“Kosovo for dummies‘, (Kosova për budallenj) me tekst të dramaturgut Jeton Neziraj dhe e inskenuar nga regjisori i mirënjohur zviceran, Johannes Mager, të shtunën e kësaj jave do të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Prej aty do të udhëtojë edhe për në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë, për t’u rikthyer në Teatrin e qytetit të Ferizajt, shkruan sot “Koha Ditore”. Turneu rajonal i shfaqjes do të përmbyllet me 15 të këtij muaji në Teatrin e Tetovës. Protagonistë të kësaj komedie janë aktorët: Albana Agaj, Günther Kaindl, Ursula Stäubli, Robert Baranowski dhe Nadim Jarrar.
Aktorja Albana Agaj, e cila prej vitesh bën art në teatro të ndryshme në Zvicër, Gjermani, Austri e vende të tjera, drejton trupën teatrore “Forever productions”, që është bashkëprodhuese e shfaqjes.
“Kosovo for Dummies” është dhënë premierë në teatrin “Schlachthaus Bern” dhe sipas Agajt, reprizat e shfaqjes janë dhënë dhe parashihet të jepen edhe në Cyrih, Luzern, Wintherthur, Leipzig e vende të tjera.
Siç përshkruhet në sinopsis, “Kosovo for dummies…” është një komedi e realizmit magjik, që në mënyrë groteske e sureale shtjellon një histori të vogël të një vajze me emrin Antigona, e cila dëshiron të fluturojë bashkë me ëndrrat e saj.