Në një maratonë artistike të paprecedentë, shumë artistë u mblodhën nga Europa, Shqipëria dhe Kosova në Valbonë dhe Tiranë për të protestuar kundër importit të plehrave dhe kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin e Valbonës.
Nga Gjergj Erebara
Me thirrjet “Mos Ma Prek Valbonën” dhe “Jo Plehrave në Shqipëri”, disa mijëra shqiptarë u mblodhën në Tiranë mbrëmjen e të dielës, të thirrur nga një grup artistësh nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët kënduan falas në një koncert-protestë për dy kauza të rëndësishme mjedisore, ndërkohë që media konvencionale ruajti një heshtje të pazakontë.
Maratona artistike për protestë u organizua nga Eda Zari dhe Elina Duni, të cilat ftuan një numër të madh artistësh nga Shqipëria dhe Kosova për dy koncerte falas, i pari në Valbonë më 29 tetor dhe i dyti në Tiranë, më 30 tetor.
Protesta në mbrojtje të Valbonës u shkaktua nga planet e qeverisë për të ndërtuar 11 hidrocentrale në Lumin e Valbonës dhe në përrenjtë malorë që e ushqejnë atë, hidrocentrale që pritet të fusin në tubacione nëntokësore rreth 80 për qind të të gjithë lumit.
Përgjatë ditëve të fundit, zyrtarë të ndryshëm të qeverisë kanë folur për anulime koncesionesh pa ofruar dokumente konkrete që diçka e tillë të ketë ndodhur ndërsa disa politikanë janë akuzuar për gënjeshtra të hapura që duket se synonin të ulnin pjesëmarrjen në koncertin e protestës.
Të shtunën më 29 tetor, disa qindra shqiptarë nga të dy anët e kufirit udhëtuan për qindra kilometra për të marrë pjesë në mitingun protestë të Valbonës, disa prej të cilëve kaluan natën në çadra pavarësisht temperaturave të ulëta.
Një ditë më vonë, të njëjtët artistë udhëtuan për në Tiranë për të protestuar bashkë me mijëra qytetarë të tjerë kundër ligjit të qeverisë aktuale që lejon importin e plehrave në Shqipëri.
Ligji, i cili u miratua mes protestave më 22 shtator në Kuvendin e Shqipërisë, është kthyer aktualisht për rishqyrtim në kuvend nga presidenti Nishani pas kërkesave të shoqërisë civile.
Partia Socialiste, e cila nuk e disponon shumicën e thjeshtë prej 71 votash në Kuvend, ka bërë të ditur se ka ndër mend ta pranojë dekretin e Presidentit Nishani dhe ta rishqyrtojë ligjin, një hap që i mundëson asaj ta miratojë ligjin me një shumicë më të vogël se sa 71 vota, pasi aleatët kryesorë të socialistëve në qeverisje kanë shprehur pasiguri në përballjen me kërkesat e shoqërisë civile për anulim tërësor të ligjit që lejon importin e mbetjeve.
“Kemi 12 vjet që luftojmë me politikën tonë të të gjitha ngjyrave, të cilët sa vijnë në pushtet, e para gjë që bëjnë, ligjërojnë importin e plehrave. Këtë gjë bëri më 2004 Fatos Nano, këtë bëri më 2011 Sali Berisha dhe këtë gjë po bën sot Edi Rama,” deklaroi aktivistja Kozara Kati në koncertin protestë të 30 tetorit në Tiranë.
“Ne nuk do të lejojmë që ky vend me pasuri të pashtershme natyrore të bëhet kosh i plehrave të Europës”, shtoi ajo.
Deklaratën e përbashkët të artistëve dhe aktivistëve e lexoi Mikaela Minga:
“Ka shumë arsye përse ne bëjmë muzikë…. Por prapa tyre qëndron një arsye edhe më kuptimplotë. Ajo e artit të angazhuar. Për këtë art kemi nevojë sot. Kemi nevojë për reagim qytetar të ndërgjegjshëm, që lë mënjanë meskinitetin, pasivitetin dhe na bën të përballemi me përgjegjësinë,” tha ajo.
“Në Shqipëri është bërë dhe bëhet shumë muzikë për qejf ahengu, për autoritetin shtetëror, për liderin e rradhës, për festivale dhe për çmime. E kemi përdorur dhe keqpërdorur muzikën tonë. Sot këtu, muzika bëhet zëri i këtij vendi, manifestim i ndërgjegjes së lirë dhe patriotizmit. Nuk ka gjë më tragjike se sa fakti që pas 104 vjetëve ekzistence të shtetit shqiptar, natyra e këtij vendi të jetë e ngërthyer nga interesa klienteliste individësh të paskrupullt dhe nuk ka gjë më të fuqishme se sa t’i kthesh këngët që me aq idilizëm i kushtohen natyrës, në këngë proteste,” shtoi Minga.
Elina Duni dhe Eda Zari kënduan bashkarisht këngët e Tropojës dhe të Moresë dhe atyre iu bashkuan artistët Ilir Bajri, Emiljano Dhimo, Ermal Rodi, Armend Xhaferri, Alban Nimani, Olsa Papandili, Marsela Çibukaj, Genci Salihu, Gent Rushi, Kamela Islamaj dhe Dj Oda.
Në fund, Sokol Çunga theksoi rëndësinë e kurajës qytetare dhe protestës në demokraci.
“Sot kemi djem e vajza nga brenda e jashtë Shqipërisë dhe nga Kosova, të cilët mblidhen për një kauzë shumë jetike, për natyrën, për natyrën e Shqipërisë. Sot ama, ndryshe nga dje, nuk kemi nevojë për të mbrojtur kufijtë e vendit dhe copëtimin e kombit, sot kemi nevojë për të mbrojtur natyrën e Shqipërisë dhe për të ruajtur ndërgjegjen e qytetarëve nga shkatërrimi. Ky është arti rilindës për të cilin kemi nevojë sot,” tha ai.
Artistët dhe aktivistët deklaruan se do të vijojnë të kërkojnë anulimin e plotë të hidrocentraleve në Valbonë dhe të ligjit të importit të plehrave ndërsa theksuan se mungesa e mbulimit mediatik vështirë se do të mbysë zërin e qytetarëve.
BIRN