkova shkurt (te «Die Zeit) dhe thashë mendimin tim për një aksh tregim. Pastaj Rudolf Walter Leonhardt më angazhoi menjëherë. Por redaksia s’deshi kurrë që unë të punoj në ndërtesën e «Die Zeit».
Në librin e tij mbi 50-vjetorin e «Die Zeit» Karl-Heinz Janssen ka shkruar se juve ju konsideronin «rrëmujaxhi». A dëshironi me të vërtetë që nga kjo sentencë të nxirrni përfundimin se tërë redaksia e «Die Zeit» paskësh qenë antisemite?
Jo, këtë s’dua ta them. Por më duhet t’ju tregoj një histori të çuditshme. «Die Zeit» kishte një bashkëpunëtor në Zürich, François Bondy. Atë e ftonin në konferenca (të redaksisë) në Hamburg. Një njeri nuk ftohej, një njeri s’mund të hynte aty, ai njeri isha unë. Asnjë ditë të vetme, asnjë orë nuk kam qenë në redaksi. Vinin bashkëpunëtorët nga larg, unë jetoja në Hamburg-Niendorf dhe nuk mund të shkoja (në redaksi). Mua nuk më duronin. A është ky antisemitizëm? Nuk e di.
Ishte Joachim Fest që pastaj ju bëri shef të rubrikës së letërsisë në «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Më vonë jeni prishur me të. Në autobiografinë tuaj shkruani se si Fest ju ftoi në prezantimin e librit të tij për Hitlerin në shtëpinë e Wolf Jobst Siedlerit në Berlin dhe se si juve mes mysafirëve u ra në sy Albert Speer (arkitekt dhe ministër për armatim i Hitlerit). Këtë ju ua kenë zënë për të madhe Festit dhe Siedlerit. Por ju keni mundur menjëherë t’ua ktheni shpinën dhe të largoheni.
Kur e pashë Albert Speerin, ai tashmë ishte nisur drejt meje. Wolf Jobst Siedleri e shtyu atë drejt krahëve të mi. Speer ishte i mahnitshëm ndaj meje.
A keni folur me të?
Po, kam folur.
Për çka?
Nuk më kujtohet.
Bie zilja e telefonit.
Po. Po. E dashur, gëzohem që ke ardhur. Mësove ndonjë risi? Ah, ah. Do t’i pyes zonjën dhe zotërinë këtu nëse mendojnë se kjo është e mundshme. Mirë, do të marrë nesër në telefon, «adieu».
Mbyll telefonin. U drejtohet vizitorëve:
Ky sensacion ka bërë vaki. Te (shtëpia botuese) «Hanser» në gusht publikohet një libër e autorit Gstrein, a keni dëgjuar për këtë? Thuhet se është një roman mbi botuesen e «Suhrkampit» Ulla Berkéwicz.
Edhe kjo ju intereson?
Po, diçka e tillë më intereson.
Çfarë ka interesante aty?
Çka më ka bërë ajo grua! Një figurë e pabesueshme. Ajo nuk dëshironte ta botonte më «Antologjinë e Frankfurtit» në shtëpinë botuese «Insel». 33 vëllime janë botuar. Çmenduri.
A do ta varros ajo shtëpinë botuese «Suhrkamp»?
Tani për tani e ka varrosur «Antologjinë e Frankfurtit». Por ajo tash po botohet te shtëpia botuese «S. Fischer». Berkéwicz beson se unë jam fajtor që librat e saj nuk kanë sukses. Sa shumë ka folur Unseld me mua për të! A mund të bësh diçka për Ullan, a s’mund ta marrë Ulla një çmim. (Siegfried Unseld, bashkëshorti i Ulla Berkéwicz dhe shef shumëvjeçar i shtëpisë botuese «Suhrkamp).
Por ju jeni i pakorruptueshëm?
Po, po.
A ju kujtohet emisioni «Das Literarische Quartett», ku autoren Ulla Hahn e keni kritikuar ashpër, ndonëse ishit zbuluesi i saj?
Nuk është dashur kurrë ta marrë librin e saj në emision. Kam qenë tepër i ashpër.
Pastaj emisioni i fundit legjendar me Sigrid Löffler. A nuk keni menduar më vonë se i keni bërë padrejtësi?
Jo! Nuk është dashur ta lë kurrë të jetë pjesë e «Kuartetit letrar». Një grua shumë e pandershme!
A interesoheni ende se kush e merr Çmimin Nobel për Letërsi? Çfarë mendoni për Herta Müller?
Nuk dua të flas për Herta Müllerin.
E për Elfriede Jelinek?
Çfarë ishte kjo? Letërsi? Nuk e di.
Ju e dini.
Atëherë unë nuk kam qenë aq i interesuar për letërsinë. Jelinek nuk më ka interesuar aq. Nuk më interesonte. – Ngadalë, a nuk dëshironi ta përshëndesni gruan time?
(Bie zilja e telefonit. Reich-Ranicki telefonon në dhomën e punës aty afër).
Zonja Reich-Ranicki, burri juaj na u ankua se askush s’po e njeh më, se askush nuk po interesohet për të. Por telefoni s’po ndalet.
Zonja Reich-Ranicki: Po, zilja e telefonit bie pandërprerë. Gëzohem që ai ka ende aq shumë kontakte.
Burri juaj vazhdimisht po thotë se është i vetmuar. Por s’po arrin ta mbarojë fjalinë, sepse sërish bie zilja e telefonit.
Zonja Reich-Ranicki: Shyqyr Zotit!
Reich-Ranicki: (thërret nga dhoma e punës) A mund të ndihmojë ndokush? Aparati i faksit nuk po punon.
Ndërsa vizitorët vendosin kabllon në aparatin e faksit, të cilin e kishin nxjerrë nga pakujdesia, ata vërejnë: në dhomën e punës dikur të mbushur përplot me libra shumica e rafteve janë të zbrazëta.
Zoti Reich-Ranicki! Çfarë keni bërë me librat tuaja?
Shumë prej tyre ua kam dhënë të tjerëve, ato që s’më duhen më.
(Nga libri: «Gjërat e fundit. Biseda në fund të jetës», botuar më 2015, Rowohlt Taschenbuch Verlag).
Përktheu nga gjermanishtja Enver ROBELLI/ http://dialogplus.ch/