Ag Apolloni
Vepra “Shënimet e një të çmenduri” e Gogolit, e përkthyer nga Mitrush Kuteli, është një ndër veprat më të bukura në letërsinë botërore, por edhe një ndër përkthimet më të bukura në gjuhën shqipe. Në pamundësi për ta krahasuar me origjinalin rus, sot bëra një lexim paralel me përkthimin anglisht (një fjali anglisht, një fjali shqip) dhe u mahnita me ngjashmërinë. Kjo do të thotë se përkthimi shqip dhe ai anglisht janë përkthime besnike të origjinalit dhe se Kuteli nuk e ka ndjekur rrugën e Nolit, i cili më shumë parafrazonte se ç’përkthente.
Megjithatë, në përkthimin e Kutelit mungojnë disa pjesë të shkurtra. Te letrat e qenit, “Nëntor 13”, janë hequr fjalitë që tregojnë habinë e qenit pse njerëzit vishen (Pra, mungon kjo pjesë: I have never been able to understand why people dress. Why do not they go about as we do, for instance? So nice and convenient). Ndoshta këtë nuk e ka hequr Kuteli, por redaktori (censuruesi), pasi mund ta ketë konsideruar si “degjenerim moral” të qenit. Po ashtu, në “Martetor 86, midis ditës dhe natës” është hequr kjo pjesë: “But men are unfair, with this way of reckoning in weeks. The Jews invented it because it’s their Rabbi’s washing time.” Njëjtë është vepruar edhe te “Data s’më kujtohet. S’kish as muaj. Djalli ta dijë se ç’ish”, ku mungon kjo pjesë, që vjen pas fjalëve “letra shkruajnë farmacistët”: “…and then only after dipping their tongues in vinegar, or else their faces would be all covered with warts.” Një reduktim i vogël është bërë edhe te “Data 25” (shqip është: mësova se çdo gjel ka një Spanjë dhe kjo gjendet nën puplat e tij. Kurse në anglisht, kjo fjali vazhdon: I have found out that every cock has got a Spain, and that it is situated under his feathers not far from his tail.)
(Sa për titullin, rusisht është “Zapiski sumasshedshevo”, anglisht “Diary of a madman”, shqip “Shënimet e një të çmenduri”. Pra, përkthimi shqip i qëndron besnik origjinalit rusisht: shënime – zapiski).