Leonard Cohen-Sulltani i joshjes, “Kumbari i trishtimit”: Poezia si afrodiaziak, shkruaja që të bëja për vete femrat

Nga Ray Connolly/ Daily Mail

Leonard Cohen ishte poet, këngëtar, romancier, cigan, hebre e murg budist dhe mandej i preferuari i zonjave!

Kur lajmi i vdekjes së tij u bë publik nga i biri, Adami, në Los Angeles, një pjesë e vogël e romancave të tij u zbuluan edhe për botën.

Në moshën 82-vjeçare, Cohen po punonte ende shumë, duke e ditur se nuk do ta kishte të gjatë.
Në muajin korrik, kur mësoi se e dashura e tij e dikurshme dhe muza e tij Marianne Ihlen, qe afër vdekjes, Cohen i shkroi një letër lamtumire, duke i thënë se mendonte që do ta ndiqte pas së shpejti.
“Lamtumirë, mike e vjetër”, shkroi ai. “Dashuri e pafundme. Shihemi përgjatë rrugës”- fjalë që mund të shkruhen për të nga fansat e tij sot. Shumë prej këngëve të tij, qenë kaq intime e kaq të ndjeshme, sa ai për shumëkënd, është një mik i vjetër dhe i dashur.

E, për ata që ndoshta e keqkuptuan: atë botë të lodhur të tijën, atë botë melankolike, atë ton të thellë të zërit që e bëri “Kumbar të trishtimit”, për ata që menduan se Cohen, pat luftuar me depresionin gjithë jetën e tij- kjo është një përshtypje e rreme.
Pas atij imazhi të trishtë, ishte një njeri gazmor, siç mund ta zbuloje menjëherë kur e takoje, që herën e parë, madje edhe para se të bëhej i famshëm, diku në vitin 1968.

Atëkohë, au sapo kishte bërë albumin e tij të parë dhe qe kthyer në Londër.

Ishte tashmë 33 vjeç. Mund të dukej pak i madh për të hyrë në botën e muzikës dhe madje të jepte përshtypjen se ishte lektor në ndonjë universitet. Ishte krejtësisht ndryshe nga ç’është treguar nga të tjerët më pas.
Cohen lindi në Montreal, në një familje, që kishte në pronësi një dyqan veshjesh e shpesh më thoshte: “Jam rritur si Mbretëresha, duke besuar se ishte e panevojshme të shqetësohesha për paratë”.

Kjo situatë e bëri atë pjesë të jetës letrare, për herë të parë në Kanada dhe më pas në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork, derisa iu kërkua të largohej pasi shkroi një dizertacion për librin e tij të parë me poezi. E zgjodhi vetë dhe bënte shaka e thoshte, se “është i vetmi libër që do të lexoj”.

Unë, doja të dija se pse kishte dëshirë të shkruante poezi Cohen.

Përgjigja e tij ishte: për të treguar. “Sepse”, tha ai, “ishte pjesë e joshjes”. “Unë mund të jem dukur krejtësisht absurd, sepse i kam shkruar të gjitha poezitë e mia për femrat duke menduar se ishte mënyra e duhur për t’iu afruar atyre. Kështu, papritmas, më morën shumë seriozisht si poet, kur me të vërtetë kam qenë një lloj kurvari – dhe jo një nga ata që ishin shumë të suksesshëm, pasi të suksesshmit nuk kanë nevojë të shkruajnë poezi për të bërë për vete vajzat”.

Thoshte se ishte (dhe e thoshte duke buzëqeshur) “romantik, njeri i shthurur dhe dashnor i grave”. Gratë, këmbëngulte, kishin kontrollin. “Çdo gjë që një burrë bën, e bën për t’ia treguar një gruaje, qoftë kjo një betejë, një këngë apo shkrirja e dy kompanive të mëdha.

“Një ditë, ai burrë vjen në shtëpi dhe thotë: Shih çfarë kam bërë”.

Në të 20-at e tij, pati nevojë për para, ndërsa jetonte si bohem me një shumë modeste që i jepte familja e tij.

Në fillim ishte në Londër, më pas shkoi në ishullin grek Hidra, ku falë një trashëgimie të vogël nga gjyshja bleu një vilë të drunjtë e të bardhë, në fillimin e viteve gjashtëdhjetë.

Ishte atje e në atë kohë që u njoh me gruan mitike tashmë- Marianne. Tanimë e ndarë nga jeta, ajo u bë e pavdekshme përrmes një kënge që ka emrin e saj. Cohen pat thënë se ajo ishte gruaja më e bukur që kishte parë ndonjëherë.

“Mariane kishte një fëmijë të vogël tre muajsh, ndërsa i shoqi sapo kishte rënë në dashuri me një vajzë amerikane. Takova të shoqin dhe i thashë se nëse ai kishte ndërmend të rrinte me amerikanen, unë doja të jetoja me Marianen. Pas shumë pijesh çdo gjë shkoi siç duhej”.

Mariannës, megjithatë, së shpejti iu desh të pranonte nevojën e të dashurit të saj të ri, për gra të tjera. Më vonë, ajo do ta kërcënonte me vetëvrasje, por kjo nuk ishte mënyra sesi Cohen e shihte.

“Ajo e di natyrën time”, më tha ai, – “e di se çfarë dua, sepse edhe ajo tërhiqet nga meshkuj të tjerë”.

Ishte sigurisht e bukur, siç mund të shihet në fotografi, e mbuluar vetëm me një peshqir të bardhë, në kopertinën e pasme të albumit të dytë të Cohen-it. Edhe pse lidhja e tyre nuk zgjati shumë, miqësia zgjati një jetë.

Më pas, bota u zgjua dhe filloi ta donte këtë poet-këngëtar, që përziente erotizmin me imazhet e Dhiatës së Vjetër, kërkimin e shpirtit me shakatë, e do të kishte më shumë femra që do të binin në dashuri me të. Poezia ishte afrodiziak.

Disa prej tyre ishin të famshme, si Joni Mitchell; pati edhe zgjedhje të habitshme, si ajo me Janis Joplin në hotel “Chelsea” në Greenwich Village, moment që e vuri në një klip.
Pati edhe lidhje të gjata, si dhjetë vitet që kaloi me gruan e tij-Suzanne Elrod, nënën e dy fëmijëve të tij, dhe më vonë me aktoren Rebeca De Mornay. Ato, dështuan sepse Cohen thjesht “nuk mund të rrinte në një marrëdhënie”.

Nuk mund të përballej si duhej me pijen, nuk qe i huaj me drogërat, të cilat edhe mund ta kenë ndihmuar të shkruajë, ndërsa alkooli e ndihmonte për t’u ngjitur në skenë e për të dalë para publikut.

Në vitet 1980, disqet e tij nuk po shiteshin. Hyri ne një manastir budist në Los Anxhelos dhe qëndroi për pesë vjet.
I hipnotizuar nga feja – e njihte mirë Krishtërimin e Hinduizmin – te Cohen, Budizmi nuk ishte gjithaq një besim sa ç’ishte një disiplinë. E gëzoi atë përvojë, duke jetuar në një kasolle, i pa shqetësuar për mallrat e kësaj bote. Madje, u bë murg budist. Iu desh ta linte këtë parajsë, kur një ditë u zgjua pa një dyshke, pasi menaxherja e tij bëri lëmsh 5 milion $ kursime të këngëtarit. Edhe pse para se të vdiste e kish fituar gjyqin, ende nuk i kish marrë paratë.

Me familjen mbështetje, nuk kishte alternativë tjetër, vetëm të kthehej në punë me turne.

Fundi i jetës së tij qe i qetë, i dhënë pas jetës familjare e pas librave, në një apartament në një shtëpi dy-katëshe të një pjese të futur të Los Angeles, me vajzën e tij dhe fëmijët e saj që jetonin pranë dhe të birin jo shumë larg.
Ishte, siç tha kohët e fundit, njeri i rregullt, që donte të ndreqte çdo gjë para se të vdiste. Por, pa dyshim, do të ketë qindra poezi dhe tekste të papërfunduara, sepse kurrë nuk ndaloi së shkruari.
Në shumë mënyra, Leonard Cohen ishte i pazakontë, i veçantë, unik, me magjepsjen e tij për fenë dhe përkushtimin si shkrimtar./Pasqyre.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *