Nga Entela Hoxha
Hiqe apo vëre burkën? Në emër të lirisë a në emër të fesë? Kujt t’i bindesh e kë të mohosh? Si është një ndalesë në emër të lirisë e si është një detyrim në emër të besimit që presupozohet të jetë zgjedhje me vullnet të lirë, a bindje e ardhur mbas një logjike të shestuar mirë?
Në Lindje e në zonat e luftës, siç është Siria a Iraku, femrat ndalohen të dalin pa burkë- shami që fsheh hiret femërore.
Imazhet që vijnë prej andej, në herët që e heqin burkën gëzueshëm, kur qytetet çlirohen nga ISIS e ato nga ‘mbulesat’, të bëjnë të mendosh për pafuqinë e mallkimin e femrës, më shumë se për seksin e bukur, sikundër e njohin poetët, e që në nënvetedije ka shërbyer edhe si si arsye mbulimi.(E bukura fshihet për t’u shpëtuar syve lakmitarë!!!)
Në Francë, femrat ndalohen ta vënë atë në plazh, madje raportohet për policë qe zhveshin femrat e mbuluara, pas gjobës që u duhet të paguajnë.
Herë në emër të lirisë e herë në emër të fesë- mes Lindjes e Perëndimit, femrat po vuajnë detyrime a ndalime, përtej vullnetit të tyre.
Një karikaturë që qarkullonte dje në mediat sociale, pyeste: Të mbulohesh a të mos mbulohesh? Mandej vijonte: Grave në Francë po ju privohen liritë në emer të lirisë, ndërsa të tjerave (në Siri) në emer të fesë.
Cilado qoftë ‘arsyeja e jashtme’ e mbajtjes së burkës dhe kryesisht njihet ajo fetare, fillesa e saj e ka zanafillën te joshja e meshkujve. Një femër mbulohet dhe e fsheh veten nga meshkujt- përtej kësaj- mbulohet për të mbrojtur veten nga mospërmbajtja mashkullore. Një interpretim kësisoj nuk mundet veçse të irritojë këdo siç mund të irritonte grupet feministe. Megjithë ‘krahasimet që çalojnë’- a nuk është njësoj siç do ngjante ngujimi ynë për t’u mbrojtur nga kriminelët?
Shoqëria ka njohur zhvillim dhe regres në historinë e saj, por kurdo e kudo, në vend që të ngujojë luanët e rrezikshëm, me hallkat e rënda të fesë, të rregullave morale a ligjore, ka ngujuar prenë.
Edhe sot, kur ne mendojmë se Franca përbën shembullin e “lirisë, barazisë e vëllazërisë”, imazhi i një gruaje që e zhveshin në plazh policë të armatosur në emër të lirisë, të shfaq imazhin e luanit të lirë e presë së tij të ngujuar. Mbase liria duhet rikonceptuar, mbase liria është zgjedhja e të tjerëve, mbase liria nuk ekziston, mbase flasim për të si për një utopi, por këto që ‘paketohen’ si të tilla, nuk janë liri./Pasqyre.al