Kurrgjë s’përsëritet

Wisława Szymborska

“Kurrgjë s’përsëritet,
as ka për t’u përsëritur.
Ja pse lindim pa përvojë,
vdesim pa varësì.

Qoftë dhe nxënësit më të trashë
të shkollës më të largët
s’i vënë të përsërisin
stinët e së kaluarës.
S’ka ditë që kthehet,
kurrë dy net të njëjta,
as dy puthje s’përngjajnë,
as dy vështrime krejt njësoj.

Dje, kur emrin tënd
dikush shqiptoi,
m’u bë sikur një trëndafil
çeli mbi kalldrëm.

Sot, që jemi bashkë,
tjetërkund hodha sytë.
Trëndafil? Ç’të jetë vallë?
Mbase gurë, a mbase lule?

Ngase ti, orë e ligë,
ngre veç pyetje edhe frikë.
Je – ndaj lypet të shkosh.
Do shkosh – ja bukuria.

Do ta gjejmë një mes të artë,
buzëqeshur, të përqafuar,
anì pse jemi të ndryshëm
si dy pika uji.”

Shqip: Edon Qesari


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *