Nga Hans-Joachim Lanksch
Më 8 gusht, u mbushën 90 vjet prej lindjes së Kasëm Hysen Trebeshinës-nonkonformist i pa kompromis, luftëtar i përhershëm për mendimin dhe krijimin e lirë, mbrojtës i pamëshirshëm i së vërtetës dhe i sinqeritetit të pakursyer, monument i rezistencës intelektuale, morale dhe artistike. E përgëzojmë 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit shqiptar të cilin kritika letrare në Gjermani dhe Austri e barazon me figurën e madhe të letërsisë europiane të groteskes, Eugène Ionesco. Në qarqet intelektuale e pseudo-intelektuale shqiptare, shumëkush s’e pëlqen figurën e Kasëm Trebeshinës. Përse? Në radhë të parë, siç duket, në bazë të thashethemeve si pasojë e mosnjohjes. Dihet se si krijohen e etikohen “armiq” a “tradhtarë” intelektualët a krijonjësit veprën dhe veprimtarinë e të cilëve thjesht nuk e njohin dot përgojonjësit përkatës. Prej më shumë se 100 titujve autori i të cilëve është, Trebeshinës ia botuan, deri më tash, 5 libra në Shqipëri dhe 3 në Kosovë, gjë që s’do koment tjetër. Përveç kësaj, autori Trebeshina e prish komoditetin e lexonjësit të përciptë resp. të konsumonjësit të leximit e mendimit të cekët. Shpartallonjësi i kalitur i klisheve të pareflektuara, dramaturgu, poeti dhe prozatori Trebeshina e lufton patetiken duke iu kundërvënë mitomanisë dhe frazomanisë, çdo gjëje pra me të cilën mësoheshin aq bukur mediokrët. Mediokrët që s’kanë qejf për të lënë meranë e përtesës së tyre të mëndjes e të mendimit. Trebeshina ka respekt të pashlyeshëm ndaj vlerave që shkeleshin gjatë territ e ferrit të diktaturës në Shqipëri (“nuk ka fuqi në botë që të më ndajë nga kultura europiane” u shpreh në intervistë dhënë televizionit bavarez, dhe: “as nuk do të ketë fuqi që më heqin nga Sofokleu, Shekspiri apo Goetheja, Cervantesi …”) ndërsa nuk ka skrupuj t’i mohojë haptas pseudovlerat e krijuara në “artin” glorifikonjës të diktaturës çnjerëzore e çnjerëzonjëse antishqiptare të “Nënës Parti”, duke u tallur me ironi të vrazhdë e të hidhur për shkrimtarët e socrealizmit shqiptar (në intervistë dhënë revistës gjermane “Neue Sirene”): “Shkrimtarët e asaj shkolle tashti, po të duan, le t’ia japin të qarit në Shqipëri dhe në të gjithë Europën. Për mua ata vëndin e kanë në komeditë e mia”.
Trebeshina është shembull eksepcional prej shkrimtari të cilit i shkojnë fjalët e z. Fatos Lubonja se letërsia nuk mund të ndahet nga morali. Në rastin e Kasëm Trebeshinës, letërsia, jeta dhe morali janë një. Një tërësi e pandashme. Dhe, nga ana tjetër, rasti i Trebeshinës na e dëshmon gjithashtu dhe faktin që letërsia, letërsi e vërtetë, nuk ka nevojë që të mbrohet me anë të kritereve jashtëletrare, qofshin ato morale, biografike, përmbajtësore a çfarëdoqofshin. Në intervistën e përmëndur më lart, autori dëshmoi: “Për mua letërsia është gjithëçka” dhe: “jetën time ia kam sakrifikuar letërsisë”. Autori që shkruante dhe shkruan si i obsesionuar, letërsisë resp. ëndrrës së tij për dinjitetin dhe pavarësinë e krijimit të lirë letrar ia sakrifikoi, siç dihet, jetën familjare, 17 vjet të mbylljes nëpër burgjet e psikiatritë e shtetit totalitar, botimin e veprës letrare e cila pra e paraqiste kryeqëllimin e jetës së tij. Përderisa njerëz të tjerë të penës ndershmërinë dhe moralin e sakrifikonin për karrierën prej shkrimtari duke e banuar, ashtu, karakatinë e letërsisë që karkaste në kor koreje, Trebeshina nuk pinte dhe nuk hante nga korita e regjimit, nuk komprometohej me shkrime konfirmonjëse për ideologjinë e regjimit, por hante koriçka në birucë, duke krijuar botën e tij letrare si kundërshtar i prerë i çdo kompromisi me cilëndo ideologji dhe duke ruajtur asisoj dinjitetin e tij njerëzor dhe lirinë e mendimit e të shkruarit. Ashtu e përjetonte, tekstualisht, letërsinë. Nuk përderej për hir të veprës së tij letrare, nuk përkulej përpara dhunës së pushtetit, por mbetej me pavarësi të brëndshme të pandëgjuar ku deklaroi në televizionin e Munihut: “Në burg kam qenë fizikisht, shpirtërisht asnjëherë nuk kam qenë as në burg as i izoluar … Nuk kam qenë kurrë në burg. Në burg kanë qenë ata. Me mëndjen e tyre, me mendimet e tyre. Jo unë, unë kam qenë i lirë”. Ç’fjalë dinjitoze! Përderisa tjerët merrnin “qëndrim parimor” – në letër, si fjalë goje, dhe e përletërsonin jetën në letërsinë e tyre, z. Trebeshina nuk e letrarizonte jetën por u ballafaqua me banalitetin mizor të terrorit të një pushteti të çoroditur dhe mori qëndrim në mënyrë parimore dhe ballëhapët – me jetën e tij duke rënë në burg dy herë gjatë pushtimit të fashistëve italianë, duke u plagosur pesë herë në luftë kundër fashistëve gjermanë, duke u futur në burg tri herë nga fashistët e kuq shqiptarë ku, bile-biles, herën e tretë, 1980-shin, refuzoi të shpëtohej nga burgimi i gjatë por shkoi në burg – “nga inati”.
Siç u përmënd më lart, veprës së Kasëm Trebeshinës nuk i duhet çfarëdoqoftë mbështetjeje a justifikimi me anë të kategorive joletrare. Dramat, poezitë, romanet, novelat e tregimet e tij shquhen nga një mvehtësi e rrallë stilistike, nga një individualitet i madh kompozicional, struktural dhe formal, nga një imagjinatë e stërpasur krijonjëse, nga një ironi e stërholluar dhe një humor sarkastik, nga një larmi motivesh, një llojllojshmëri e jashtëzakonshme tematike. Veprat e tij janë shumë larg çdo shabllonizimi të letërsisë së “tipikës”, veprat e tij priren kah universalja, e përshkruajnë botën shqiptare si dhe realitetin e vëndit të shtypur nga diktatura dhe njëkohësisht mund të lexohen edhe si vepër me tematikë mbikombëtare, universale, kështu që në përgjithësi ato dallohen për shumështresëmërinë e cila karakterizon çdo vepër të vërtetë artistike. Krijimet e Kasëm Trebeshinës mund të lexohen si në nivel njerëzor, psikologjik, filozofik ashtu dhe në nivel politik. Rrallëkush në letrat e sotme shqipe ka depërtuar aq thellë te brëndesia dhe thelbësorja ekzistenciale e njeriut dhe e letërsisë sa Trebeshina, rrallëkush në letrat shqipe pas Koliqit depërtoi te thellësitë e psikës së njeriut sa Trebeshina, rrallëkush pas Kutelit depërtoi aq thellë te fantastikja e mëndjes njerëzore sa Trebeshina, rrallëkush në letrat shqipe pas Camajt depërtoi në thellësi filozofike sa Trebeshina, rrallëkush në letrat shqipe pas Lasgushit e Zef Zorbës shquhet nga një shije e përkryer estetike sa Trebeshina, rrallëkush në letërsinë bashkëkohore shqipe krahas Camajt e Primo Shllakut e zbuloi të vërtetën prapa realitetit të dukshëm sa Trebeshina. Dhe, askush në letërsinë e re të Shqipërisë s’është guxuar që fëmijve të çmëndur të nënave të urta t’ua vinte përpara pasqyrën aq haptas, bile edhe pllakativ, sa Kasëm Trebeshina:
Fëmij’ të çmëndur nënash t’urta,
ju gjurmë pune s’lini pas.
As pamja juaj hijerëndë,
as çantat varur si këmborë,
as plehu që keni në kokë,
as kurvëria që vadisni,
as servilizmi që ushtroni,
fisnikëri nuk na tregojnë.
Në mos i shkrofsha këto unë,
një tjetër botës do t’ia thotë.
Fëmij’ të çmëndur nënash t’urta,
ju kohët gjith’ do t’u përçmojnë!
Letërsia, udhëtim për të zbuluar hapësirat
Duke jetuar në kohë plot kontradikta, Trebeshina nuk shkruante dhe nuk shkruan letërsi konstatonjëse a afirmonjëse por kërkonjëse dhe hulumtonjëse e cila, përpos refleksionit e meditimit, e merr rrugën drejt udhëtimit shtigjeve të parrahura ku përpiqet të zbulojë fshehtësinë e sendërtimit të një synimi kontradiktor, domethënë ta zbulojë përjetësinë në të tashmen dhe të tashmën në përjetësinë, kohë-hapësirën konkrete në kohë-hapësirë abstrakte, abstrakten në realen … Ose, me fjalët e vet shkrimtarit: “Duke kërkuar të tashmen e përjetshme, kërkimi ishte në drejtim të universales, unë arrita – më konkretisht – në përfundimin që në një vepër letrare ekzistojnë: një kohë abstrakte edhe një hapësirë abstrakte. Në të njëjtën kohë në atë vepër letrare ekziston një kohë reale edhe një hapësirë reale. Pika ku priten të dy boshtet e këtyre … është prezenti i përjetshëm ose prezenti absolut, e tashmja absolute”. Ashtu, autori duket se është në kërkim të pandërprerë dhe vazhdimisht në rrugë zbulimi për të gjetur se si ta zgjidhë çështjen e përkimit të kontradiktave në jetë dhe në art, në art të cilin e definoi, në intervistë te “Neue Sirene”, siç vijon: “Unë mendoj se letërsia është një udhëtim drejt së panjohurës për të zbuluar botën e brëndëshme të njeriut. Po të shprehesha në mënyrë më simbolike, do të thosha se letërsia është një udhëtim për të zbuluar hapësirat më të panjohura dhe çdo shkrimtar që është me të vërtetë i tillë, zbulon jetë të reja, të veçanta në pafundësinë e tmerrshme që nuk mund të njihet. Në këtë udhëtim rëndësi nuk ka zbulimi, por dëshira për të zbuluar, duke kërkuar të pamundurën. Ajo dëshirë duhet të jetë e sinqertë dhe në atë sinqeritet qëndron vlera e krijimtarisë”.
Zoti Kasëm – rrofshi sa malet e Shqipërisë! Ndërkaq, veprës letrare nuk duhet t’ia urojmë jetë të gjatë pasi jemi të bindur që ajo jeton dhe do të jetojë përherë si dëshmi e vyer dhe e rrallë e shpirtit të palëkundshëm, e mëndjes së patundur e të lirë, e substancës së pacenueshme të njeriut.