Nga Flavio Qarri
Timo ti je gjallë! Je mirë me shëndet! Ndryshe nga shqiptari i zakonshëm bashkëmoshatar i yti ti je edhe në formë fizike të mirë. Timo je legjendë. Dhe Timo, unë i urrej komplimentet. Nuk i dua kur m’i bëjnë, imagjino anasjelltas. Ka vite që nuk shkruhen më letra vërdallë e unë këto rreshta nuk do i postoj. Jeta e do që njerëzit të vdesin. Disa madje mirë bëjnë, do ish dashur më herët. Por heronjtë janë si moda e disa bëhen demode shpejt. Por vlerat e një kombi përcaktohen nga emblemat njerëzore në fushat e jetës dhe unë nuk mund të lejoj që të kujtohet hapësira virtuale për ty kur të kemi vetëm një fotografi. U preka nga largimi i Demir Hyskës. Kontrollova arkivat dhe kish kushedi sa vite pa u ftuar në asnjë studio televizive. Madje nuk u prodhua asnjë emision, veç kronikave të lajmeve dhe fjalëve të rastit. Më pëlqen të mendoj se nëse vdekja më troket do iki me zhurmë e me flakë. Hej bela, mund të jetoj në heshtje, por kurrsesi të iki urtë. E si ndodh që dëgjoj kaq rrallë për ty? E si ndodh që dikush mund të harrojë Timo Fllokon. Madje nuk më pëlqen as kur thonë studentët e tu “presor Timo”. Dreqi e mori, është Timo Flloko. Dhe sikur vetëm interpretimin e “Anës Lumenjve” të kishe në repertor dhe kusurin në zanat tjetër, prapë do meritoje pension të veçantë. Dua të të bëj një homazh për së gjallë në respekt të perceptimit publik që gëzojmë sot rreth asaj se çfarë është një artist. Unë kam intervistuar shumë syresh dhe besomë shumë punojnë si artistë, por nuk janë të tillë. Dua të të falenderoj nëse sot kemi një imazh të prekshëm dhe diçka për t’u treguar brezave se çfarë ndodhte në këtë vend krahas bunkerizimit. Unë kam një problem psikologjik Timo. Sa herë që asistoj ndonjë artist a gazetar që bën publikisht ndonjë shfaqje ordinere, apo interpretim mediokër, apo pyetje banale, më kap një ndjenjë e frikshme turpi, sikur e kam bërë unë atë gafë. Dhe mund të rishoh çdo sekondë ku je ti e të jem i qetë. Të jem dhe krenar me ndonjë mik të huaj. Krenaria! Më ndihmo Timo. Kam nevojë për një vepër arti. Kush jemi ne sot e shpjeguar përmes më të mirëve të momentit? E di që do mendohesh gjatë e nuk do më përgjigjesh dot në fund. Por ti je gjallë. Dhe sikur të kishe një trashëgimtar të denjë për fronin e përbashkët që ndan me zotat e tjerë të Olimpit të artit shqiptar prapë do këmbëngulja që ti të ishe në qëndër të vëmendjes. Ka shumë llum në sipërfaqen e trazuar të kohës sonë. Është koha të të gëzojmë për aq sa të kemi e për aq kohë sa ka ende sens dhe shije në mendjet e publikut. Dhe kjo letër nuk është vetëm për ty, por për të gjithë ata njerëz që janë sfilitur korridoreve të teatrit, shesheve të xhirimit në përpjekje për të qënë esenca artistike e një vendi dhe ndërgjegja e tij njëkohësisht!
Sqarim: Gjithçka që shkruhet më sipër, është qëndrim personal i gazetarit Flavio Qarri./ Me të drejta botimi nga revista Who.