Për një «Respublica litteraria» në Shqipëri
Nga Luan Rama
Pothuaj dy shekuj më parë, në kaosin e filozofive të trishta e të depresionit të madh, të luftrave që gjëmonin në Europë midis perandorive, poeti i madh Höderlin bëri një thirrje duke hedhur idenë novatore se jeta duhej jetuar poetikisht, pasi kjo do ta çonte Europën drejt së mirës, humanizmit, drejt dashurisë njerëzore e progresit të vërtetë. Kështu, në kohë që përjeton shoqëria shqiptare, thirrja e Höderlin është më se aktuale, gjithnjë novatore, në atmosferën e një zhgënjimi të madh nga ëndrra e demokracisë dhe e lirisë së vërteta nga diktaturat, pasi korrupsioni, llumi, amoraliteti, e kanë kapur për fyti shoqërinë shqiptare duke e asfiksuar gjithnjë e më shumë dhe ku shkëlqimi i vetëm është shkëlqimi i parasë, lakmisë, intolerancës, oligarkisë dhe i një klase politike që mendon vetëm për lumturinë e saj, por që në thelb është një zhbërje e vetë individit. Pikërisht, në këtë atmosferë të shoqërisë sonë, dhe të një atmosfere akoma më të rënduar luftrash hegjemoniste, fetare, intolerancash e kamikazesh, thirrja për t’iu rikthyer poezisë, është një thirrje për t’i dhënë frymë dhe ajër shoqërisë, për ta humanizuar atë, për ta bërë të ndjeshme ndaj virtutit, dhe ja pse poezia, letërsia, artet, duhet të kenë një mision të ri, atë të udhërrëfimit, pasi kur ngrihen në këmbë poetët, nuk ka forcë që të shkoj kundër vullnetit të tyre.
Në kohën kur poeti i madh francez Arthur Rimbaud, ngulmonte të thoshte se Poeti duhet të jetë një «Profet» i kohës, i shoqërisë, këtë e thoshte se kishte ardhur koha e një lëvizje të madhe humane dhe drejt një shoqërie të re, çka e gjejmë në vëllimin e tij Përshkëndritjet, ku poeti, siç shkruan ai «kërkon të ndeshet, të përpiqet, të luftojë», pra të jetë profet i një kohe të re dhe i një arti të ri. Të njëjtën gjë e kemi parë te Victor Hugo apo Majakovski i zhgënjyer në Rusinë e sovjetëve, Ricosi apo Lorca spanjoll, Whitman si dhe surealistët e Francës. Të njëjtën gjë, që poezia të ndërmarrë një mision shoqëror, e gjejmë aq fortë në poezitë e Migjenit të madh: atë të ndryshimit të sistemeve, të ndryshimit të vlerave, pasi në epokën moderne që jetojmë, në epokën e telnologjive të reja dhe integrimeve të mëdha, shoqëria shqiptare vuan ende nga fataliteti, nga emigrimi i madh, nga një lloj depresioni dhe pafuqishmërie për të marrë në dorë fatet e veta. Ku janë intelektualët, poetët, artistët? Jetojnë ata të ngujuar në atelierët e tyre, studiot, kafenetë? Si mund të zhvillohet një «revolucion» humanist në frymën e një Erasmus modern. Ja pse në kohën kur gjithnjë e më shumë njerëz në Shqipëri i janë kthyer poezisë e botojnë, kemi një «Poeteka», klube të poezisë, botohen antologji, kolana poetike, njerëzit zgjohen «poetë» edhe pse janë në fillimet e tyre, rrjeti poetik po zgjerohet, poezia nuk është më pronë e një grupi elitar, por ajo është bërë pronë masive, është kthyer në shprehje personale dhe kolektive. Përse ndodh kjo vallë? Ndoshta sepse në dëshpërimin e madh, njeriu e ndjen se ka nevoje për një ngritje poetike dhe morale te shoqërisë, duke iu drejtuar jo vetëm dashurisë, të bukurës, por dhe pozisë sociale, pasi e para që duhet rikrijuar është bukuria dhe dashuria e shpirtit, janë këto territore të trishta që sot duhen ndriçuar nga poezia, territore që kthehen në territore të solidaritetit njerëzor dhe të humanizmit. Një «revolucion» i tillë shpirtëror është i mundshëm, pasi poezia sjell optimizëm, poezia krijon një utopi, atë të asaj që duam të ndërtojmë, sepse poezia kërkon ta zgjojë ndërgjegjen njerëzore dhe t’i japë një kuptim jetës, veprimit, ndërtimit të gjithçkaje, pasi Fjala, Verbi, kanë më shumë vlerë se shkëlqimi i parasë. Dhe së fundi, poezia është arti i të guxuarit, ajo guxon të lidhë ata që janë në fronte të kundërta, pasi ajo lidh shpirtrat përmes forcës së fjalës; sepse poezia, siç thotë dhe nobelisti Saint-John Perse, «edhe përmes një strofe arrin të përmbledhë të tashmen, të kaluarën dhe të ardhmen, humanen me mbi-humanen dhe gjithë hapësirën planetare në një hapësirë universale»… Le të shpresojmë që ashtu si në vendet e përparuara të Europës, në kohë depresionesh, u arrit të krijohej pushteti autonom shpirtëror dhe filozofik i asaj që quhej «Respublica litteraria», kjo lloj «republike» të krijohet edhe në vendin tonë, pasi poezia, arti, të shtyjnë të kesh një refleksion më të thellë për shoqërinë dhe ardhmërinë. Ja pse poeti 92 vjeçar francez Yves Bonnefoy, në një nga poezitë e tij të fundit, ndër të tjera shkruante: «… Miqtë e mi/ kjo tokë shkon keq e më zi/ dhe shpesh është ç’njerëzore/ por unë besoj se e Bukura ekziston dhe ka domethënie/ besoj se ende ka një kuptim që ta rilindim atë…». Ja pse më së fundi poezia është një profeci më vete, aq e dëshiruar nga Arthur Rimbaud apo Migjeni! Le t’i besojmë kësaj profecie të madhe!