Jonida Hitoveizi
Kur lë pas vende, pas mbetet aroma e shpirtit tënd
Mbetesh ti në çastet e lumtura, në përqafimet e ngrohta…
Kur lë pas sende, pas mbeten prekjet, zënkat,
Pas mbeten vakte dashurie, tavolina që shtrohen, shishe vere që hapen, fjalë që thuhen, fjalë që thyhen, fjalë që bashkohen, fjalë që puthen, fjalë që shtrëngohen në buzë, në mish, në trup…
Kur lë pas kujtime..
Ahh! Ti mbetesh përherë me kokën pas
Dhe çuditesh çdo ajo grua në divanin tënd
Në shtratin tënd, në tavolinën tënde
Shtrohet në vaktin tënd sikur ti, sikur ti, të mos kishe qenë kurrë aty
Dhe ndjen një therje në shpirt
Të dhembin vendet, aroma, kujtimet, sendet…
Dhe shpirti tkurret, tkurret sepse, sepse, ti nuk e di pse-në.
Ai veç përpëlitet kur sheh një tjetër trup, aty, ku po endet si hije, si frymë, si kafaz pa tela
Vallë të kanë harruar?!
Je fshirë si të mos kishe prekur kurrë atë dorë, atë trup…
Sikur të mos kishte ndenjur netë të tëra në atë dhomë, nga ku kundroje si zhytej hëna në det
Si të mos kishe lëmuar kurrë me shpirt çdo gjë që ka mbetur pas?