L’Oeil de Budelaire-Një ekspozitë për Baudelaire në Muzeun Romantik në Paris

Në Muzeun Romantik në Paris, nje ekspozitë për Baudelaire titulluar “Syri i Baudelaire” (L’Oeil de Budelaire). Dhe padyshim ne kujtojmë së pari si të thuash devizën e tij…

Charles Baudelaire

“Duhet të jesh gjithnjë i dehur: kjo është çështja e vetme. Që të mos ndjesh barrën e tmerrshme të kohës që rëndon supet tuaja dhe u përkul drejt tokës, duhet të dehesh pareshtur. Por me çfarë? Me verë, poezi apo virtut, sipas dëshirës… pra dehuni! Dhe nëse ndonjëherë në shkallët e një pallati, mbi barin jeshil të një grope ju zgjoheni, me dehjen e pakësuar ose të zhdukur, kërkojini erës, dallgës, yllit, zogut, sahatit, gjithçkaje që ikën, gjithçkaje që rënkon, që shkon, që këndon, që flet, kërkojini sesa është ora. Dhe era, dallga, ylli, zogu, sahati, do u përgjigjen: është koha për tu dehur, për të mos qenë skllevër të martirizuar të kohës, dehuni, dehuni papushim me verë, me poezi, me virtut, sipas dëshirës…»

Dhe një fragment nga njê shkrim për Baudelaire botuar më parë:
———-

Bohemi i dashurisë…

Bodleri ishte një bohem i dashurisë. Nga dashuria e parë, të tjera emra e portrete do të hynin në botën e tij: aktore, këngëtare, prostituta të zakonshme. Ishte kjo jetë që e bënte gjithashtu të këndonte, të shkruante dhe t’i thurrte himn dashurisë. Në fletoret e Bodlerit, biografët e mëvonshëm gjetën të shkruara nga dora e poetit dhe emrat e dashnoreve të tij, madje dhe adresat e tyre përkatëse dhe se cilat ishin ato: Adele, 17, bulevardi Saint Denis; Anna, 36, rruga Pigalle; Celine, 5, rruga Breda; Gabrielle, 17, rruga Neuve-Breda; Fanny, 10, rruga Jambert; Rosa, 19 rruga St.Lazare… Sot disa rrugë i kanë ndryshuar emrat e tyre, disa godina nuk ekzistojnë më. Bohemi dhe të dashurat e tij janë shuar prej kohësh. Veç emrat e tyre kanë mbetur dhe ai imazh imagjinar i poetit që shkonte sa nga njëra e dashur tek tjetra, i mbytur në trishtin e tij, sepse Bodleri në atë kohë e madje gjatë gjithë jetës së tij, ishte një nga poetët më të trishtë dhe tragjikë të asaj kohe.
I mjerë dhe gjithnjë pa para, i ndarë nga e ëma që jetonte me njerkun, funksionar politikan e më pas diplomat, i shkëputur nga bota reale, e vetmja gjë që i kishte mbetur Bodlerit ishte poezia, vargu poetik. Sidoqoftë, një femër do ta shoqëronte për një kohë të gjatë në aventurën e tij të dhimbëshme njerëzore, një mulate me emrin Jeanne Duval, e cila nga Haiti kishte zbarkuar në Paris në vitin 1842. Ishte një metise simpatike, e kolme, voluptive, por besnike ndaj dashurisë së tij. Zhanë, (Jeanne), kjo aktore që kishte luajtur disa role në teatër, shpejt do të bëhej muza e tij, apo “Venusi i zi”, siç do ta quante ai në poezitë e tij. Madje në një poezi ai e krahasonte atë me një “anije që del në det të hapët me velat e shpalosura”. Miku i poetit, piktori Edouart Manet, e pikturoi atë në tablonë e quajtur Dashnorja e Bodlerit. Pikërisht asaj i dedikohen dhe mjaft poezi të poetit si Ballkoni, Parfumi ekzotik, Flokët, Gjarpëri që vallëzon, Brerje pas vdekjes, apo Një kërmë…
Vite do të kalonin dhe Zhanë nuk do të ishte më ajo e para. Ajo tashmë ishte shëndoshur dhe nuk i kishte hiret e mëparshme. Metisja ishte gjithnjë e irrituar ndaj Bodlerit, duke e cilësuar atë si “dështak që nuk është i zoti të fitojë bukën e gojës” dhe se “ajo detyrohet tashmë të shesë vetveten për ta ushqyer dhe atë”… Jeta për poetin po bëhej një ferr i vërtetë. Para se të shkëputej përfundimisht prej saj, gjendja mes tyre ishte bërë tepër e rëndë. “Jeta me Zhanën është bërë e paduruar”, i shkruante ai të ëmës, se ajo “është në kulmin e dëshpërimit dhe se vetëm një armë i mungon”, se “ajo i hedh shkrimet e mia në zjarr dhe qentë i fut brenda në dhomë”. Dhe Bodleri kishte tmerr nga qentë… Luan Rama

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *