Nga Luan Rama
Para një viti, në kohën kur ishte hapur “Panairi Ndërkombëtar i Librit” në Paris dhe e ftuar e rastit, siç ndodhte në çdo panair, këtë radhë ishte letërsia braziliane. Sigurisht, autorët e famshëm brazilianë nuk mungojnë. Ata janë me shumicë dhe me përfaqësues të mëdhenj në gjininë e romanit, por dhe në poezi. Një nga këto zëra ishte padyshim Paolo Coehlo, të cilin me aq përkushtim e ka botuar në shqip “Toena” në shumë nga romanet e tij. Dhe në fakt, pas vitit 2005, ky shkrimtar ka vazhduar me po atë energji si dhe më parë, ku çdo vit ka botuar një roman të ri. Ai është i bindur në suksesin e tij, por dhe në talentin që ka, e megjithatë duket se ai nxiton, pasi koha ecën, akrepat e kohës lëvizin pa mundur të qëndrojnë në vend, dhe shkrimtari, siç dihet, ka njëmijë projekte në kokë që do t’i realizojë të gjitha, por a mundet vallë? Sigurisht që jo! Dhe kështu ai trishtohet, por si një kristian i devotshëm, ai rikthehet në studion e tij dhe shkruan gjer pas mesnate. Krijimi bëhet kështu një mënyrë të jetuari, si të marrësh frymë. Ai e di se nga miliona kopjet e librave të tij që shiten, nuk ka rëndësi numri i tyre, por pritja e publikut dhe e kritikës. Është ajo që e vendos vendin e shkrimit të tij në letërsinë braziliane dhe të botës së sotme letrare. Këtë dhjetëvjeçar, si gjithnjë ai botoi te “Flammarion” një sërë romanesh si librat Si një lum që rrjedh, Shtriga e Portobelos, Vetmia e fitimtarit, Brida, Alef, Dorëshkrimi i rigjetur, Adultere, etj.
Sidoqoftë, kur mbaroi panairi, po kaloja në trotuarin e “Hôtel Bristol” në Paris dhe menjëherë ndalova i befasuar. Shkrimtari i njohur brazilian, autori i Alkimistit Paulo Coehlo, po dilte me nxitim nga porta e hotelit duke tërhequr një valixhe të vogël drejt taksisë që e priste përjashta. E përshëndeta instinktivisht por e pashë që nuk më njohu. E megjithatë ai është nga ata njerëz të dashur që kanë një mirësjellje të jashtëzakonshme. I stepur, duke menduar se duhej të njiheshim, ai ndaloi dhe duke kërkuar në kujtesën e tij më tha: – Sigurisht duhet të njihemi? – Po… ish ambasadori shqiptar! – Ah, – klithi menjëherë dhe u kujtua për takimet tona në Paris dhjetë vjet të shkuara! Rasti, “le hasard”, – i thashë, ndërkohë që taksisti i mori valixhen dhe e vuri në bagazh. – Po shkoj në Spanjë… shpresoj të takohemi përsëri në Paris… do të jem në dhjetor!” Takimi ynë ishte i shkurtër, pasi ai nxitonte drejt aeroportit. Kishte qenë dy javë në Tarbes, në jug të Francës, jo larg Pirenejve, ku kishte blerë dhe një shtëpi të tij në mes të një peizazhi malor plot gjelbërim dhe larg zhurmave të qyteteve të mëdha. Kishin kaluar shumë kohë dhe menjëherë mu shfaqën tri takime tona në Paris, një në panairin e librit, ku kishte ardhur me rastin kur të ftuar ishin shkrimtarët brazilianë, herën e dytë në Carrousel të Louvre-it me rastin e promovimit të librit të tij dhe hera e tretë në “Hôtel Lutecia” ku kishim kaluar dy orë të mira për një intervistë që do ta botoja në Tiranë. Në kthim, në shtëpi, mu kujtua që vajza ime, atëherë 17-vjeçare kishte shkruar për të diçka në një bllok kur së bashku kishim shkuar në atë festë të bukur që kishte organizuar botuesja e tij franceze, Anne Carrere. E kërkova bllokun dhe e lexova atë shkrim hezitues kur frëngjishtja e saj kishte nisur të merrte përparësinë mbi gjuhën shqipe. Ja çfarë shkruante ajo në frëngjisht: “Babai më mori me vete për të takuar Paulo Coelho-n dhe miqtë e tij. Ai më prezantoi me botuesen shqiptare të “Alkimistit” në Shqipëri, libër që nuk ka ecur dhe aq. Mikja e babait qëndron me ne dhe kur erdhi Paulo ajo na prezantoi me të, i cili dedikoi për ne librin “Mali i pestë”. Ai iu drejtua botueses së tij franceze për t’i thënë se jemi të ftuar nga ai në darkën që do të organizohet në një nga sallat e “Caroussel du Louvre”. Arrijmë pak vonë kur Paulo sapo kishte hapur ceremoninë. Kur arritëm, babai filloi të diskutojë me Paulon dhe botuesen e tij. Më prezantoi sërrish me të. Pastaj, gjatë aperitivit prej rreth një ore, folëm me botues të ndryshëm të Paulos nëpër botë. Pastaj Paulo dhe botuesja e tij franceze Anne Carrere, iu adresuan publikut duke folur. Fjalimi i Paulos ishte një fjalim i këndshëm për ta dëgjuar. Ai tregon një histori që flet për kushtet e ekzistencës njerëzore: “Një alpinist kishte mbetur i varur në një pemë. Nëse askush nuk e ndihmonte, ai do të vdiste. Atëherë ai nisi të klithë: Ndihmomëni”! Por askush nuk iu përgjigj thirrjes së tij. Ai klithi sërish dhe përsëri heshtje. Meqë e dinte se do të vdiste ai nis të klithë sërish: Ndihmomëni! Në këtë çast ai dëgjon zërin e Zotit që i tha: “Mos ki frikë, jam këtu për të të ndihmuar. Ti bjer nga pema dhe unë do të dërgoj dy engjëj që të të kapin dhe të të ulin në tokë. Gjithçka do të shkojë më së miri! Në këtë çast alpinisti klithi: A ka njeri tjetër këtu?…”
Kështu erdhi darka e asaj mbrëmjeje. Ishte një darkë fantastike me ato dy tavolina të mëdha zbukuruar gjithë lule. Babai shkoi të takojë gruan e Paulo-s dhe më prezantoi me të. Ajo më përqafoi. Ishte një grua shumë e dashur. Pastaj babai u takua me Paulon dhe filluan të bisedonin bashkë. Babai mu afrua me një gotë vere dhe më tha: “Merre gotën e verës dhe uroje Paulon”. Nuk guxoja, por babai nguli këmbë. Atëherë shkova. Paulo futi gishtin tek gota e tij e verës dhe bëri një shenjë që nuk e kuptova. Më qeshi dhe takuam gotat. Babai ishte i lumtur, kishte pirë ca dhe qeshte për hiç gjë. Ai iu drejtua kameramanit që kaloi pranë nesh dhe i tha: “Simpatike vajza ime, apo jo!” – Po, shumë e bukur! – tha ai dhe e drejtoi kamerën nga unë gjatë disa minutave. S’dija ç’të bëja dhe vdiqa së qeshuri. Pastaj ai u largua. Kur mbaruan të ngrënat nisi një festë e madhe. Babai po kërcente me mua kur papritur ai më la në krahët e Paulos dhe vetë mori në krahë botuesen e tij, Anne. Ishte diçka e çuditshme dhe e këndshme. Babai kërceu me Anne Carrere gjatë një çerek ore. Në fund, vetëm ata kishin mbetur në pistë. Vdiqa nga e qeshura. Paulo u thoshte të gjithëve: “Vështrojeni, është ambasadori shqiptar!” Ai qeshi me mua dhe më tha: “Babai tënd super!” (Ton papa, super!) dhe ngriti gishtin e madh. Kaluam një mbrëmje të shkëlqyer… ”
Sigurisht, duke lexuar këtë shënim të shkurtër më erdhi të qeshja dhe ndërkohë kërkova librin biografik që ishte botuar për të para pak vitesh nën titullin “Il Mago” (“Magjistari”) , dhe që hidhte dritë mbi jetën e shkrimtarit, fëmijërinë dhe rininë e tij dhe rrugën drejt famës botërore. Paulo kishte lindur në 24 gusht të vitit 1947, ditën e Shën Bartolomeut, në shtëpinë e tij në Humaita, një lagje popullore e Rio De Janeiros, por lindja e tij kishte qenë një “miracolo” pasi fëmijën e morën për të vdekur, i mbytur nga lëngjet në barkun e nënës, por nëna që e kishte parë pa frymë, menjëherë i ishte drejtuar ikonës së Shën Jopzefit duke klithur: “Shenjti im Shen Jozef ! Shpëtoma birin tim!… Shpëtoje foshnjën time të mjerë!… Dhe çuditërisht fëmija kishte ardhur në jetë… Por ajo që më kishte bërë përshtypje nga ai libër ishte një pasazh nga fundi i librit kur autori i biografisë Fernando Morris citonte një pasazh nga letra që i kishte dërguar Coelho më 24 gusht të vitit 2007, kur ishte në jug të Francës, në Saint-Martin pranë shtëpisë së tij: “… I dashur Fernando. Jam ulur këtu pranë shapelës së vogël dhe po vij të bëj ritualin e përhershëm: të ndez tre qirinj për Shën Virgjëreshën e Mëshirës: i pari që të mbrojë, i dyti për lexuesit e mi, dhe i treti që puna ime të mund të vazhdojë pa e humbur kurajën. Ka diell, megjithatë nuk bën vapë e padurueshme. Rreth meje s’ka njeri, veç gruas time që po vështron malet, pemët dhe trëndafilat që murgjit kanë mbjellë. Kemi ardhur në këmbë: dhjetë kilometra për dy orë, çka është normale. Do të kthehesha në shtëpi por duke ecur u kujtova se s’kisha shumë ujë me vete. Por s’ka gjë, në disa çaste, jeta s’të jep mundësi të tjera. Ëndrrat e mia presin dhe ato më bëjnë të të shkruaj, ja pse duhet të shkoj në shtëpi, edhe pse jam i etur. Sot jam 60 vjeçar. Dje, në orën 23.15 isha në Lourdes që ta kaloja mesnatën në shpellën e Notre-Dame-s deri në orën 0,5, kohë kur kam lindur, për të falënderuar faktin që kam jetuar dhe për të kërkuar mbrojtje për të ardhmen. Ishin çaste prekëse, por kur po kthehesha me makinë në Saint-Martin u ndjeva i vetmuar dhe ia thashë këtë gruas time. “Por ti ishe që doje të shkoje! – më tha ajo… Po, unë kisha dashur, por nuk isha mirë. Që të dy ishim të vetmuar në këtë planet të pakufishëm. Hapa telefonin dhe dëgjova mesazhin: ishte Monica, agjentja ime letrare. Shkova të flija dhe të nesërmen konstatova se s’kisha asnjë arsye pse të ndjeja atë shtypje që më bënte ai qytet. Lule, dhurata, etj, filluan të vinin. Përmes internetit, njerëzit më kishin bërë gjëra të habitshme me fotot dhe tekstet e mia. Gjithçka ishte bërë nga njerëz që në shumicën e rasteve nuk i njihja…
Përse të shkruaj? Sepse sot, ndryshe nga herë të tjera kam nevojë të madhe të kthehem në të kaluarën, jo me sytë e mia por me ato të atij që shikon ditarët e mi, miqtë e mi, armiqtë dhe gjithë njerëzit që kanë qenë të pranishëm në itinerarin tim. Do doja ta lexoja tani biografinë time, por e shoh që duhet të pres akoma. Nuk e di se si do të reagoj kur ta lexoj atë që ke shkruar. Por në shapelë, para meje, shoh një frazë që është shkruar: “E vërteta është një fjalë e komplikuar”, pasi në emër të saj, shumë krime fetare janë bërë, shumë luftëra janë shpallur, shumë njerëz janë ndëshkuar nga ata që thoshin se ishin të drejtët. Por diçka është e sigurt: kur e vërteta është çlirimtare nuk duhet pasur frikë. Dhe në fund të fundit, për këtë arsye pranova që të shkruhet biografia ime, që të mund të zbuloj një aspekt tjetër të së vërtetës. Dhe kjo do më bëjë të ndihem më i lirë. Një avion kalon lart në qiell. Një AIRBUS 380, i ri, që ende nuk është venë në qarkullim dhe që po bën një test nga këto anë. E kundroj dhe mendoj: sa kohë do të duhet që kjo mrekulli e re e teknologjisë të dalë jashtë mode? Sigurisht, ideja e mëpasshme është: sa kohë do duhet që librat e mi të harrohen. Unë nuk i kam shkruar ato duke i menduar si të përjetshme. I kam shkruar (çka nisur nga formimi yt gazetaresk dhe pikëpamjet e tua marksiste nuk do të jetë në librin tënd, sigurisht) për skutat e mia të fshehta dhe ndonjëherë të errëta, apo me dritë, që i kam zbuluar veçse kur i kam shkruar. Si çdo shkrimtar, gjithnjë kam pasur qejf për një biografi. Por është e pamundur të shkruash për vetveten pa u justifikuar për gabimet, duke venë në dukje vlerën e aksioneve të arsyeshme. Kjo bën pjesë në natyrën njerëzore. Ja pse ideja tënde për këtë libër u pranua menjëherë edhe pse e di që rrezikoj të zbuloj gjëra që për mendimin tim nuk janë të nevojshme. Por meqë ato bëjnë pjesë në jetën time ato duhet të dalin në dritë Ja pse vendosa. Shumë herë, gjatë këtyre tre vjetëve unë hap ditarët ku kam shkruar që nga adoleshenca. Edhe pse e gjej vetveten në librin tënd, e di që atje gjej veçse një pjesë të qenies time. Kur ti më intervistoje dhe kur unë isha i detyruar të shikoja rreth disa çasteve të jetës time, mendoja gjithnjë se cili do të ishte fati im nëse nuk do të kisha jetuar atë çka kam jetuar. Por tani s’ka nevojë të hyjmë në abstraksione. Chris thotë se duhet të kthehemi në shtëpi dhe se kemi ende dhe dy orë për të ecur dhe dielli është ende i fortë. Fushat janë të thata. I kërkoj asaj të presë dhe pesë minuta sa të mbaroj. Cili do të jem unë në biografinë tënde? Edhe pse nuk e kam lexuar ende, unë e di përgjigjen: do të jem ata njerëz që kanë kryqëzuar udhën time. Do të jem njeriu që zgjat dorën me besimin se kishte një tjetër dorë që priste të më mbështeste në çaste të vështira. Unë ekzistoj sepse kam miq. Kam mbijetuar sepse ata ishin në udhën time. Ata më mësuan të jap atë ç’kisha më të mirë, edhe pse në disa çaste të jetës time nuk isha një nxënës i mirë. Por besoj se kam arritur të mësoj diçka për sa i përket bujarisë. Chris këmbëngul dhe më thotë se pesë minutat kanë kaluar por unë i kërkoj sërish dhe pak kohë për të përkthyer në këtë letër një varg të Khalil Gibran shkruar para më shumë se njëqind vjetësh. Ndoshta në mënyrë jo të rregullt, pasi i kam mësuar përmendësh shumë kohë më parë, një natë të trishtë e të errët, ndërkohë që dëgjoja Simon and Garfunkel në ato aparate që ne i quanim “elektrofon” e që tashmë kanë dalë jashtë mode (siç do ndodhë dhe me AIRBUS 380 dhe natyrisht dhe me librat e mi). Janë vargje që flasin pikërisht për mundësinë që të dhurosh: “Vetëm kur ju jepni nga vetvetja, ju jepni realisht. Dhe kjo është ajo që bëhet sot, jo në kohën e trashëgimtarëve tuaj”… “Njerëzit thonë: do u jap atyre që meritojnë. Por pemët nuk e thonë këtë. Ato japin që të mund të vazhdojnë të jetojnë, pasi po t’i mbajnë ato që bëjnë rrezikojnë të shkatërrohen”… “Atëherë, mos u pandehni si njerëz bujarë në çastin kur ndani diçka me të tjerë. Në të vërtetë është jeta që ndan dhe jep gjithçka dhe se qeniet njerëzore nuk janë asgjë tjetër, veç dëshmitarë të ekzistencës së tyre”… Po ngrihem tani që të kthehem në shtëpi duke ecur. Dëshmitari i ekzistencës time… kështu kam qenë gjatë ditëve të këtyre 60 vjetëve që kam mbërritur sot. Fëmija i Jezusë me mjekër të bekoftë!… Paulo.
Coelho sot është një nga shkrimtarët më të lexuar dhe më të përkthyer në botë (në 160 vende): 150 milionë libra të shitur në gjithë botën janë një shifër kolosale, duke e kthyer atë në një lloj reference, edhe pse ai në fakt ky autor është një njeri tepër i thjeshtë, besimtar dhe mjaft bujar përmes fondacionit të tij në Brazil të quajtur “Paulo Coehlo”, duke dhënë bursa dhe ndihma për kulturën dhe letërsinë e popullit të tij. Pas librave të përkthyer në shqip nga Toena si Pelegrini i Kompostelës, Brida, Zafiri, Alef, etj, padyshim që të tjera libra do të vijnë tek lexuesi shqiptar, duke i shpalosur atij një gamë të gjerë romanesh të këtij autori.
Ndërkohë, m’u kujtua intervista me të dhe hapa bllokun tim, ku kisha shkruar:
Shkrimtari brazilian që nuk ka frikë nga kallashnikovët
Takimi me Paolo Kuelon (Coelho), autor i romanit shumë të njohur Alkimisti (bestsellers i shitur në mbi 12 milionë kopje), me këtë autor aq të spikatur në të gjithë botën, ishte një e papritur e veçantë në Sallonin e Librit të hapur para pak kohësh në Paris. Ky burrë i shkurtër, 55 vjeçar, me një mjekër të vogël dhe veshur si gjithnjë në “bluxhins”, është sot një nga fenomenet letrare dhe më mediatike në Brazil. Në Sallonin e Librit, letërsia brazialiane ishte “e ftuara e nderit” këtë vit me autorë si Jorge Amado, Fagundes Telbes, de Queiroz, Ribiero, Furtado, etj, të botuar në frëngjisht nga “Gallimard”, “Stock” apo “Anne Carriere”, botuesja e gjithë veprave të Kuelos, i cili ishte dhe i ftuari i saj special. Kuelo prezantonte këtë vit romanin më të fundit të tij Mali i Pestë, me ngjarje në shekullin e IX para Krishtit, atëherë kur Zoti urdhëroi profetin Elie të braktiste Izraelin. Kështu , heroit të Kuelos, iu desh të ndeshet me njëmijë peripeci gjersa të realizojë ëndrrën e vet, atë që Kuelo e quan me një fjalë “legjendën personale”. “Tragjedia në jetën tonë, – thotë Kuelo, – nuk është një ndëshkim, por një sfidë që njeriu duhet ta përballojë dhe kapërcejë”.
E takova Kuelon në sallonin e librit, mes asaj morie gazetarësh e fotografësh që e ndiqnin gjithnjë, pastaj ne u ritakuam në “Carrousel du Louvre” poshtë muzeut të famshëm, në një “soire” me botuesit e tij të ardhur nga shumë vende të botës, madje edhe nga Shqipëria, përfaqësuar nga botuesja e tij Brikena Çabej. Më pas, biseda ime me të vazhdoi në hotelin luksoz me njëmijë histori artistësh dhe fisnikësh të ardhur nga anët e largëta të botës, “Hôtel Lutécia”, për t’i folur publikut shqiptar rreth krijimtarisë së tij. Kuelo është një personazh që i pëlqen të dialogojë me gazetarët. Eksperienca e tij është tepër e veçantë, jo vetëm si krijimtari, por edhe si sukses botëror, pra si një personazh mjaft popullor. Vetëm libri i tij Alkimisti është botuar në 37 vende të botës dhe përkthyer në dhjetëra gjuhe, ndërkohë që në Shqipëri janë shitur veçse 300 copë. Padyshim një paradoks. Me paratë e fituara, ky milioner i botës së librit ka krijuar një fondacion “Paulo Coelho”, i cili ndihmon me bursa të rinjtë për të studiuar historinë e Brazilit, ndihmon për botimin e letërsisë braziliane në gjuhë të huaj, për restaurimin e monumenteve të kulturës, për fëmijët e varfër të Rios, ku dhe ai ka lindur. Itinerari i këtij autori, i këtij “new âge”, pra gjenerate të re të letërsisë braziliane siç e quajnë kritikët, është padyshim i veçantë dhe pasionant. Dhe sigurisht, atij i pëlqejnë sfidat.
Zoti Kuelo, ju vini në Sallonin e Librit në Paris me botimin e librit tuaj të fundit Mali i pestë. Ç’përfaqëson ky libër për ju?
“Mali i pestë” është një libër mbi të drejtën për të zgjedhur në jetën tonë, pra nga ajo çka neve na ofron vetë jeta. Jo gjithnjë ngjarjet, rrjedha e jetës janë të favorshme për atë që duam të bëjmë. Influenca e Zotit është si ajo e babait që të tregon udhën. Na përket neve të zgjedhim: do ta ndjekim atë udhë apo jo. Në jetë nganjëherë duhet të dish të luftosh edhe kundër vetë Zotit. Tek Mali i pestë në thelb është tragjedia njerëzore. Përse vallë na prek tragjedia?…
Si shpjegohet që në Sallonin e Librit ju nuk ishin në krah të Amados?
Në Brazil ekziston një Akademi Letrare, që gradualisht është kthyer në një azil intelektualësh të vjetër, të cilët nuk e lejojnë daljen e korenteve të reja. Konceptet e mija dhe suksesi im i “legjendës personale” i shqetëson ata. Por me suksesin që kam tani, nuk jam më i përbuzur nga ata edhe pse përsëri për ta nuk jam ndonjë shkrimtar i madh. Sidoqoftë, tani më konsiderojnë shkrimtar. Padyshim, një progres i madh, apo jo. Përsa i përket Amados, ai është shkrimtari im më i dashur.
A nuk ju çudit fakti që në Francë librat tuaj, në veçanti Alkimisti me dy milion kopje, ka gjetur një jehonë të jashtëzakonëshme.
-Po, pritja ka qënë befasuese dhe e mrekullueshme. Përmes Francës, vepra ime është rrezatuar edhe në vendet e tjera. Unë nuk jam një shkrimtar që flas vetëm për Brazilin, por edhe për Francën, Spanjën, Marokun, Azinë… Unë jam një brazilian me trup e shpirt. Brazili më dha fytyrën për të qenë i veçantë dhe të bëj një letërsi magjike një letërsi që është brenda jetës sonë, brenda ëndrrave dhe dëshirave tona. Pra edhe kur nuk fias për Brazilin në veprat e mia, Brazili është përsëri i pranishëm, është i pranishëm përmes meje.
Padyshim ishte Alkimisti ai që ju dha famën e një shkrimtari botëror!
Historia e Alkimisti– t është interesante. Kur më 1988 u botua për herë të parë në Brazil, për një vit, nga gjithë tirazhi i librit u shitën vetëm 900 kopje, edhe pse unë besoja shume në vlerat e mëdha që kishte ai libër. Ja pse ky fakt nuk më dëshpëronte. U ktheva tek botuesi në Sao Paolo për t’i marrë të drejtat e autorit dhe shkova në kërkim të një botuesi tjetër. Më së fundi gjeta një që pranoi të më jepte edhe njëherë shansin. Kur i thashë se të drejtat e autorit për botimet në botë i ruaja për vete ai më pa i çuditur me një buzëqeshje të lehtë.”Me siguri një megaloman”, – mendoi për mua. Ai pranoi menjëherë, duke menduar se me vështirësi do të arrinte ta shiste librin në Brazil. Kur libri doli, në botimin e dytë, në shtyp nuk pati asnjë artikull për ta përshëndetur apo ndonjë kritikë. Por pak nga pak libri nisi të shitej dhe pas tre vjetësh ai ishte në krye të listës së librave më të shitur.
A nuk ju duket i çuditshëm itinerari juaj?
Itinerari im është një shembull më vete për brazilianët.
Përse?
Sepse askush nuk besonte më parë se një shkrimtar fare i panjohur mund të arrinte një popullaritet dhe famë kaq të madhe. Ndoshta vetë Zoti më ndihmoi në një gjë të tillë.
Si kini filluar të shkruani?
Letërsia me ka pëlqyer gjithnjë. Në fillim shkruaja tekste të thjeshta këngësh, para se të bëhesha drejtor i CBS. Më vinte keq që nuk kisha kohë për të shkruar tregime. Një natë vendosa të shkruaj një roman. Kështu, më së fundi ia mbërrita qëllimit të jetës sime. Kjo më solli mjaft para. Por të nesërmen e këtij suksesi më pushuan nga puna… Historia ime është si ajo e bariut tek romani “Alkimisti”, të cilit i vjedhin paratë dhe i duhet që gjithçka ta fillojë nga e para gjersa më në fund gjen një thesar të madh.
Vallë jetoni ende me botën e atij adoleshenti?
Gjithnjë kam menduar se brenda meje jeton një fëmijë. Që të gjithë ne, duhet t’i përgjigjemi asaj fëmije që ka në vetvete pafajësinë dhe forcën. Secili nga ne ka “legjendën e vet personale”, dëshirën për të bërë diçka në jetë. Para disa vitesh, në 25 vjetorin e klasës sime të kohës së adoleshencës, shkova në festën e kësaj shkolle dhe takova miqtë e mi të fëmijërisë. Të gjithë kishin bërë diçka në jetën e tyre. Duke vështruar shkollën, m’u rikujtua dhe m’u shfaq vetvetja ime në atë moshë, pashë figurën e asaj fëmije duke luajtur diku në një cep të oborrit. Mu duk për një çast se ai fëmijë erdhi drejt meje dhe u ndal. Unë i thashë: besoj se nuk të kam tradhëtuar!
Ju flisni gjithnjë për nënën tuaj. Cili është roli i saj në krijimtarinë tuaj?
Roli i nënës sime është shumë i madh. Ishte pikërisht ajo që më vuri para një sfide, të cilën unë duhej ta mposhtja, njëlloj si heroi i romanit Mali i pestë i cili për të ngadhënjyer, i kundërvihet madje edhe vetë Zotit. Dhe Zoti, pikërisht për këtë forcë që ka e respekton atë… Më kujtohet gjithnjë nëna ime. Njëherë, kur i thashë se dua të bëhem shkrimtar, ajo më vështroi gjatë me sytë e saj bujare dhe pas një çasti me pa e trembur, sikur të doja të bëhesha astronaut e të merrja qiejt. Jo, më tha, kjo është e pamundur. Brazili ka vetëm një shkrimtar: Amadon. Por më vonë, kur u rrita, dhe lexova Amadon e kuptova se ai ishte shkrimtari më i madh dhe i jashtëzakonshëm. Megjithatë tek unë jetonte e ndezur dëshira për tu bërë shkrimtar. Atëherë mendoja: nëse ka një shkrimtar të madh, përse mos të jenë dy… E kështu u nisa në këtë kërkim pasionant, siç është letërsia. Kishte padyshim momente të trishta, të dhimbshme, zhgënjyese. Disa herë e tradhëtova dëshirën time dhe atëherë thoja se nëna ime kishte të drejtë: nuk mund të bëhesha shkrimtar. Pastaj, përsëri shfaqej dëshira ime si një yll në qiell të kaltër.
Nëna juaj jeton ende?
Jo, ajo ka tri vjet që ka vdekur. Vdiq e lumtur sepse përjetoi suksesin tim të madh. Babai është ende gjallë. Librin e parë e kam shkruar në moshën 39-vjeçare, pra shumë vonë. Atëherë thashë: s’kam zgjidhje tjetër. Nuk doja në fakt ta tradhtoja ëndrrën time fëminore. Dhe në librat e mi është gjithnjë kjo ëndërr. Jo gjithnjë duhet pritur nga Zoti. Ne duhet të ndjekim ëndrrat tona dhe të bëhemi zotër të vetvetes. Jeta nganjëherë është simbolike. Ja pse shpesh ne i ndajmë mes nesh simbolet e saj.
Por ç’mendoni për librin tuaj të parë?
Padyshim ishte një ngjarje e madhe në jetën time. Pas “Pelegrini i Kompostelës” që është libri im i parë, erdhën romanet e tjerë. E shkrova atë libër i frymëzuar nga pelegrinazhi i madh që i bëjnë njerëzit Kompostelës. Para dy mijë vitesh Krishti ka thënë: Asgjë të re nuk ka në këtë botë! Pra gjithçka mund të vesh në gojën e pelegrinëve. Ata flasin thjeshtë. Aty është vetë jeta jonë. Shenjtët kanë qenë si ne, me hallet dhe gëzimet tona. Por ata kishin virtytin të rezistonin. Kështu ishte Shën Zhak i Kompostelës.
Pasi e shkrova librin, vura re se askush nuk u interesua për këtë libër.
Shpesh shkrimtarëve ju bëhet një pyetje ndoshta e rëndomtë: përse shkruani?
Shkruaj që të ndaj eksperiencën time me të tjerët, të ndaj jetën dhe bindjet e mia. Sigurisht, më pëlqejnë tregimet e gjata, tregime që janë shprehje e frymëzimeve dhe e eksperiencave të mia. Më pëlqen që t’i bëj lexuesit të mendojnë, të mendojnë për jetën dhe të ardhmen e tyre. Më pëlqen të shkruaj në mënyrë tepër të thjeshtë. Në çdo libër që shkruaj, kërkoj të ngjiz aty gjithë dashuritë e mija, shpresat, madje pikëpyetjet që i bëj shpesh vetvetes. Ne kur shkruajmë jemi në kontakt me frymëzimin dhe ky është çasti kur atë që krijon shpirti ynë është si një gjë e shenjtë.
Vallë kjo është dhe rruga juaj për t’ju drejtuar publikut?
Sigurisht, thjeshtësia. Shumë shkrimtarë kanë frikë nga thjeshtësia. Shpesh ata kërkojnë të shkruajnë në mënyrë të komplikuar dhe nëse dikush nuk arrin t’i kuptoje, ata e vendosin veten në rangun e gjenive: e si mund të na kuptojnë kaq lehtë? Në fakt, gjërat më të thella dhe më të bukura janë gjërat e thjeshta. Thjeshtësia është rruga më direkte për t’i folur shpirtit. Në thellësinë time, siç ju thashë, dëshiroj të shkruaj me shpirtin e një fëmije, të tregoj histori që një fëmijë do të kishte dëshirë t’i lexonte.
Pra në fund të fundit ç’është letërsia për ju?
Është jeta dhe pasioni im. Ajo do të ketë jetë shumë të gjatë, me gjithë zhvillimet e mëdha teknologjike e shkencore, me gjithë kibernetikën e internetin. Letërsia është një art që ndan vlerat dhe emocionet e veta me lexuesin. Unë besoj shumë në shkëmbimin e ideve, pra në shkëmbimin shkrimtar-lexues. Ne nuk mund të jetojmë të vetmuar, ne bëjmë një jetë kolektive, i ndajmë së bashku gëzimet, hallet dhe dramat tona. Ndryshe do të çmendeshim. “Legjendën time personale” unë dua ta ndaj me lexuesit e mi.
Dhe ajo çka synoni në veprat tuaja me sa duket është universaliteti?
Është pikërisht ajo. Unë tentoj të bëj një letërsi universale, që ajo që tregoj për një popull t’i flasë njëkohësisht edhe një populli tjetër.
Si shkruani?
Shkruaj vetëm natën. Madje nuk shkruaj gjatë gjithë vitit. Zakonisht shkruaj një roman në dy vjet. Pas mbarimit të një romani, mendoj një kohë të gjatë dhe reflektoj nga jeta ime personale, njerëzit që takoj, nga vëzhgimet e mia, dhe më vonë ulem të shkruaj. Procesi i shkrimit është mjaft i shkurtër.
Kur shkruani, ju pëlqen të dëgjoni muzikë?
Jo, dua heshtje të plotë, madje shkëpus edhe faksin e telefonin. Kështu shkruaj gjer në mëngjes. Megjithatë muzika më pëlqen shumë. Nga klasikja më pëlqen shumë Mahler apo Vagner, nga varietet më pëlqen samba, muzika braziliane.
Po tani, në ç’moment të krijimtarisë suaj jeni?
Tani po përpiqem të trajtoj temën e çmendisë. Përse vallë? – mund të pyesni. Për të kuptuar atë pjesë të çmendurisë që jeton brenda nesh.
Aktualisht në botë ndodhin shumë luftëra, konflikte, ka ende shumë urrejtje. Vallë ju besoni se intelektualët mund të bëhen vërtetë një forcë që ta shtyjnë përpara shoqërinë njerëzore?
Unë besoj në forcën e intelektualëve, në forcën e shkrimtarëve, artistëve. Ata duhet të jenë avangardë. Jo të jenë një kastë të zgjedhurish si në kohët e shkuara. Unë besoj shumë në një socializëm ku të gjithëve ju ofrohet mundësia për të çarë përpara, ku të gjithëve ju hapen portat. Për mua, demokrate e socialiste janë njëlloj, mjafton që ata të jenë progresiste. Rëndësi ka t’i japësh popullit dhe shoqërisë entuziazëm.
Ç’mendoni për atë çka ndodh sot në Ballkan, për atë çka ndodhur në Bosnjë apo atë çka ndodh së fundi në Kosovë?
Konfliktet në Ballkan janë një dramë jo vetëm e popujve të Ballkanit por e gjithë popujve të botës. Mua kurrë s’më ka pëlqyer qëndrimi që mbante Europa, duke kundruar masakrën që zhvillohej ne Bosnjë. Për mua, edhe vrasja e një njeriu të vetëm është shprehje simbolike e vdekjes njerëzore, pra e shkatërrimit njerëzor. Pikërisht këtu qëndron përgjegjësia e intelektualeve, shkrimtarëve, artistëve të mbarë botës: të ngrihen në mbrojtje të lirisë dhe të të drejtave të popujve, edhe të vegjël qofshin. Ne duhet të luftojmë dhe të parandalojmë konflikte që do të sillnin tragjedi njerëzore. Duhet të bëjmë që të triumfojë paqja!
A e njihni Shqipërinë dhe a do dëshironit të vini në Shqipëri?
Njoh historinë e vendit tuaj, por kurrë nuk e kam vizituar atë. U gëzova shumë kur mora vesh se libri im Alkimisti u botua dhe në Shqipëri. Madje kur vinin në shtëpi miq të ndryshëm dhe më flisnin për suksesin e madh të Alkimisti-t, unë u tregoja librin e botuar në shqip. E jashtëzakonshme. Në fakt kam shumë dëshirë të vij në Shqipëri, edhe pse më kanë thënë se ka njerëz me kallashnikovë. Do doja të takoja lexuesit e mi, të bisedoja me studentët. Tri ditë në Shqipëri do të ishin diçka fantastike për mua. Me ç’linjë mund të vij.
Nga Roma, Athina, Vjena…
Do të vij nga Roma, madje shumë shpejt.