Fjala e ministres Kumbaro, mbajtur ditën e djeshme në ekspozitën dhe promovimin e albumit “Kolonja përmes fotografisë së Dhimitër Vangjelit”
Mirela Kumbaro Furxhi
Të dashur kolonjarë
I dashur Beni që je mes nesh,
Ishte ora 20.00 i datës 15 dhjetor i vitit të kalur kur mora këtë sms nga një numër i panjohur:
“Përshëndetje, jam Ben Malo, Kryetar i Bashkisë së Ersekës.
Mundem t’ju takoj për një projekt që do t’ju pëlqejë?”
Ky ishte sinjali i parë për thesarin e Kolonjës. Dhe që vetëm një njeri që ia di vlerën thesarit dhe ka pasionin dhe bujarinë për ta ndarë atë me të tjerët e kupton..
Më pas Silva Breshani, drejtoresha e Qendrës sonë të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, po atë ditë në ora 22.10.më dërgon një tjetër mesazh:
“Ministre, ndodhem në Ersekë, në muzeun historik të Kolonjës. Kishim informacion që ekzistonin në muze negativë të artistit kolonjar Vangjel Dhimitër Prodani. Kërkuam vjet gjatë inventarizimit të muzeut po s’e gjetëm.
Tani gjetëm në një valixhe druri në gjendje shumë te keqe rreth 400 negativë pa inventar e pa regjistër.
Tani konstatuam dhe një arkë të vjetër e të madhe municionesh po askush s’e hapte nga frika. Thonë që ka rreth 60 vjet që rri aty. Jemi këtu me Kryetarin e Bashkisë që na vuri njerëz dhe oficer policie në dispozicion dhe e hapëm. Dhe surpriza është e madhe. Gjetëm fondin e fotografive të Dhimitër Vangjelit. Jemi ende në muze e po i inventarizojmë. Besoj se mund të jenë rreth 1000 negativë. Një pjesë janë dëmtuar, por pjesa më e madhe janë një mrekulli. Unë mendoj se duhet t’i digjitalizojmë dhe pastaj të bëjmë një ekspozitë të vogël. Kryetari i Bashkisë është një mbështetje shumë e madhe dhe pasionant.”
Më pas puna e përbashkët e specialistëve të Qendrës sonë dhe të Muzeut, e nxorri vërtetë në dritë.
Kryem regjistrimin, inventarizimin dhe digjitalizimin e tyre 1300 negativëve në xham.
Dua të falenderoj të gjithë specialistët e Muzeut te Ersekes dhe të QKIPIK.
Dua të falenderoj gjithashtu profesorët e domosdoshëm për ta bërë mirë këtë punë Skënder Aliu, Bardhyl Prifti, por edhe ekspertët Roland Tasho, Jorgji Qirjako, Nikolla Përdhiku – i afërt i familjes Dhimitri si dhe Uran Butkën dhe Suzana Varvaricën.
Janë po ata që kanë punuar gjithmonë në institucionet e trashëgimisë por rrallëherë kanë pasur ndoshta këtë atmosferë e frymëzim.
Nga Muzeu Marubi nga Shkodra, morëm kutitë e konservimit, për t’i ruajtur e mbrojtur një herë e përgjithmonë këto dëshmi të Shqipërisë së 1900’ që na la artisti fotograf Dhimitër Vangjeli nga Prodani, martuar me Dhespinën nga Borova.
Dhimitri ishte fotograf shëtitës se e dinte që shpirti kolonjar nuk fotografohej dot i gjithi në studio por atje ku frynte në grykat e fshatrat e Kolonjës, çifte, ushtarë, klerikë, fshatarë, e zonja me kapele, ceremoni, armë, ushtarë e manifestime, gjithë jeta e shqiptarëve të jugut dhe jo vetëm, kalon si revistë në syrin e Marubit të Kolonjës.
Arben Malo erdhi në zyrën time dhe më tha:
– Thesarin e shpetuam, ndonëse në vite shumë kishin vënë dorë në të… Tani, a do të bëjmë një ekspozitë bashkë?
Ia premtova.
Kur e vumë punën para, u takuam sërish dhe e pyeta nëse do ta bëjmë brenda në muze?
Mu përgjigj qetë e me mendjen top: – Jo, kam qejf ta bëjmë në shesh, prandaj më prit të mbarojmë dhe sheshin se do të dalë shumë bukur e do të të pëlqejë shumë.
Ndoqëm punimet, dhe caktuam datën.
Dhe kështu u njoha dhe u takova me Arben Malon, njeriu që na mbledh të gjithëve këtu sot në Ersekë. Dhe jo rastësisht!
Në fakt sot ishte dita kur ne me Benin, fiksuam datën e zbulimit të thesarit për publikun, vetëm një muaj e gjysëm më parë. Dhe e mbajtëm fjalën.
Sot paraqesim para jush “Kolonjën përmes fotografive” të Dhimitër Vangjelit,
në sheshin e Rilindjes Urbane të Ersekës, Kolonjën e Rehovës që shumë shpejt do e shpallim Qendër historike për ta kthyer në një destinacion turistik, Kolonjën e Barmashit, të tumave historike, të kalasë së GRadishtës e me radhe, por edhe Kolonjën e Fan Nolit, por edhe Kolonjën e Benit dhe të Ilias Stefos që tashmë e ka modelin e duhur!
Faleminderit Erseka, qyteti i kolonjarëve të kulturës!