Mahir Domi (Elbasan, 12 mars 1915-19 tetor 2000) ishte filolog, pedagog dhe akademik shqiptar vjen përmes një letre ku rrëfen fejesën.
Letra është e 16 dhjetorit të vitit 1958 dhe në të i shkruan një miku duke i rrëfyer shumëçka.
Letërkëmbime
Mahir Domi
Tiranë, më 16. XII. 1958.
…
Si u njoftova, unë e përfundova pozitivisht çështjen time. Hoqa dorë pjesërisht nga kërkesat dhe s’e zgjata më. Më 27. XI. i dhashë fjalën të interesuarës; shkova lajmërova nesërjet motrën: më 7 dhjetor i dhamë një formë si të thuash zyrtare fejesës duke shkuar për vizitë në shtëpinë e saj. Njëdizaj qesh bashkë me Vedihanë, (të fejuarën), te ju. Ndejtëm e u fjalosëm me xha Spasen e Ilon, se Dita s’ishte aty
…Unë kam shkuar herë pas here nga shtepia, sado që këto dy javë kam qenë më të shumtën në Durrës, Kavajë me ekipin e kontrollit të mësimit të gjuhës të Ministrisë së Arsimit.
Të lajmëroj se m’u dha edhe apartamenti. Në mbrëmjen e Universitetit me rastin e festave, Rektori më premtoi si me të qeshur, se po t’i lajmëroja fejesën, do të më gjente menjëherë apartament. Këto dy ditë m’u njoftua se m’është caktuar një apartament në ndërtesën kundrejt Dajtit, pranë parkut të Rinisë. Pres që të dal në apartamentin e ri, që i është dhënë, banuesi i tij, i vëllai i Selim Islamit.
Për të ardhur aty ndonjë ditë, kam një farë shprese. Mendohet që nja dy redaktorë të Historisë së Letërsisë ose që të tre të vimë e të konsultohemi me specialistët për disa probleme të tekstit përkatës.
Ziaudini (Kodra) është mirë. Edhe sot u pamë. I tregova ç’shkruaje ti për të. Të ka shkruar. Me gjith atë thotë se s’ka të drejtë të kërkosh shumë prej tij në punë letrash, edhe ti, kur ishte ai në Çekosllavaki, s’ke qenë fare në rregull. S’ia besoje atëhere ti mallin që duhet të ndjente larg njerëzve të tij e shokëve e gëzimin që mund t’i sillte një letër e marrë prej teje. Ke shumë të fala.
Hydajeti (Ceka) me Nebilen janë mirë. Kartolinën e kanë marrë.
A ke nevojë për ndonjë libër a gjë tjetër? Revistat Nëntori e Buletinin për Shkencat Shoqërore, besoj se i merrni. Më shkruaj në se të duhet gjëkafshë.
Në këtë fund viti a simestri më kanë kapulluar punët e s’di se si do të dal. Puna individuale shkencore më ka mbetur mjaft prapa.
Simvjet këtu s’po bën fare dimër. Në përgjithësi ka qenë kohë e mirë, herë-herë ka pas shi, po jo ftohët.
Nga Qemali (Haxhihasani), Liraku (Dodbiba), Koçoja (Bihiku) e shokët e tjerë ke shumë të fala. Janë mirë.
Ime motër dhe Dyli (Abdyl Kajanaku) janë mirë dhe të bëjnë shumë të fala. Motra qe nja 4-5 ditë këtu, me rastin e fejesës sime. Do të vijë përsëri bashkë me Dylin në janar, kur edhe do të bëj formalitetet e celebrimit.
Kur qeshë për një ditë në Shkodër, shkova e u takova me Jupin (Kastrati). Ishtë mbyllur në vetvete, i mërzitur, i dëshpëruar… U dëshpërua edhe më tepër kur mësoi prej meje se edhe veprat gjuhësore të Mjedës t’edituara prej tij që qenë duke u botuar prej Ndërmarrjes, iu lanë për t’iu referuar Universitetit. U përpoqa t’i ap zemër, po ishte shumë i mërzitur. I fola mjaft për punë të provimevet. Të shohim në se do ta mbajë fjalën tani në sezonin e janarit…
Mbrëmë qeshë, bashkë me të fejuarën edhe te Hydajeti (Ceka). Si ai, si Nebilja të bëjnë të fala.
Të puth e të përqafoj me mall
Mahiri.
Për Vitin e Ri 1959 të urojmë shëndet, gëzime në familje e suksese në punën tënde krijuese…
Mahiri, Vedihaja, Avniu.