Libra shqip në burgjet e Norvegjisë

Ka disa ditë që në internet është shfaqur një video-lajm që krahason kushtet e të burgosurve në burgjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ato në burgjet e Norvegjisë.

Por përtej lajmit që përcjellë kjo video, bie në sy që nga sekonda e 16-të deri në të 18-ën e kësaj video, teksa shfaqen pamje të një biblioteke në një burg norvegjez, vërehen libra edhe në gjuhën shqipe.

Në mesin e këtyre librave mund të shquhen edhe “Kujtimet” e Ismail Qemalit, si dhe këta tituj: “Stalini në oborrin e Carit të kuq” nga Simon Sebag Montefiore; “Ballkani” nga Mark Mazower; “Libri i fluturave” i Veton Surroit; “Nga sfida në sfidë” e Behgjet Pacollit; “Kronika e zogut kurdisës” nga Haruki Murakami; “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën” nga Amos Oz etj, shkruan koha.net.

Fakti që në Norvegji, ka biblioteka burgjesh që kanë libra edhe në gjuhën shqipe, nuk ka të bëjë me nivelin e kriminalitetit të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet skandinav, por me përkushtimin e autoriteteve norvegjeze që bibliotekat e burgjeve të tyre të kenë libra në të gjitha gjuhët e komuniteteve kombëtare që jetojnë në Norvegji.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *