Kumbaro: Na qortojnë shumë?! – Sepse sot kultura nuk është më një qokë për partinë

Nga Mirela Kumbaro

“Jeni shumë e re, dhe ende në kohë për të zgjedhur një tjetër zanat, por, nisur nga kordat tuaja, mos pretendoni të bëheni një këngëtare profesioniste” – i thanë Ermonela Jahos, kur ishte në krye të rrugës që kishte nisur.

Se çfarë bëri Ermonela më vonë…. tashmë e dimë të gjithë, e dimë që karriera e saj nuk është historia e Hirushes por shembulli i gjallë se si kur puna, talenti, pasioni, sinqeriteti dhe forca e shpirtit artistik, bëhen bashkë, s’ka forcë të keqe, vend të vështirë, rivalë cmirëzinj apo drejtues te veckël, që të ndalojë Ëndrrën të bëhet Realitet.

Unë e konsideroj veten me shumë fat që jam minister kulture në një qeveri që, – si asnjëherë më parë, – e ka kthyer kulturën në kryefjalë.

Edhe na qortojnë shumë , do të thoni ju?

Po pra! Pikërisht kjo është prova më e mirë se të gjithë ju dhe ne punojmë shumë, prodhojmë shumë dhe prandaj kultura është në skenën e ditës çdo ditë, çdo natë, jo si një çast i lehtë për të kaluar kohën, jo si një luks me të cilin merremi pasi kemi zgjidhur problemet e ekzistencës, jo si një qokë për klanin apo për partinë – larg qoftë! siç ndodhte vetëm pak vite më parë, jo si një lozhë e rezervuar për “elitat”! Jo se jo!

Kultura, Arti, opera, ekspozita, teatri, muzeu, festivali, leximi, trashegimia kulturore, edukimi permes artit dhe kulturës, po bëhen – pjesë e programit të ditës për shqiptarët, – argument i debatit publik,shqetësim i qytetarëve, – ambicie e të rinjve, – – sfidë e brezit me përvojë, – agjendë e kalendarit ndërkombëtar dhe pasaporta më e mirë e Shqipërisë.

Sot jemi këtu në Ministrinë e Kulturës që në fakt nuk është vetëm Ministri, por edhe hapësirë për ekspozita dhe sidomos kjo sallë, që prej dy vjetësh gëlon nga koncertet, debatet, promovimet, filmat, është që prej nje muaji edhe salla e provave të Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit.

Nuk e fsheh që kisha pak frikë kur, –  pasi sistemuam në dy ndërtesa brenda kampusit të Kinostudios, Baletin, Ansamblin Popullor, Arkivën e Teatrit, Rekuizitën e kështu me radhë – vendosëm bashkëjetesën e administratës së Ministrisë së Kulturës dhe shumë institucioneve të trashëgimisë kulturore këtu në Ministri, me Orkestrën.

Por tashmë ju konfirmoj se është një bashkëjetesë e lumtur, e bukur dhe madje mirënjohëse nga ana e burokratëve.

Si mund të jetë ndryshe kur puna jonë shoqërohet çdo ditë nga muzika e Liqenit te Mjellmave të Çajkovskit qe po përgatit Trupa e Baletit për premierën e kësaj jave në Pallatin e Kongreseve.

Teatrin e Operas po e rindërtojmë. Atje tashmë është kantier, kantier që ecën paralelisht me kantierin e teatrit tjetër të pagëzuar Turbina.

Por kjo s’na pengon që artistët të jenë më aktivë se asnjëherë.

Vetëm këtë javë janë 4 premiera në Tiranë në 4 teatro njeherësh dhe me 1 hall të madh: vështirësinë e papërballueshme e zgjedhjes.

Të gjitha këto falë artistëve. Falë jush!

Falë atyre emrave që sot s’janë më por lanë modelin perfekt të pasionit të pashterrshëm për artin edhe në kohërat më të vështira për art të lirë.

Falë aq e aq artistëve që e mbajtën gjallë traditën e skenës në këto vite të vështira të tranzicionit kur Kultura u la shpesh në rënie të lirë, jashtë axhendave dhe programeve të investimit, kur më shumë e përdorën dhe s’i dhanë, kur më shumë i morën por s’ia lanë.

Ju solistëve, muzikantëve, balerinëve, koristëve e realizuesve të skenës, ju jemi mirënjohës për forcën, talentin dhe emocionet që na dhuroni.

Sot jemi këtu për një simbol shprese, jo i vetmi, por shumë i bukur dhe që na jep besim se Teatri I Operas dhe Baletit e ka jetën e rrugën të gjatë.

Solistët e sprovuar tashmë të skenës si Ylberi, Eva, ndjekur nga Armaldo, Vikena, Armando dhe jo vetëm kanë shtruar rrugën për të rinjtë, që kanë një sifdë të dyfishtë: peshën e përvojës tuaj dhe përballjen me skenën ndërkombëtare.

Klodjani apo Enkelejda dhe shumë të tjerë të rinj të Operas e Baletit, janë vetëm në fillim të karrierës së tyre dhe kjo nuk është e lehtë, por e kanë shumë më të lehtë nga ç’e nisi Inva Mula në fillim të viteve 90 rrugën e gjatë të suksesit, apo sesa Ermonela që i hyri e vetme detit në këmbë për të arritur si Diva në majat botërore, e për t’u rikthyer herë pas here këtu si modeli i shkelqyer i njeriut dhe i suksesit.

Jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju siguruar se Teatri i Operas dhe Baletit do të jetë vijimësi e një historie suksesi e trupave dhe e solistëve.

Shkoni, studjoni, sprovohuni, sfidohuni, vetëm apo bashkë.

Ne do të ndërtojmë teatrot, këto dhe të tjerë, në Tiranë dhe në qytete të tjera, atje ku ju gjetët publikun e paparë shqiptar.

Faleminderit që jeni #OperaEGjeneratësTjetër!/ Fjala e ministres së Kulturës në takimin me artistë të rinj, për të nderuar sopranon Enkelejda Kamani, fituese e vendit të parë në Konkursin e Teatrit prestigjioz “La Scala”:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *