“Kafsha apo fantazma”/ Agron Tufa fiton Çmimin e Panairit: Poezitë, penallti në ecje

“Duke mos pasur fare kohë, libri është shkruar ashtu si unë e quaj penallti në ecje. Për fat të mirë takime të shumta sipas punëve të mia më kanë dhënë një favor të madh për shkrimin e poezive, për fatin e madh se shqiptarët gjithmonë vonohen në takimet fikse. Kështu që dalë ngadalë unë këtë kohë e kam shfrytëzuar”. Kështu u shpreh poeti Agron Tufa, fitues i Panairit të 19 të Librit. Juria e përbërë nga Lili Sula, Tonin çobani, Agim Baçi, Jorgji Qirjako, dhe Alida Cenaj, ndau 3 çmimet fituese të këtij edicioni.
Autor i vitit u vlerësua Agron Tufa për librin me poezi “Kafsha apo fantazma” me motivacionin “Për një perceptim origjinal intelektual dhe emocional të mbrujtjes së hapave të njeriut”.
Lili Sula, kryetare e jurisë së Panairit të 19 të Librit, tha se “kemi pasur 107 tituj të zhanreve dhe të tipologjive të ndryshme. Mbrëmë vonë kemi arritur në një gjykim përfundimtar për librin më të mirë të vitit në letërsinë artistike, për librin më të mirë të përkthyer në shqip dhe për librin për fëmijë”.
Përkthyesi i vitit u shpall Edvin Cami për librin “Dru qershie dhe ndjenja të vjetra”, një libër nga autorja kroate Marica Bodrozic.
Ndërsa në letërsinë për fëmijë u nderua me çmim Luan Rama për librin “Më quajnë Aleksander Moisiu” me motivacionin “Rrëfim emocional i figurave njerëzore si simbol frymëzues për lexuesit e vegjël.”
Pallati i Kongreseve do të vijojë të presë lexuesit deri mbrëmjen e së dielës, kur do të përfundojë edicioni i 19 i kësaj ngjarjeje kulturore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *