Valeria Dedaj
Për të kërcyer tangon duhen dy vetë, thotë një shprehje. Qoftë kjo tango imoraliteti, ryshfeti, apo çfarëdolloj dhënie e marrie, shkëmbimi për qëllime përfitimi. Na ndodh shpesh të dëgjojmë për arrestimin e punonjësve të seksit, apo thënë ndryshe rëndom prostitutave, pasi këto të fundit japin trupin e tyre në këmbim të lekëve, vetëm kaq shkon interesi dhe përfitimi i tyre. Këto të fundit nuk kërkojnë as ngritje në detyrë, as të prishin ndonjë familje, apo të marrin ndonjë diplomë, mirëpo u duhet të vuajnë përveç turpit që kanë zgjedhur këtë punë të lehtë, arrestimin, edhe dhunën nga ndonjë tutor i mundshëm. Paskëtaj edhe puna e tyre për të gjetur klientët nuk besoj të jetë aq e lehtë, jo sepse drejtorët, kryetarët e bashkive apo njerëz me poste që mund t’i paguanin disi më mirë nuk i preferojnë t’i frekuentojë, por nuk e kanë të nevojshëm… Nuk janë më kot sot të diplomuara qindra studente, që shkrim e këndim i kanë praktikuar ndoshta veçse në chat-e, apo punonjëse që çuditërisht ndoshta edhe të paarsimuara, karrierën e kolegeve të tyre e lënë pas, ndoshta për një ditë ose më saktë për një natë, duke marrë një post jo të parëndësishëm! Por a ka ndonjë pasojë për këta individë kjo lloj tregtie që bëjnë duke dhënë trupin e tyre. Me siguri që përpos ndonjë shikimi të vrëngët apo ndonjë fjale jo të këndshme që nuk është se u intereson fort, më e keqja kur të zbulohet paaftësia e tyre pas ndonjë skandali pas dy viteve apo më shumë asnjë nuk do t’u kërkojë llogari për dy vitet që i ka zënë vendin dikujt që mund të ishte e aftë, por që ka çaluar pasi ka ruajtur dinjitetin e saj (apo të tijin). Bën vaki edhe do të aplikojë “njena nga këto” studente për ndonjë vend pune, edhe ndonjë zotëri i mençur që neuronet dhe hormonet i ka në ekuilibër, kur do të vërejë paaftësinë e saj nuk është se do ta denoncojë gjëkundi diplomën e pamerituar maksimumi do i tregojë derën, që ndoshta do të jetë e fundit që do mbyllet për të. Sa herë në jetën tonë na ka ndodhur të dëgjojmë që penalizohet ndonjë student për tentativë korrupsioni, apo largqoftë denoncohet? Po punonjëse? Po drejtoreshë apo më lart? Pothuajse asnjëherë, aman minimumi një nga ato, të gjithë e njohim në jetë. Po pyetja është përse e kanë vallë kaq të lehtë? Ne si shoqëri jemi kaq e dobët saqë nuk ua përplasim dot në fytyrë të vërtetën dhe këto shkelje të turpshme, apo faktin që dobësinë e këtyre “zotrinjëve” me poste duhet ta paguajmë ne me taksat tona? Sepse, të dashur miq, këto tango imoraliteti e korrupsioni luhen në dy, po pastaj në prapavijë jemi edhe ne spektatorët e heshtur, që e kemi më të lehtë të bëjmë sikur nuk shikojmë, duke e bërë kështu këtë fenomen, si normalitet që thjesht duhet ta pranojmë edhe të mësohemi me të.