Nga Luan Rama
Ishte e habitshme kjo koinçidencë. Herë pas here kam shënuar në fletoret e mia ëndrrat, ato që kam mundur të mbaj mend, madje shpesh dhe ëndrra të përgjysmuara, pa fillim, pa fund, apo thjesht fundin e një ëndrre. Por sidoqftë ato më shfaqeshin gjithnjë pas një ngjarje, traume, përplasje, historie, që rishfaqej në gjumë në forma të tjera, në pavetëdije. Disa prej tyre dhe i kam vizatuar, por unë s’di të vizatoj dhe më vjen të qesh kur i shoh ato shkarravina mbi ëndrrat e mia. E pra, kur më ra në dorë një album me vizatimet e Felinit mbi ëndrrat e tij, kjo më habiti. Endrrat e tij ishin tejet të çuditshme. Po, Fellini jetonte shumë me ëndrrat. Ai mbante mend shumë prej tyre dhe i shkruante më pas. Madje dhe i vizatonte, dekoret, personazhet, ngjarjen. Regjisori i madh Federico Fellini vazhdonte punën e tij edhe në ëndërr. Gjenialitet më vete. Në ëndrrat e tij janë personazhet që e rrethojnë në jetë, gruaja e tij, aktorja Giulietta Masina, apo producentë si Dino de Laurentis, miq të afërt, aktorë si Mastrojani, Anita Ekberg, Toto, De Sica, Giorgio Strehler, Salvador Dali, Alberto Sordi, personazhet e filmit Otto e Mezo, La Strada, bota aventuroze feliniane me bordellot, prostitutat, kurvat tepër të shëndosha të periferisë së Romës.
Felini i donte shumë femrat e shëndosha, të kolme, me vithe të kërcyera dhe gjinj të stërmëdhenj e të varur si kacekë prehistorikë, çka duket dhe në filmat e tij. Por jo vetëm atje, dhe në ëndërr. … “Endrrat janë kinemaja e të varfërve”, shkruante dikur një gazetar. Në rini të tij apo fillimin e karrierës artistike, Felini shkruante skenarë për radio. Pastaj erdhi kinematografia, neorealizmi me filmat e parë, Netët e Kabirias e më vonë moderniteti felinian si Amarcord, Dolçe vita, La Citta delle donne (me luftën mes sekseve dhe prishjen e komunikimit burrë-grua), Il Casanova apo së fundi La voce della luna para se të vdiste më 1993… Dhe kudo shumë skena janë imazhe të ëndrrave të tij. Por më shpesh Felini vuante në ëndrrat e tij: ato janë cfilitëse për të. Herë arrestohet, herë burgoset, herë duan ta varin, herë e përdhunojnë herë pushkatohet apo detyrohet të fshihet nga policia, e cila e ndjek hap pas hapi. Oh ç’jetë e mundimshme në endërr… Mundime dhe seks! Çfarë ishte ëndrra e tij, çfarë janë ëndrrat tona, e të tjerëve, e miliarda njerëzve? Padyshim një proçes fizik apo alkimik që ndodh në trurin tonë gjatë gjumit. Ka ëndrra që mbahen mend, sigurisht të pakta, të tjerat s’dihet ku fshihen. Endrra që nganjëherë duket se i kemi përjetuar dikur, në një kohë të papërcaktuar. Besimtarët i shohin ëndrrat si mesazhe hyjnore, ardhur nga bota e sipërme. Edhe pse neuroshkenca ka berë progrese të jashtëzakonshme, a arrijmë ne t’i deshifrojmë gjithë ato ëndrra dhe të zbulojmë se çfarë ndodh konkretisht në trurin tonë, në ato milona neurone? Vallë si krijohet apo ndërtohet një ëndërr? Përse na rivijnë figura që i kemi parë para 20-30 vjetësh. Përse i kemi larguar ata prej kaq kohësh në labirintet e trurit tonë? Egjiptianët i jepnin një lloj shpjegimi ëndrrave, por gjithnjë të lidhur me faraonin. Mitologjia greke i lidhte me ëndrrat e Zeusit. “Morfe” ishte hyjnia e ëndrrave profetike. Sipas Platonit, Sokrati i konsideronte ato si dëshira apo mjedise të turpshme që çliroheshin në gjumë. Por, shekuj më vonë Frojdi do të bënte hapin e parë revolucionar për shpjegimin e ëndrrave. “Interpretimi i ëndrrave është rruga e shkëlqyer që na çon në njohjen e inkoshiencës”, – thoshte ai. Më pas ishte Jung ai që interpretonte ëndrrat, ku për të ëndrrat ishin “porta e hapur mbi inkoshiencën”. Në “Souvenirs, rêves et reflexions”, ai theksonte se “eksperienca na tregon se ëndrrat përpiqne të shprehin gjithnjë diçka që vetvetja nuk arrin ta kuptojë”. Më vonë Lacan e të tjerët.
Endrrat që shohim të gjithë janë nga më të pabesueshme. Pse vallë? Endrrat, një mbretëri e të mundshmes! Borgesit i pëlqente shumë të tregonte ëndrrat. Fellini i shkruante. Regjisori japonez Akira Kurosava ka realizuar një film vetëm duke u bazuar në ëndrra. Kur ëndërron, padyshim je një lloj regjisori, një regjisor teatri e filmi, ku je ti ai që vendos dekorin, zgjedh kostumet e personazheve, vendos aktorët në pozicionet që do ti, etj. Por ah, më së shumti, ëndrrat janë të këqia, të frikshme, të dhembshme. Pak prej tyre janë të lumtura. Ka ëndrra perverse apo të tjera, ëndrra seksuale që zgjidhin të pamundurën jetësore, reale, dëshirën e frustruar. Ka ëndrra vrasëse nga të cilat njeriu zgjohet me llahtarë. Endrrat e Felinit janë botuar në një libër të titulluar “Libri i ëndrrave të mia” bashkë me ilustrimet e tij, të cilat ai i kishte përgatitur që para se të vdiste. Endrrat e tij janë të shumta, në një hapësirë kohore të gjatë, nga 1961 në 1981. Por le të lexojmë disa prej tyre.
Endrrat e Felinit
1 janar 1961
Jam veshur si një romak i kohës antike dhe vetja më ngjan si një Ciceron i ngathët, gati për të hyrë në skenë. Zëri im është aq i fortë saqë po të këndoj duket se teatri do të shembet. Dhe vërtet, si në një film tmerri, shoh se teatri fillon të shembet. Puntorët e skenës mbyten nga shembja në rrënoja… Pastaj ëndërroj sikur jam në “via delle Mercede”. Bie shi. Një prostitutë e njohur dhe e fuqishme afrohet drejt meje me çadër (është një mike e Picciocca-s që aq shumë i pëlqente ajo kurvë e shëndoshë. Përpiqem t’i tërheq vemendjen dhe i fërshellej. Por u bëra pishman që e thirra se kur u afrua ishte një kurvë plakë dhe idea që t’ia fus në gojë, më pështirosi. Ja ku jemi në shtrat në një hotel të vogël të kategorisë së tretë. Dëgjojmë zhurmën e hapave të policëve që kanë kapur vrasësin e kurvës tjetër që është vrarë pardje. E marrin me pranga nëpër shkallë. Pikas që kurva ime e ka mishin e bardhë, të butë dhe të këndshme. E pamundur ta mbaj veten. Mishi i saj më jep paqe dhe gjumë.
20 dhjetor 1961
Jam i burgosur në një burg kinez ku ka plot kurva të veshura si gejsha. Ato janë shumë sadike dhe e njohin artin më të rafinuar dhe të egër të seksit. Janë me shumë fantazi. I ndjej rreth meje ashtu të fuqishme dhe të pabesa, ndjej aromën e gojëve të tyre të hapura dhe të urritura. Ato më kafshojnë supet, në krah, duke qeshur me të madhe me sy që u shkëlqejnë. Vallë lozin, tallen? Papritur vjen Leopoldo Trieste, i cili më thotë: – Mbathja! Do të të hanë të gjallë! Por unë vazhdoja të përballesha me ato, i bindur se gjithë kjo ishte një lojë edhe pse e rrezikshme, edhe pse e dhunshme, një luftë e vërtetë, me kamzhikë, shqelma. Arrita të dal me ndjenjën se isha treguar i poshtër pse i kisha trajtuar ashtu ato prostituta.
22 shkurt 1962
Jemi në një delegacion dhe pritemi nga Hitleri. Më kujtohet se në delegacion me ne ishte dhe Gherardi. Eshtë një dekor fetar, i rëndë, mbytës, si prej morti. Mermerë të ftohtë, kripte, kupola të errta. Hitleri tutje bënte si palaço. Ai imitonte hierarkët fashistë. Na merrte për krahu shumë përzemërsisht. Në veturë me muaështë dhe Titta, i cili i përgjigjet kortezisë së Hitlerit duke imituar Musolinin, Staracen…. – Po në mbrëmje, çfarë bëni? – i them unë këtij gjaksori të çmendur. – Sonte do jem në meshën e një prifti të thjeshtë që do ta pushkatojmë nesër! – përgjigjet Hitleri. – Po prifti do të jetë në meshë? – e pyes unë. Ai tund kokën: – Jo. Ka ngrënë diçka prej orizi dhe s’mund të komunikojë dhe të flasë…
31 mars 1963.
Profesor Bernhard i fryn anusit tim dhe pastaj fut një fije bari që të më pastrojë.
15 qershor 1963
Eshtë ag. Xhulieta ime ka hapur barin e saj dhe po pastron para hyrjes. – Si po shkon? – e pyes unë, – ndonjë të re? – Jo, por në vend të datës 4 ato erdhën në 7! Ajo bën aluzion për vonesën e mesturacioneve të saj. Largohem i dëshpëruar, por ku të shkoj. S’kam shtëpi ku të vete.
19 prill. 1965
Isha i dënuar me varje. Në një terren të rëndomtë në periferi të Romës. Dikush më jep një letër të cilën pas 3-4 ditësh, një të dielë, pra ditën e ekzekutimit tim duhet t’ia jap xhelatit. Ishte shkruar numri 69. Sa turp. Edhe për këtë ditë duan të tallen me mua? Të gjithë do të qeshin kur të paraqitem me këtë kartë. Xhelati është Gino Talamo, gjysmë lakuriq, si një lloj kllouni. Po a është i sigurtë se po të mos paraqitem, kjo s’do të bjerë në sy?…
21 korrik 1967
Si zakonisht Giuletta është bërë sa një grusht nga e pira. Unë qaj dhe nuk e mbaj dot veten. Jam në ankth, kam keqardhje dhe klith: “S’do të vij më në shtëpi! Nuk dua të të braktis dashuria ime por s’mund të të shoh më në këtë gjendje. Po iki përgjithmonë!”… Vallë për këtë arësye dua ta lë? Para syve, tani kam një album të fotografive të jetës sonë të përbashkët, fotot e fejesës, të ditës së martesës, etj. Por të gjitha këto i shoh në një tis dëbore. Dëbora ka rënë në të gjitha episodet e jetës sonë. Qaj dhe zgjohem me zemrën tepër të trishtuar.
15 shkurt 1975.
Vazhdoj të ëndërroj se ngado që shkoj bëj «kaka» që qelb me një erë të keqe. I bëj pis brekët, këmishën. Madje dhe gravata më njolloset. Veshur me bizhame, në dorë mbaj një top «kaka» që sapo e kam nxjerrë.
13 tetor 1966
Në një nga valixhet, Xhulieta ka fshehur kufomën e Villalonga-s. Jemi në një hotel të madh duke ndrruar dhomën. Kam frikë se mos punonjësi i hotelit dyshon në diçka. Giulietta është moskokëçarëse, edhe pse është ajo vrasësja e Villalonga-s. Duket sikur e ka harruar këtë histori dhe merret me dhomën e re. Valixhja është vendosur në banjo. Të nesërmen vjen era e kufomës. Duhet ta zhdukim patjetër. Ndoshta do dal natën, me valixhen në dorë nëpër errësirë e mjegull për ta hedhur në Tamise, apo diku jashtë qytetit. I bie rrotull hotelit për të gjetur aty afër ndonjë urë. Eshtë dhe babai im që do të më ndihmojë. Jam i qetë dhe kjo gjë duket më e lehtë, por kur doja të kthehesha në qytet ngatërrova rrugën. Rrugës pyes dikë dhe ai më thotë se është nga Bolonja. Më duket se kam dy kufoma për të hedhur.
10 dhjetor 1966
Alberto Sordi është akuzuar për një krim të rëndë: 10 vjet burg. Në korridorin e burgut që kundërmon erë të qelbur, e shtrëngoj Sordin për krahësh dhe përpiqem ta ngushëlloj: “Nuk mund t’i shpëtosh fatit. Duhet ta pranosh këtë ngjarje të jetës. Ti s’mund ta shmangje atë…”
28 maj 1967
Xhuljeta është në kuzhinë dhe i thotë Ugo Tonjazit se unë kam ndryshuar mendimin për të dhe se nuk më përshtatet për filmin e ardhshëm. Pak më vonë Tonjazi më telefonon, por unë bëj gjoja se mund të ketë ende shpresë për të, meqë nuk kam kurajo t’i them të vërtetën. Por ai qan. – Pse qan? – i them unë. – Sepse ti s’do të më marrësh në film. Tashmë jam në një avion me motorrë që bëjnë zhurmë. Avioni niset. Ku shkoj? Në Londër, Milano? Ndoshta në Londër. Papritur vendos të mos shkoj. Ju lutem atyre të zbres. Hotesa e avionit më jep valixhen, pallton dhe në portën e hapur është shkallarja, por sapo dal, pasagjerë të tjerë vijnë me vrap pas meje. Hotesa i pengon dhe më bllokon padashur që të dal. Në këtë çast avioni lëviz. Shkallarja largohet. Vallë kam kohë të hidhem poshtë? Endrra ndalon këtu. Jam në një avion në lëvizje. Po të hidhem mbase e kap shkallaren…
21 korrik 1967
Si zakonisht, Giulietta është bërë sa një grusht nga e pira. Unë qaj dhe nuk e mbaj dot veten. Kam ankth, keqardhje dhe klith: S’do të vij më në shtëpi! Nuk dua të të braktis dashuria ime, por s’mund të të shoh në këtë gjendje të dehur. Po iki përgjithmonë! Vallë për këtë arsye dua ta lë? Para syve tani kam një album me fotot tona të jetës së përbashkët, fotot e fejesës, të ditës së martesës. Por të gjitha janë nën një tis bore. Ka rënë dëborë në gjithë episodet e jetës sonë. Qaj dhe zgjohem në zemrën plot trishtim.
Maj 1968
Një mi i ngordhur. Si duket e ka mbytur një mace. Por dikush, s’di cili, kërkon të ma fusë në gojë që unë ta kafshoj…
25 korrik 1979
Marr vesh se Marcello (Mastroiani), të cilin e pashë në ëndërr ashtu të veshur e me makiazh, se ai ishte tepër i zemëruar nga ajo ç’paskam thënë për të sikur nuk kam asnjë lloj simpatie për aftësinë aktoriale të tij dhe se jam bërë pishman që e kam marrë tashmë për një rol në filmin tim. Dëgjoj Marcello-n që thotë “Nëse ai s’më vlerëson, unë po iki dhe të mos flasim më për këtë histori!” Më duhet ta qetësoj dhe ta sjellë në formë, t’i them që kjo nuk është fare e vërtetë dhe se këto janë thjesht thashetheme, duke i pohuar gjithashtu se kam shumë besim tek ai…
23 dhjetor 1981
Jam i ftuar tek Xhani Anjeli bashkë me disa miq të tjerë. Pas darkës ne biem në shtrat që të gjithë bashkë. Midis meje dhe Anjelit, zonja N. gjysmë e xhveshur që po ia luan avokatit duke kthyer kurrizin. Kështu kalon e gjithë nata dhe në mëngjes N. bashkë me të tjerët del në park. Anjeli e vështron ashtu me atë pamjen e saj provokuese dhe nudo e më thotë: Çfarë seksi!…
II.
Këto ishin disa nga ato qindra ëndrra që përshkruan Felini në librin e tij. Kur libri më ra në dorë, atëherë kujtova atë fletore që mbaja në një sirtar të shtëpisë ku shkruaja ato pak ëndrra që kisha mundur të mbaja mend. Ishte e habitshme… A mund t’i shpjegojmë ëndrrat tona? Sigurisht…
Dhëmbi i plakës, 5 dhjetor, 2014
Ishte një diskotekë me drita marramendëse. Muzikë e zhurmshme, drita shumëngjyrshe, të qeshura histerike. Po kërceja. Ishte një lloj ekstaze. Vallë kaq i ri isha, djaloshar? Papritur erdhi dikush, më rrotulloi dhe ja ku u gjenda përballë një gruaje të lumturuar veshur me dekolte që kur e sodita mirë ishte një plakë, ajo më grishte me sytë e saj të qeshur dhe m’i mbështolli buzët mu në gojë me një pështymë të ftohtë. E kisha të vështirë të shqitesha dhe gati po më merrej fryma, pasi hundët i kisha të zëna. Më në fund arrita të tërheq kokën dhe pashë pamjen e qeshur të plakës që i ishte zhdukur një nga dhëmbët e parë. Zgavra e krijuar ishte e llahtarshme. Ajo qeshte si një shtrigë, ndërkohë që unë ndjeja dhëmbin e saj në gojë. Doja ta nxirrja, por para pamjes së saj si një lloj magjistrice nuk di pse e gëlltita. Të nesërmen në banjë prisja se mos e nxirrja, pasi kisha dëgjuar që dhëmbët në bark mund të shkojnë ku munden, madje mund të bllokonin fshikëzën e urinës. Oh ç’tmerr. Dhëmbi s’donte të dilte e madje natën më krijohej një lloj stresi aq sa më fillonin të prera në bark. Pas dy ditësh mendova se s’duhej pritur më, duhej operuar. Dhe ashtu u bë. Më morën me urgjencë, me një lloj burie të çuditshme të karrocave tiranase dhe më çuan në spital ku porta u hap veç kur portjerit i futën në dorë një kartmonedhë të ëmbël. Më shtrinë në një shtrat hekuri gjithë ndryshk dhe u rrethova nga infermieret që çuditërisht ishin me uniformat e tyre shtëpiake. Më së fundi erdhi mjeku, sepse dikush nga infermieret bërtit – Zotëria erdhi! Kirurgu me një bluzë të pisët, sikur të ishte axhustator, mu afrua dhe u drejtua nga njëra prej tyre, ajo më e moshuara, sikur të ishte motra e plakës së diskotekë. – Gjithçka është gati? – Po, – u përgjigjën të gjitha njëherësh. Ai ende mbante biçikletën në dorë të cilën e mbështeti tek mbajtësja e serumit. Unë mbylla sytë dhe prisja. Pas pak, pasi ndjeva duar që më lëvrinin në bark sikur të kërkonin dhëmbin misterioz. Hapa sytë dhe ç’të shoh? Ishte plaka e diskotekës e cila më shkeli syrin, siç e kishte zakon. Atëherë u hodha nga krevati, rrëmbeva biçikletën pranë shtratit dhe u nisa. Pas më ndiqte plaka që më kërkonte dhembin dhe doktori që donte biçikletën…
«Koka e prerë», 18 nëntor 2013
Isha gazetar dhe gazeta «Koha Jonë» më kishte dërguar në Irak, edhe pse zyrat e saj sapo ishin djegur. Por unë u habita që atje pashë të ngriheshin flamujt e ISIS me mollahët e tyre dhe kokaprerësit e mëdhenj. Isha bashkë me një gazetar italian dhe një francez. Ishin disa streha betoni. Por aty erdhën dhe na kapën dhe më pas disa njerëz me maska të zeza në fytyrë na morën dhe na vunë përpara. Më kot nxirrja dokumentin e Nikollë Lesit duke gënjyer se ishte një musliman i ndershëm, por ata s’donin t’ia dinin, madje qeshën sepse thonë se Nikollë sikur ishte një emër i çuditshëm… përse me dy «l»? Na çuan para një grupi tjetër të cilët i kishin vënë në një bregore dhe disa fëmijeve u kishin dhënë hanxharë dhe i komandonin në prerjet e kokave. «O zot thashë!» – dhe preka koken time por s’mund ta lëvizja pasi më dukej si një kokë prej hekuri. Kishte grirë e tëra. Kokat rrokulliseshin dhe më tutje dhe një grup fëmijësh, nën kujdesin e disa xhihadistëve, luanin futboll me to. Papritur më qëlluan dhe mua. Pashë kokën time të rrokullisej, por ndryshe si të tjerët, unë s’ndjeva asnjë lloj dhimbje. Madje ia dhashë vrapit drejt kokës që zbriste rrokapiekthi poshtë. Xhihadistët më shikonin me sy të habitur e të llahtarisur tek vrapoja pa kokë drejt kokës time. Me së fundi e arrita kokën, ia shkunda dheun mbi ballë dhe me të në dorë po vija drejt dy gazetarëve që ende nuk ua kishin prerë kokat. Për habinë time, xhihadistët klithën, i lanë gazetarët dhe ata që u kishin mbetur pa ekzekutuar dhe ia mbathën pasi kujtuan se isha vetë djalli…
Parlamentarë të rinj, 3 maj, 2015
Ndoshta atë natë kisha pirë. Nuk e di… sidoqoftë imazhet ishin të çuditshme si asnjëherë tjetër. Shikoja sikur në muret e qytetit ishin ngjitur afishe ku kërkohej zëvendësimi i deputetëve me kafshë më të përgjegjëshme: p.sh. me derra, kuaj, kunadhe, qen, mace, lepuj, etj. Ishte padyshim diçka e pazakontë. Madje kishte dhe një tellall si ata të kohës së Zogut. Por urdhëresa ishte e prerë. Ndryshe parlamentarët që nuk paraqiteshin për zëvendësimin e tyre dërgoheshin menjëherë në polici. Çudi thashë dhe nuk di pse e pashë veten si qytetar kureshtar tek dera e parlamentit për të kundruar këtë s’kenë të paparë ndonjëherë. Kamera, fotografë që shtyheshin, gazetarë. Kafshët me sa dukej ishin mbledhur brenda që më parë. I shkela syrin rojes, një ish fqinjit tim të dikurshëm dhe ai bëri sikur s’më pa. Hyra. Atje në sallë, deputetët zgjidhnin kafshët që donin. U habita kur në krye të vendit të kryeparlamentarit u ngjit një kunadhe, në krahun e majtë një çakall, ndërkohë që një gomar sapo u shfaq në krahun e djathtë. Çuditërisht kishte dhe hiena që zinin vend, lepurushe të llastuara e me fjongo gjithngjyrash, gjela deti që fryheshin, bufë të përgjumur. O Zot, thashë me vete! Këta do e drejtojnë parlamentin? Një kalë filloi të hingëllijë. Një ari kishte zënë dy karrige dhe po zihej me një bulldok. Ndërkohë, deputetët e rrallë po largoheshin dhe ja ku ra gongu: ishte e pëllitura e gomarit… U zgjova.
«Brexit», 24 qershor 2016
Nata e parë pas «Brexit». Lajmet e ditës ishin tronditëse. Binte shi. Po flija. M’u shfaq harta e Europës së Bashkuar, pastaj harta e atij ishulli që kishte nisur t’i largohej akoma më shumë Europës: ishulli i Anglisë, i cili tashmë s’dihet se nga ç’forcë tektonike po shpërbëhej dhe po ndahej në tri pjesë: Britania, Skocia dhe Irlanda. Ja, ku papritur u shfaqën figurat e stërmëdha të presidentit francez Holland dhe të kancelares Merkel, në cepin e shkëmbenjve të lartë të Normandisë. Si peshkatarë të regjur ata hidhnin ganxha të mëdha gjer tutje drejt brigjeve angleze dhe pastaj filluan t’i tërhiqnin sikur të gjuanin peshkaqenë, por brigjet e Anglisë nuk dukej se vinin drejt brigjeve franceze në La Manche, por përkundrazi, sikur po shkisnin gjithnjë e më larg. Ndërkohë çuditërisht disa barka shpëtimi, ngarkuar plot e përplot me londinezë të tmerruar po afroheshin drejt brigjeve normande duke thirrur: “Europa… Europa… Anxhela… François!”…Help! Pastaj ra një rrufe e fortë që na verboi. U zgjova.