Edvin Kukunja
i sati film mbi easy money
histori me aventurierë dandy
emocionuese
aq sa po filloj të kem respekt
për të gjitha speciet e këtij soji
që i kam parë shpesh në distancë
me një ndjesi bezdije dhe pështirosje
po filloj të kem seriozisht
rrëshqitje dhe spostim të boshtit tim
aq sa po filloj të humb respektin
për tim atë e për gjithë paraardhësit e mi
njerëz modest me ëndrra modeste
që jetojnë me djersën e ballit
e sata histori me piratë
easy money e pluhur të bardhë
kjo është rruga
për të kaluar nga konsumator preh
në konsumator gjahtar
gota mbi tavolinë
qumësht e jo alkol
ditë pushimi
nesër është e hënë
një javë e re
një tjetër
rutinë
vështirë të gjesh kohën
për të luftuar këtë betejë
me vetvehten
ëndrrat
dëshirat
dhe nevojën për të mbështetur
e mbrojtur kë do
e vështirë sidomos aty
ku në doza omeopatike injektohet
një ëndërr makth
në gjak e në trurin tënd
në mendimin tënd prej të mbijetuari
qentë lehin jashtë
dritat e sirenës të një patrulle policie
ndryshojnë atmosferën e dhomës tënde
ti dëgjon armë të heshtura të shtijnë
mbi trupin e mendimit tënd
janë armët e imagjinatës virtuale
asaj bote fiktive që merr jetë
me një presion të lehtë mbi telekomandë
ti shtyp një numër
dhe kaq
është po aq e lehtë sa të shkrehësh një armë
natën e mirë
dhe ëndrra plot gjellë pasanikësh