Filmi i Blerta Zeqirit ‘Martesa’ ka triumfuar në festivalin prestigjioz PÖFF | Tallinn Black Nights Film Festival me çmimin e kritikës ‘Fipresci Prize’ si dhe me çmimin special për ansamblin e aktorëve në kategorinë “First Feature Competition” në Gala mbrëmjen e organizuar sonte në Tallinn të Estonisë.
Mjaft e lumtur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, regjisorja falenderoi jurinë për çmimet dhe u shpreh: ‘Premiera e filmit në këtë festival ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Këtë film e kam bërë për dashurinë e pamundur mes dy njerzve të gjinisë së njejtë sepse për mua ndalimi i dashurisë në emër të një norme shoqërore është absurde. Dashuria nuk është krim përderisa ndalimi i saj është, dhe për këtë arsye këtë çmim ia kushtoj ndjenjës më të bukur – dashurisë.‘
Ndërsa producenti Keka Kreshnik Berisha ndër tjerash falenderoi të gjithë ekipën për punën fantastike që kanë bërë me shumë pasion e dashuri.
Drejtori i QKK-së Arben Zharku tha: ‘Ky është një sukses i plotëmerituar për ekipën e filmit dhe një lajm shumë i mirë për kinematografinë e Kosovës.’
‘Martesa’ është bashkëprodhim në mes Kosovës dhe Shqipërisë me producent Keka Kreshnik Berisha dhe Eno Milkani, të subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, ndërsa në rolet kryesore janë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu.
Ky film premierën në Kosovë do ta ketë në fillim të muajit shkurt.