SHENJESTRA
Sulmi duket se hyn në një kuadër që e kemi parë tashmë në të kaluarën dhe në vende të tjera. Eshtë goditur një koncert, një grumbullim i madh njerëzish. Kishte ndodhur më parë në Bataclan të Parisit, në Orlando (Florida), në Gjermani verën që kaloi. Një lloj aktiviteti që ushtarakët e tregojnë shpesh si shënjestrën ideale.
SHPERTHIMI
Policia e Mançesterit të martën në mëngjes tha se shpërthimi ishte shkaktuar nga një atentator vetëvrasës me bombë. Dëshmitarët raportojnë edhe për gjurmë të gozhdëve apo copave të hekurit, që i janë shtuar bombës për të rritur pasojat. Sistem i përdorur gjithmonë nga terroristët për t’i bërë armët e tyre më vdekjeprurëse, edhe kur kanë mjete të reduktuara në dispozicion, ose janë të detyruar për të gjetur materialin në tregun “civil”.
NE FUND TE SHFAQJES
Aksioni ndodhi në fund të shfaqjes dhe në pjesën e jashtme të Arenës, kur spektatorët ishin duke u larguar. Eshtë e mundur që, kush ka vepruar, të ketë zgjedhur atë moment për një arsye oportuniteti, apo ndoshta sepse mendonte që vëmendja e turmës (dhe sigurisë) do të ishte më e vogël. Kish ndodhur e njëjta gjë në rastin e atentatit në Nisë, me kamionin që u lëshua mbi Promenade, pas fishekzjarreve të 14 korrikut.
ZONAT PERIFERIKE
Duhet të mbrohen aeroporte dhe lokale ku zhvillohen spektakle dhe e njëjta gjë vlen për stadiumet. Ka një filtër sigurie që duhet të garantojë mbrojtjen. Dhe ç’bëjnë kriminelët? Vënë në shënjestër zonën “periferike” ku e dinë se vigjilenca është më e paktë: aty ku ka vendparkime, stacion taksish, rrugë hyrjeje.
PROPAGANDA XHIHADISTE
Propaganda xhihadiste në javët e fundit e ka mbajtur volumin lartë. Eksponentë të ISIS kanë bërë thirrje për të goditur, por të njëjtën gjë e ka bërë edhe djali i Osama bin Ladenit, Hamza, me një regjistrim zanor në internet. Mesazhi ishte “i përgjithshëm”, në kuptimin që ndjekësit e xhihadit u ftuan që të veprojnë sipas mundësive, me veprime të organizuara nga një bërthamë por edhe një individ i vetëm. Sinjali ishte i qartë: kërkoni martirizimin në qytetet perëndimore.
SITUATA NDERKOMBETARE
Momenti ndërkombëtar është i veçantë. Presidenti amerikan, Donald Trump sapo ka shpallur një marrëveshje me sauditët dhe ka bërë thirrje për një front të përbashkët kundër terrorizmit. Ndalesa në Riad do të shoqërohet me takime të rëndësishme: takimi me Papën, samiti i G7 në Taormina, samiti i NATO-s. Ndoshta nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë, por është e qartë se sulmi do të ketë një impakt të fortë. /Corriere della Sera – Bota.al