Kur Afrika «martohet» me Europën

 

Luan Rama
U riktheva sërrish në Afrikë brigjeve të Dakarit dhe në Bamako… u ktheva në ishullin Goré ku me baobabët e mëdhenj ku historia afrikane është ngjizur me vulën e nxehtë dhe të zhuritur të largimit drejt Amerikës ; u ktheva në fytyrat e ëmbla të senegalezeve që dikur kërceja në shi me to. Por ky kërcim tashmë nuk ishte atje, nën pemët e mangove, por këtu, në periferi të Parisit, në euforinë multikolore që ylberi do ta kishte zili, në dekorin e atyre kokave me shamitë më të bukrua që kisha parë ndonjëherë dhe që shndrisin veçse në ditët e dasmave ; u ktheva në këngët që shoqëronin atë çift të ri që hynin nën tingujt e gëzimit : një kroato-francez dhe një franko-senegaleze. Ishte një himn dashurie… Sanin dhe Oueley, dy shpritra të ngjizur që në bangot e liceut dhe që nuk u shqitën më, që erdhën deri këtu, me hapat e tyre të lehtë për tu puthur ballë nesh, për tu lumturuar, për të na gëzuar në çdo qelizë. Pikëtakim i bukur i Europës dhe Afrikës, i botës së lashtë afrikane me atë të Europës zhurmëmadhe por dehëse, i modernitetit dhe dansit të lashtë që në hapat e para të botës, dhe ja pse kënga të rrëmben dhe ti bëhesh i ngjashëm me ta. Ti bëhesh afrikan për nga ngazëllimi, dashuria, pasi ne të gjithë jemi të ngjashëm, bij të planetit Tokë.
Ouley-in e kisha njohur dhjetë vjet më parë, atëherë kur dashuria e tyre sapo kishte hapur krahët, si ato fluturat shumëngjyrëshe të Afrikës dhe Madagaskarit, Oueley me ata sy të shndritshëm tepër inteligjentë, fjalëpakë, si një “matrone” edhe pse 15 vjeçare. Sanin gjithnjë i dashur, i dehur pas muzikës dhe dashurisë. Dhe ja, tam-tamet e lumturisë së tyre rrahën fort, atë natë ngazëllimi, të një lumturie që bëhet dhe tëndja. Ti përqafosh ata, të ndjehesh i lumtur si ata, të përqafosh prindërit e Sanin, Hvalekën, përkthyesen e mrekullueshme dhe Oliverin, njeriun e TV të pasionuar pas fimit, një pinjoll me gjyshërit e tij permetarë. Ja pra një çast i hareshëm që të bën të rijetosh legjendat e vjetra të dashurisë gjer në pëshpërimat mitike, ato nëpër rrugët e Afrikës, si në shtigjet e shkretëtirës ashtu dhe në brigjet e gjelbërta të Kongos apo buzë brigjeve të Atlantikut, ku tutje shfaqen pirogat e indigjenëve nën një diell që nxiton të zhytet në oqean. Dhe kështu të duket se bota pulson dashuri, se dhe këtu, në këtë sallë dashurie jetohet në sajë të dashurisë, përtej kësaj mesnate të ftohtë, gjer në ag. Po, është pikëtakimi i Afrikës me Europën, në botën e shpirtrave tanë që nuk i do kufijtë, pasi dashuritë i tejkalojnë gjithnjë kufijtë… Ka disa ditë që kanë kaluar dhe unë i rijetoj ende këngët e asaj nate ngjyrosur nga ngjyrat me të bukura të shamive të dashurisë… Mitet e lashta jetojnë ende, brenda nesh.
——————
FB_IMG_1514043420340 FB_IMG_1514043422837 FB_IMG_1514043422837

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *