Kush e përfaqëson publikun, politikani a gazetari- e për interes të kujt?

“Burimet e financimit mbeten okulte ose nuk vijnë nga shitja e produktit mediatik. Rrallë kanë kufij të qartë mes pronarit dhe redaksisë. Gazetarët punojnë në të zezë”

 

Nga Çapajev Gjokutaj

Më ka rastisur jo një herë të shoh diçka të tillë: Në studion televizive intervistohet një deputet, ministër, kryeministër a president.

Gazetari tregohet këmbëngulës, i rreptë, gati-gati i pasjellshëm, në kufijtë e arrogancës. Kur politikani ia vë në dukje këtë, gazetari ia kthen se ushtron të drejtën e vet, është përfaqsues i interesit publik.

Kush e përfaqëson publikun? Politikani që është votuar nga disa mijëra votues, – thenë ndryshe disa mijëra qytetarë i kanë deleguar të drejtën t’i përfaqësojë -, apo gazetari që kërkush nuk e ka votuar?

Në fakt kjo çështje është e ngatërruar edhe në rang global. Në Shqipëri kokolepset e bëhet lesh arapi.

Gazetarët kanë rol të pazëvendësueshëm për të bërë transparencën e qeverisjes, për të nxjerrë në dritën e diellit politikanë dhe shtetarë abuzivë e të korruptuar, me bëmat dhe gjëmat e tyre.

Por media është pushtet. I katërti thonë. Dhe si çdo pushtet duhet të jetë i balancuar dhe i kontrolluar.

Ndryshe, ne si publik nuk dallojmë dot përse militojnë gazetarët. Për interesin publik, apo për interesat e bosëve të tyre. Për ego personale, apo për ndonjë tender, leje ndërtimi a gjëkafshë tjetër.

Këto pyetje bëhen më legjitime në kushte kur pushteti i katërt ka shtrëmbërime strukturore, që priren ta bëjnë rakitik dhe të paaftë për t’i shërbyer interesit publik. Shtermbërime në shtyllën kurrizore apo në gjymtyrë.

Fjala vjen, mediat tona kanë probleme të pronësisë: jo rallë janë aksionere në letër dhe individuale në realitet. Burimet e financimit mbeten okulte ose nuk vijnë nga shitja e produktit mediatik. Rrallë kanë kufij të qartë mes pronarit dhe redaksisë. Gazetarët punojnë në të zezë e të kujtojnë mëditësin që rri sus përpara pronarit e përpara shefit etj. etj.

Mund të dalë dikush e të thotë se nuk duhen ngatërruar përparësitë. Politika dhe shteti kanë kusure shumë më të mëdha se media. Ndaj duhet të përkrahim të keqen më të vogël.

Kjo taktikë është frytdhënëse për një betejë guerile, por jo për një luftë totale siç është ndërtimi i një shoqërie demokratike.

( Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’ )

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *