Libri më i rrezikshëm politikisht , për të cilin nuk keni dëgjuar kurrë!

Romani i errët e i panjohur rus që nxiti dy nga idetë më shkatërruese të shekullit të 20-të.

Nga Adam Weiner

Kur Alan Greenspan nisi karrierën e tij politike në vitin 1974, ai iu kërkoi vetëm dy personave që ta shoqëronin, gjatë ceremonisë së betimit si kryetar i Këshilltarëve Ekonomikë në zyrën ovale: nënën e tij, Rose Goldsmith dhe gurunë, Ayn Rand.
Ai do të implementonte idelogjinë e Rand të “Objektivizmit” si politikë monetare, duke u mbështetur tek aftësia e lojtarëve të tregut, për t’u vetërregulluar. Por, shumë shpejt, këto “armë financiare të shkatërrimit në masë,” siç do t’i quante Warren Buffet, do të shpërthenin duke shkatërruar planet dhe jetët e shumë amerikanëve gjatë Krizës së Madhe. Për këtë, Greenspan do të pranonte se këndvështrimi Randian kishte patur disa të meta. Por, nga vinin ato?

Ideja thelbësore e objektivizmit mbështetej në një ideologji edhe më të vjetër, të njohur si egoizmi racional: besimi se veprimet racionale, gjithmonë maksimizojnë interesin vetjak. Dhe Rand këtë ide me shumë gjasa e ka huazuar nga shkrimtari tjetër rus, i njohur si Nikolai Chernyshevsky, vepra utopike e të cilit në vitin 1863, ndonëse e përqeshur nga kritika, u kthye në frymëzim për brezin e Rand në fillim të viteve 1900…

…I lindur në qytetin Saratov në vitin 1828, Chernyshevsky ishte një ndjekës besnik i Karl Marx, Henri de St. SImon dhe August Comte, të cilët e frymëzuan me idenë e një utopie shkencore, të drejtuar nga ekspertë teknikë. Nga leximet e socialistit francez, Charles Fourier, ai huazoi nocionin e bashkësive, një projekt i përbashkët strehimi për botën e re. Ndërsa, në shkrimet e filozofit gjerman Ludëig Feuerbach, Chernyshevsky gjeti idenë e “njeriut-zot,” zëvendësimin e perëndisë nga qenia njerëzore, në një univers materialist. Ai iu shtoi këtyre edhe një përbërës sekret: “dorën e padukshme” të Adam Smith, idenë se përfitimi egoist i individit, është përfitim për të gjithë shoqërinë.

Vepra e tij “Çfarë duhet të bëhet?”, të cilën Chernyshevsky e shkruajti ndërsa gjendej në burg për propagandë, pavarësisht kaosit të ideve dhe stilit mjeran të të shkruarit, u kthye menjëherë në klasike në Rusi.
Libri bën fjalë për Vera Rozalsky, një vajzë e cila jeton me prindërit Shën Peterburgun e viteve 1850. Nëna e saj, kërkon ta martojë me një oficer të zvetënuar. Por, një student mjekësie i quajtur Dmitry Lopukhov ndërhyn për ta shpëtuar. Ata të dy martohen dhe zhvendosen në apartamentin e tyre, me rregulla të paracaktuara që garantojnë privatësinë, lirinë dhe barazinë. Kur Vera vendos të fitojë pavarësinë e saj ekonomike, ajo i bashkohet një grupi grash për të themeluar një biznes të përbashkët rrobaqepësie.
Lopukhov është i dashuruar me Verën, por ajo ushqen vetëm ndjenja miqësore ndaj tij. Kështu, ajo bie në dashuri me shokun e tij të ngushtë, Alexander Kirsanov, gjithashtu socialist si Lopukhovi. Ky i fundit vendos të dalë nga ekuacioni duke sajuar vetëvrasjen e tij të rreme, ndërsa zhvendoset në Amerikë. Lopukhovi ndihmohet nga një person enigmatik, i quajtur Rakhmetov.
Ndërsa Vera dhe Kirsanov martohen, Lopukhovi kthehet pasi është pasuruar në Amerikë nën pseudonimin Charles Beaumont, duke u martuar me vajzën e një industrialisti rus.
Stili i librit paraqet një kakofoni trullosëse. Sa herë që një nga personazhet duket se bën diçka irracionale, apo edhe më keq, bamirëse, autori ndërhyn për të spieguar se ata janë ende brenda kufijve të egoizmit racional.

Megjithatë, ajo çfarë shumica e lexuesve të Chernyshevsky-t përthithën nga libri, ishte imazhi i të mistershmit Rakhmetov. Është e qartë se ai është një lloj socialisti radikal, por Chernyshevsky nuk thotë më tepër për të. Ai paraqitet i fortë si një bogatyr (kalorës i lgjendave ruse), dhe po aq i pastër sa shenjtorët rusë. Ai fle në një shtrat gozhdësh, pa patur arsye. Shmang femrat, duke e ruajtur trupin e duke u stërvitur me siguri për terror dhe revolucion.

Romani i Chernyshevsky-t u prit fillmisht me një lloj neverie nga intelektualët rusë. Ivan Turgenev shkruajti për të: “Nuk kam njohur kurrë një shkrimtar, personazhet e të cilit qelben… Chernyshevsky më fanepset si një plak i zhveshur dhe pa dhëmbë, i cili belbëzon si foshnje.” Poeti i njohur Afanasy Fet, u shpreh i habitur nga pranimi i censorëve të carit. Ata e kishin lejuar romanin të botohej, me arsyetimin se stili i mërzitshëm i të shkruarit, thjesht do të dëmtonte kauzën revolucionare.
Gabimi ishte fatal: Pas botimit, romani nuk ngjalli vetëm kritika, por krijoi edhe një paradigmë të re sjelljeje në Rusi. Egoizmi racional, ndonëse i ndërtuar mbi themelet e determinizmit, i ushqente ndjekësir me idenë e një lirie vetjake të pafundme. Libri i tij ishte gjithashtu mjaft efikas në radikalizimin e të rinjve.
Kështu, Chernyshevsky kishte zbuluar se utopia e egoistëve racionalë, ishte socializmi, ndërsa Rand, nëpërmjet së njëjtës formulë, do të arrinte tek kapitalizmi. Në fakt, kontradikta të tilla janë vetë rregulli i egoizmit racional…

…Romanet e Chernyshevsky-t dhe Rand, u bënë mjaft popullorë dhe frymëzuan breza të tërë drejtuesish koorporatash dhe politikanësh. Ndonëse, të dy shkaktuan një reagim përqeshës dhe sarkastik mes intelektualëve të kohëve.
“Çdo diktator është mistik,” thotë John Galt, personazhi i romanit të Ayn Rand, “dhe çdo mistik është një diktator në pritje. Ajo çfarë ai kërkon, është pushtet mbi realitetin dhe mjetet që njerëzit përdorin për ta perceptuar atë.” Vetë Rand e kërkoi këtë pushtet, por pavarësisht përpjekjeve, nuk e arriti dot. Ajo priti që libri i saj, “Atlas Shrugged,” të ndryshonte botën sipas utopisë egoiste të John Galt. Dhe, kur kjo nuk ndodhi, ajo u bë më e vetmuar dhe nisi të abuzonte me drogërat./ Me shkurtime nga Politico. Në shqip: Bjorn Runa/ Pasqyre.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *