“Krishtlindje në Tiranë” quhet aktiviteti i datës 24 dhjetor që do të sjellë në skenë disa artistë të njohur. Mes tyre spikat emri i balerinit nga Tirana Danilo Zeka, solist në Operën Kombëtare të Greqisë. Tashmë një balerin me përvojë në skenë, i vlerësuar nga koreografët më të njohur në botë, artisti që ndezi flakën për lojrat olimpike “Athinë 2004″, Danilo pohon padurimin për të interpretuar në Tiranë, qytetin me të cilin ndjehet shumë i lidhur.
Si e pritët këtë ftesë për të interpretuar në Tiranë dhe cilat janë ndjesitë tuaja për këtë shfaqje?
Është gjithmonë kënaqesi te jem i pranishëm në Tiranë, sidomos kur jam edhe i ftuar për të interpretuar në skenat vendase. Aktiviteti ku jam i ftuar nga producenti Sokol Guga mu duk shumë interesant dhe sigurisht që e pranova me shumë dashamirësi. Me zor po pres sepse më mungon shumë skena shqiptare!
Çfarë do të thotë Tirana për ju si balerin?
Tirana për mua është gjithçka. Është vendi ku jam lindur, rritur dhe edukuar si njeri dhe si profesionist. Jam shumë i lidhur me Tiranën dhe më mungon jashtë mase. Jam me shumë fat që kam qenë pjesë e shkollës së baletit ku kam marrë gjithçka që në hapat e para të profesionit e deri kur u diplomova dhe u ndjeva i plotësuar, dhe gati për rrugëtimin e gjatë artistik!
Cilat kanë qenë çastet me të bukura deri tani në karrierën tuaj?
Në karrierën time të gjatë jam ndjerë disa herë mirë për arritjet e mia. Sidomos me vlerësimet e disa nga artisteve të mëdhenj që kam pasur fatin të bashkëpunoj. Ja vlen të përmend disa si përshembull të merrja pjesë në një gala ndërkombëtare me disa nga balerinët më të mirë në botë ku isha i pranishëm edhe unë. Gjithashtu një çast i paharruar ka qenë edhe ndezja e flakës për lojrat olimpike Athinë 2004! Dhe sigurisht vlerësimet e disa nga koreografëve më të spikatur në profesionin tonë, janë shumë por mundet të veçoj disa si Vladimir Vasiliev, Rennato Zanella, Aleksander Grand, etj.
Sa në kontakt ndjeheni me skenën shqiptare?
Jo aq sa duhet! Për disa arsye, edhe pse jam shumë i zënë me angazhimet e mija por edhe kontaktet nuk kanë qenë të shpeshta!
A keni ndonjë rol që e veçoni si më të mirin apo më të dashurin për ju? Po ndonjë rol që qëndron si endërr?*
Për një balerin klasik siç jam edhe unë ëndrra është të kërcej repertorin klasik. Unë kam pasur fatin të kërcej shumë balete të njohura ato më klasiket.
Cilat janë vështirësitë më të mëdha që ka jeta e një profesionisti baleti?
Profesioni ynë ka vështirësi pafund. Unë mendoj dhe besoj se është më i vështiri dhe më kompleksi po ashtu edhe më i bukuri. Përveç djersës dhe përkushtimit duhet të kujdesesh edhe me ushqimin. Sigurisht nuk duhet harruar dëmtimet e shumta që vijnë nga lodhja e tepërt!
Kur ka qenë hera e fundit që keni interpretuar në skenën e Shqipërisë
Hera e fundit ka qenë disa vite përpara kur mora një ftesë nga drejtori i baletit Arian Sukniqi dhe drejtori artistik Zhani Ciko për baletin “Ëndrra e një nate vere”!
Sipas jush, në suksesin e një balerini më shumë rol luan shkolla apo puna individuale dhe talenti?
Besoj se është një përmbledhje e të gjithave sepse pa talent sado që lodhesh e punon, do ngelesh mesatar, por sigurisht nuk mjafton vetëm talenti! Duhet shumë, punë, përvojë dhe dashuri!
Çfarë këshille do të kishit ju për balerinët e rinj?
Këshilla më e mirë është se duhet shumë punë dashuri për profesionin, respekt për profesorët dhe mbi të gjitha besim në vetvete!
Burimi: http://opusalb.com/sq/shqip-krishtlindje-qe-sjell-danilo-zeken-ne-tirane/