Kthimi në skenë, Hajrie Rondo: E lumtur që rikthehem me një pjesë shqiptare

Aktorja e njohur Hajrie Rondo rikthehet në skenën e Teatrit Metropol me një komedi, pas një beteje të gjatë me tumorin.

Në një konferencë për shtyp të trupë së shfaqjes, Rondo u shpreh se ajo ishte e lumtur që kthehet në skenë.

“Jam e kënaqur që kthehem ne teatër. Më kanë pritur shumë mirë. Janë treguar të dashur e të sjellshëm. Me kontaktuan dhe më kërkuan të vija me këtë rol. Jam e lumtur që vij, sepse mbi të gjitha më pëlqejnë pjesët shqiptare”, u shpreh Rondo.

Shfaqja teatrore “Tre dhëndurët” vepër e Dionis Bubanit do të jetë premiera që do të vijë në skenën e teatrit të Metropolit gjatë këtij sezoni artistik.

Me regji nga Sonila Kapedani, komedia do të interpretohet në skenë nga një kastë aktorësh të njohur dhe të rinj të talentuar të teatrit, të cilët kanë nisur prej një jave provat për vënien në skenë të kësaj shfaqje.

E veçanta e kësaj premiere, që pritet të jetë në skenën e teatrit është dhe pjesëmarrja e veçantë e aktores së njohur Hajrie Rondo me rolin e Sanijes në vepër.

Pas rolit që pati në një tjetër shfaqje në skenën e teatrit “Bylis”, aktorja rikthehet sërish në skenën e teatrit, pasi i mungoi për disa vite, ku roli i Sanijes në komedinë “Tre dhëndurët” është i dyti brenda harkut kohor dy vjeçar.
Në role të tjera në vepër interpretojnë aktorët Gëzim Rudi-Mentari, Pjerin Vlashi-Dudumi, Aleksandër Kondi -Xhevahiri, Lindar Kraja-Beniamini, Roerd Toçe-Zenuni, Marget Caushi-Eduardi, Linda Jarani-Flutura si dhe Elona Hyseni-Sanija II.
“Tre dhëndurët” është komedi e shkëlqyer karakteresh e situatash e vendosur në një familje shqiptare gjatë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Më herët gjatë muajit qershor për këtë komedi ashtu si dhe për të tjera vepra teatrore në teatrin Metropol janë zhvilluar audicione. Kjo vepër vjen në skenë edhe si një homazh kushtuar autorit të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *